HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-04 16:26:31
A+ A- Printo artikullin



E Lumja Nënë Terezë në përvjetorin e kalimit të saj në amshim



Më 5 shtator Kisha katolike kremton festën liturgjike të së Lumes shqiptare Nënë Terezës. Kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet (16) vjet nga 5 shtatori i vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave dhe Vëllezërve të Bamirësisë, e Lumja Nënë Terezë, është kthyer në shtëpinë e Atit Qiellor. Edhe salikimet e saj, që bashkuan përfaqësues të të gjitha feve, personalitete botërore të të gjitha fushave, të varfër e të pasur nga mbarë planeti, qenë një dëshmi e gjallë e admirimit që gëzonte rregulltarja e bamirësisë, e cila u përcoll për në banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit. Planeti mbarë nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares dhe me moton e pamort të Krishtit: "Në se i jepni një pikë ujë njërit prej këtyre të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!" Kudo shkoi, e Lumja Nënë Terezë u përpoq të shuante pikërisht etjen e Krishtit, etjen për Krishtin!
Papa i Lumi Gjon Pali II, që e vlerësoi, madje e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e quajti të Lumen Nënë Terezë "dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria Ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit e nëpërkëmburit ndërmjet vëllezërve e motrave tona.
Në festën liturgjike që kremton Kisha e që sivjet përkon me 16 vjetorin e kthimit të Nënë Terezës në shtëpinë e Atit, pa u ndaluar tek imtësitë e jetëshkrimit të saj, që rikujtohet në mbarë botën, po e kujtojmë këtë gjigante të fesë, të dashurisë e të bamirësisë me fjalët e Gjon Palit II:

"Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur. Në fytyrat e të mjerëve, Nënë Tereza pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të dihasë: "Kam etje!".
E ajo iu përgjigj kësaj britme, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Krishtit Zot mbi Kryq, duke ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugësh.
Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, e Lumja Nënë Terezë la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; atyre që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të refuzuar, por se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta.
E Lumja Nënë Terezë e dëshmoi Ungjillin e dashurisë e të vëllazërimit, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes, deri në grahmën e fundit.
Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur të ndërmjetësoi për ne e nevojat tona pranë Atit qiellor.
Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.
Kështu është shprehur Papa Gjon Pali II që e lartoi në nderimet e altarit Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot e shikojmë të Lumen Nënë Terezë me emocion të thellë e cila nga altari nga na porosit: “Duani njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin.
Kisha është Korpi i Krishtit, është Nëna jonë”, thoshte Nënë Tereza duke i ftuar të gjithë e posaçërisht ne sot :”ta dhurojmë vetveten me Krishtin e për Krishtin. Lëreni Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj. Ai na fton që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi Ai, deri në dhembje.
Nuk na lejohet të themi “E dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të?

Përpiquni ta çoni Zotin në familje, sepse familjet që luten së bashku qëndrojnë së bashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të rrimë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim në shtëpitë tona paqen, gëzimin, fuqinë e pranisë së Zoti”.

Kundrim dhe veprim, ungjillëzim dhe përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht lutjes drejtuar Zotit.
Në përfundim të këtij përkujtimi liturgjik, t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumnimit të saj më 19 tetor 2003: “Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.
Kush takohet me Jezusin, kush lejon të tërhiqet prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin e jetës, siç bëri e Lumja Nënë Terezë, ai njeri provon personalisht sikur ka bërë edhe Krishti se vetëm “kokrra e grurit” që bie në tokë e vdes sjell “shumë fryt”.
Rruga e Krishtit është “rruga e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes. Kjo është përvoja e jashtëzakonshme, e përjetuar nga e Lumja Nënë Terezë, Apostulle e Dashurisë, që e ndoqi Jezusin udhëve të mjerimit të njerëzit nëpër botë. Kush jeton në Zotin që në këtë tokë, tërhiqet e shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij Hyjnore. Këtë na dëshmon jeta dhe vepra e së Lumes Nënë Terezë, të cilën Kisha përmes festë së saj liturgjike na e paraqet si shembujt të ndritur dhe na fton ta ndjekim në jetën tonë të përditshme.
Kjo është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit, shenjtërit e posaçërisht e Lumja Nënë Terezë, që ka njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më të varfërit dhe nevojtarët, tek të përbuzurit e të mënjanuarit fytyrën e atij Zoti, të cilin aq gjatë e ka kundruar me dashuri në lutje edhe e Lumja Nënë Terezë. Ajo është për ne shembull nxitës për t’u imituar; ajo na siguron se nëse ecim me besnikëri kësaj rruge ungjillore, rrugës së dashurisë, edhe ne – siç thotë Psalmisti – do të ngihemi me praninë e Zotit".




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama