HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-08-30 18:26:18
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: kardinal Martini, njeri i mendjes e i paqes



Papa priti sot paradite, në Shtëpinë e Shën Martës, atë Karlo Kazalonen, provincial i Shoqërisë së Jezuitëve për Italinë, së bashku me themeluesit dhe anëtarët e “Fondacionit Karlo Maria Martini”, lindur me rastin e kryevjetorit të vdekjes së kardinalit, që bie nesër, më 31 gusht.
Fondacioni është një nga nismat e Provincës së Shoqërisë së Jezusit në Itali, në bashkëpunim me Kryedioqezën e Milanos. Synon të ruajë kujtimin e kardinalit Martini, siç lexohet në kanalin , duke promovuar njohjen dhe studimin e jetës dhe veprave të tij, duke mbajtur gjallë shpirtin, që e frymëzoi impenjimin e tij, duke favorizuar përvojën e Fjalës së Zotit në rrethanat e kulturës bashkëkohore e duke i kushtuar vëmendje të veçantë dialogut ndërfetar me shoqërinë civile e jo besimtarët, njëherësh me thellimin e lidhjes së pandarshme ndërmjet fesë, drejtësisë e kulturës.
Fondacioni dëshiron të nxisë studimin e Shkrimit Shenjt, duke u mbështetur për këtë studim, edhe mbi disiplina të tjera, ndërmjet të cilave, përshpirtëria dhe shkencat shoqërore, të bashkëpunojë me projekte formuese e baritore, që vlerësojnë pedagogjinë injaciane, posaçërisht atë drejtuar të rinjve, si dhe të mbështesë thellimin, kuptimin dhe përhapjen e praktikës së ushtrimeve shpirtërore.
Në takimin me Papën ishte i pranishëm edhe drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Takimi me Papën ishte i shkurtër, informal, por domethënës, sepse Ati i Shenjtë duhet të ishte personi i parë, që njoftohej drejtpërdrejt për lindjen e këtij Fondacioni e për qëllimet tij. Provinciali, atë Kazalone, i drejtoi një përshëndetje të bukur, duke i shpjeguar natyrën dhe synimet e Fondacionit e Papa iu përgjigj, siç e ka zakon, në mënyrë të vetvetishme e të drejtpërdrejt, me disa kujtime për kardinalin Martini. Në mënyrë të posaçme kujtoi rolin e tij themelor në një Kongregacion të famshëm të përgjithshëm të jezuitëve, i 32-ti, në vitin 1974, që diskutoi në mënyrë mjaft impenjative për lidhjen ndërmjet fesë e drejtësisë. E kardinali Martini, asokohe atë Martini, jezuit me autoritet, atëherë më duket se ishte Rektor i Institutit Biblik, pati një rol të dorës së parë në Kongregacionin e jezuitëve, rol bashkimi e aftësi për ta dalluar lidhjen pozitive e të thellë ndërmjet fesë e drejtësisë. Ja, pra, Papa Françesku kujtoi këtë ndihmesë të madhe të kardinalit Martini, si shërbim ndaj Shoqërisë së Jezuitëve e unitetit të saj në thellimin e një teme kaq themelore, ashtu edhe në marrëdhëniet e mira e mirëkuptimin ndërmjet Shoqërisë së Jezusit e Selisë së Shenjtë, asokohe, nën papninë e Palit VI i cili, me bashkëpunëtorët e tij, e ndiqte me shumë vëmendje e pjesëmarrje, jetën e Shoqërisë së Jezusit dhe problemet e saj. Kardinali Martini pati një rol vendimtar.

Pyetje: - Çfarë tha, konkretisht Papa, për kardinalin Martini?

Përgjigje: - Papa Françesku e cilësoi atë Martinin si njeri të mendjes e të paqes e edhe si profet; një nga ata, që e ndihmuan shumë për të kuptuar lidhjen ndërmjet fesë e drejtësisë. E natyrisht e inkurajoi Fondacionin në punën e tij, duke theksuar detyrën e bijve për t’i kujtuar etërit. Natyrisht, këtu jemi në rendin shpirtëror e kishtar, flasim për atësi shpirtërore e në këtë rend e cilësoi Martinin si atë i Kishës, atë i dioqezës së vet, atë për shumë e shumë njerëz. E ‘edhe ne’, në fund të botës, kujtoi Papa Françesku, patëm prej tij një ndihmesë të veçantë për njohjen biblike, por edhe për përshpirtërinë e jetës së fesë, të ushqyer nga Fjala e Zotit. Prej këndej, Fondacioni hap kantierin për nismat e veta të para, bën hapat e para, me bekimin dhe inkurajimin e Papës Françesku; e kjo për ne ka shumë kuptim.

Pyetje: - Një takim i rëndësishëm, mund ta quajmë...

Përgjigje: - Ishte i rëndësishëm, sepse në kryevjetorin e vdekjes së kardinalit Martini, u themelua pikërisht ky Fondacion. Në Fondacion, po e kujtoj, marrin pjesë jezuitët italianë, që mbajnë, sipas vullnetit të kardinalit Martini, arkivin e tij personal e shkrimet e tij, ndërsa biblioteka ruhet në kryedioqezën e Milanos. E kjo trashëgimi kaq e rëndësishme, do të administrohet e do të vlerësohet tani nga ky Fondacion, në të cilin bëjnë pjesë jezuitët italianë, përfaqësues të familjes e edhe përfaqësues të kryedioqezës së Milanos. Është, pra, një nismë, për të cilën përgjigjen figurat kryesore, që lidhen me jetën dhe trashëgiminë e Martinit.






Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama