HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-04 17:04:48
A+ A- Printo artikullin



Fragmente shkruar nga postulatori i çështjes së lumnimit, Atë Brian Kolodiejchuk.



Sapo Nënë Tereza pati filluar misionin në rrugët e Kalkutës, në shpirtin e saj lindi një përvojë e re shpirtërore: nuk e ndjente më bashkimin e thellë me Jezusin, që e kishte tronditur e gëzuar aq tepër në fillim. Nga ngushëllimi i pranisë të ndjeshme, kaloi në trishtimin e ndarjes nga Ai. Mendimi se Krishti nuk ishte më pranë saj e bënte edhe më të thellë, më të fuqishme, më të zjarrtë dëshirën për ta gjetur rishtas, për të qenë me Të, pranë Tij. Ishte e zhuritur për të, prandaj, ndonëse e ndjente veten të zhytur në një errësirë të plotë, u lëshua me besim të verbër në duart e Zotit.
Përvoja e provës dhe e spastrimit është karakteristike për shpirtin e çdo njeriu që dëshiron të rritet shpirtërisht. Njerëzit që u rrinë larg joshjeve të botës, ia dalin mbanesh t'i afrohen Zotit. Munden, më pas, të kalojnë periudha vuajtjesh të thella shpirtërore, të cilat një nga mistikët më të famshëm kristianë, Shën Gjoni i Kryqit, i quan "nata e errët e shpirtit". Përmes provave të tilla Zoti spastron shpirtin dhe e përgatit për një bashkim edhe më të plotë me Të. Në se, në dukje, e lë njeriun pa kurrfarë ngushëllimi këtë e bën me qëllim që të shkëputet nga çdo gjë tjetër, e cila nuk është Ai. Në këtë errësirë, ëmbëlsia që të jep ndjenja, e cila buron nga afërsia e Zotit, zëvendësohet me një ndjejnë të dhimbshme. Njeriu vuan, i duket se Zoti është larguar prej tij, madje se nuk e do më. Madje shpirti mund të arrijë deri atje sa të tundohet nga mendimi se Zoti e qielli nuk ekzistojnë. Të duket, atëherë, se të gjitha përpjekjet për të besuar, për të shpresuar, për të dashur, janë të kota. E megjithatë, njeriu ndjen edhe më shumë etje për Zotin, gjë që e bën edhe më të mprehtë dhimbjen që buron nga pandehma se ai është larg. E gjithë kjo krijon një gjendje ankthi, ndonëse njeriut vijon të lutet e ta kryejë besnikërisht misionin e tij të përditshëm.
Në dashurinë e tij të pafund, Zoti lejon që njeriu të vihet në prova të rënda, që mund t'i duken tepër të ashpra edhe atyre të cilët vijojnë ta duan me gjithë zemër. Provat ndryshojnë sipas thirrjes e dhantive të posaçme, misionit të veçantë e shkallës së dashurisë në të cilën Zoti dëshiron ta udhëheqë secilin prej tyre. Përgjigja besnike e plot dashuri në errësirën e kësaj nate të thellë, forcon fenë, shpresën, dashurinë për Zotin e për të afërmin, e shenjtëron njeriun.
Jeta e disa shenjtorëve tregon se edhe atëherë kur arrihet në bashkim intim me Zotin, mund të vijojë endè ndjesia e errësirës. Në këtë rast, qëllimi i vuajtjes nuk është më përgatitje për bashkim, por kryesisht pjesëmarrje në vuajtjen shëlbuese të Krishtit në kryq, që prodhon e efektin e tërheqjes të tjerëve në rrugën e Zotit. Shprehjen e një dashurie të tillë mund ta gjejmë në jetën e shumë shenjtorëve si Shën Pali i Kryqit, Shën Alfons de Liguori e Shën Tereza e Krishtit fëmijë.
Do të shikojmë se kështu e deshi Krishtin edhe Nënë Tereza e cila, përmes një prove të rëndë shpirtërore, arriti të hyjë thellë në dëshirën e zjarrtë të Jezusit, të provojë "Etjen e tij për dashurinë e Atit e të shpirtrave".
Që kur ishte murgeshë e re, Nënë Tereza kishte kaluar periudha vuajtjesh shpirtërore. Për herë të parë flet për këto vuajtje më 1937, pak para se të bënte kushtet e përhershme. Gjatë një prove të tillë të dhimbshme, qe mbështetur plotësisht në Zotin e kjo ia kishte forcuar edhe më shumë dashurinë për Jezusin e Kryqëzuar. Edhe në këtë rrethanë e pati fshehur plotësisht provën e vet shpirtërore, sa të gjithë, madje edhe simotrat, mendonin se ajo nuk e dinte ç'është vuajtja. Ndonëse nuk është e lehtë të mësosh si e sa vuajti Nënë Tereza në fillim të jetës së saj rregulltare, errësira, siç e quan ajo vetë, e shtyu të vijonte edhe më me vendosmëri rrugën e shenjtërisë.
Kushti, bërë më 1942, që të mos i mohonte asgjë Zotit, ishte një shenjë e re e bashkimit me Jezusin, posaçërisht përsa i përket gatishmërisë për të bërë vullnetin e Tij. Disa vjet më vonë, gjatë periudhës së bisedave dhe vegimeve, drejtuesi i saj shpirtëror, Atë Celeste Van Exem, jezuit, vërejti se shpirti i rregulltares vijonte të persosej: sipas tij, ky bashkim me Zotin ishte aq i vazhdueshëm, sa duhej pritur që Nënë Tereza të provonte shumë shpejt lutjen ekstatike (që e çon njeriun në ekstazë). Kur u largua nga Loreto, për të përballuar misionin e ri në rrugët e Kalkutës, e ndjeu veten thellësisht të ngushëlluar, gjë që u ra në sy të gjithë atyre që bashkëpunonin me të; e kështu vijoi të ndjehej edhe në muajt që pasuan frymëzimin e saj të ri. Gjithsesi, drita gazmore e bashkimit të thellë me Krishtin do të shuhej rishtas. E do të zëvendësohej me një errësirë shpirtërore, që do të bëhej pjesa thelbësore e jetës së saj si Misionare e Bamirësisë. Kur Nënë Tereza u kujtua për ndryshimin që kishte ndodhur në shpirtin e saj, foli me Atë Van Exemin. Ia besoj të fshehtën edhe kryeipeshkvit Përier, të cilit i tregoi se përvëlohej nga dëshira për t'iu kushtuar e tëra Zotit, për të qenë shenjte deri në atë masë, sa Jezusi të mund ta jetonte plotësisht jetën e tij në Të. "Sa më shumë e dëshiroj Atë - i rrëfeu- aq më tepër më dëshiron edhe Ai mua. Dëshiroj ta dua, ashtu siç nuk e ka dashur asnjeri. E megjithatë e ndjej vetën të ndarë prej Tij, ndjej një zbraztësi të tmerrshme, më duket sikur Zoti më mungon".
Më pas Nënë Tereza i shkroi Kryeipeshkvit Përier se jo vetëm që nuk po provonte kurrfarë lehtësimi, por përkundrazi, terri rreth saj po bëhej gjithnjë më i dendur e gjithnjë më i padurueshëm. Mrekullohej nga këto dy ndjenja kundërshtare që vlonin në shpirtin e saj: mungesa, në dukje, e virtytit të fesë, të shpresës e të dashurisë e deri edhe e Zotit, e njëkohësisht dëshira përvëluese për Krishtin. Gjithsesi letra shpreh, veç ankthit e luftës shpirtërore, edhe e kryesisht lëshimin e plotë në duart e Zotit: "Ka aq shumë kontradikta në shpirtin tim: ka një dëshirë kaq të fortë për Zotin, kaq të thellë, kaq të dhimbshme … një vuajtje e vazhdueshme. E megjithatë, më duket se Zoti nuk më do më, më ka flakur, ma ka zbrazur shpirtin, më ka lënë pa fe, pa dashuri, pa zell. Shpirtrat nuk më tërheqin më fare. Qielli nuk ka kurrfarë kuptimi, më duket si të mos ekzistonte. Ndërkaq më përvëlon dëshira për Zotin. Lutuni për mua, që të vijoj të buzëqesh, pavarësisht nga ç'ngjet në shpirtin tim, sepse i përkas vetëm Atij e prandaj Ai i ka të gjitha të drejtat mbi mua. Jam përsosurisht e lumtur që nuk vlej asgjë, madje as për Zotin".
Përvoja e errësirës vijon. Nënë Tereza shkruan: "Vetëm ta dinit ç'po heq. Ai po rrënon gjithçka brenda meje, ndonëse nuk i njoh vetes asnjë të drejtë. Është i lirë të bëjë si të dojë. Lutu, që të vijoj ta vë buzën në gaz".
Por nganjëherë vuajtja arrinte kulme të tilla, sa Nënë Tereza kishte përshtypjen se qe flakur në skëterrë: "Thonë - shkruan Ajo - se në ferr të dënuarit vuajnë në amshim për shkak të mungesës së Zoti, sepse nuk mund ta shikojnë fytyrën e Tij; do ta përballonin me kënaqësi vuajtjen, madje edhe më të madhe, në se do të kishin sadopak shpresë për ta parë një ditë Zotin. Në një vuajtje të tillë është zhytur shpirti im: vuaj tmerrësisht nga mungesa e Zotit, nga mendimi se Zoti nuk më do, se Zoti nuk është Zot, se nuk ekziston fare. Por sado të tmerrshme që ishin këto prova, ajo vijoi t'ia besojë krejtësisht veten Zotit: "Errësira është aq e verbët, vuajtja dhemb aq shumë… po unë pranoj gjithçka më jep, e i jap gjithçka gjithçka pranon".
Kjo braktisje mahnitëse në duart e Zotit - në përkim me kushtin e bërë më 1942 - qe karakteristika kryesore e përgjigjes së Nënë Terezës gjatë të gjitha viteve të provës së vështirë që iu desh të pëballonte: "Pranoj gjithçka me gëzim, deri në fund të jetës". Kjo ishte përgjigja, ndonëse një pyetje e vështirë nuk e linte të qetë: "Ç' përfitim do të ketë Zoti nga gjithçka bëj, në se në shpirtin tim ka vetëm zbraztësi?". Po Nënë Tereza ishte e bindur se kështu donte vetë Zoti, "Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se dashuria e bën njeriun të vuajë kaq shumë. Më parë ndjeja vuajtjen që shkaktohet, kur të duket se të mungon Zoti, tani më duhet të provoj vuajtjen e dëshirës së papërmbushur - një vuajtje njerëzore me zanafillë hyjnore". E rishtas ajo i shtrohet vullnetit të Zotit: "E di se dëshiroj me gjithë zemër gjithçka do Zoti, ashtu si e do Ai e gjithsa të dojë. E pra, Atë, kjo vetmi është e rëndë. E vetmja gjë që më mbetet, është bindja se "është vepër e Tija".
_____
Siguria absolute se misionin ia kishte caktuar vetë Zoti, e ndihmoi ta vijonte rrugën e saj nëpër një errësirë, së cilës nuk i dukej fundi. Shkruan: "Jam gjithnjë e bindur se vepra nuk është imja. Nuk kam kurrfarë dyshimi se ke qenë Ti, që më ke thirrur me kaq dashuri e forcë. Ke qenë Ti… e je akoma Ti, edhe tani".
Nënë Tereza, e njohur për fenë e saj të paluhatshme, për shpresën e fuqishme, për dashurinë e zjarrtë, ishte bashkuar me Zotin pa atë ëmbëlsi, për të cilën të gjithë, deri simotrat, mendonin se e gëzonte. Mungesa e kësaj dashurie i dha shtytjen të përshkonte një rrugë tjetër feje. Kërkesa e saj në lutjen, që e përsëriti pa pushuar në rrjedhë vitesh, fitoi një vlerë më domethënëse në dritën e kësaj vuajtje të fshehur. "Ju përgjërohem - shkruan - lutuni në mënyrë të posaçme për mua, që të mos e rrënoj veprën e Zotit". Nënë Tereza ka lënë dëshmi tronditëse të një jete me fe të dlirë. Përmes kësaj feje, ajo shikonte dorën e Zotit në gjithçka ndodhte brenda e jashtë saj. Me këtë besim i dorëzohej plotësisht Atij, duke menduar se ishte krejt pa vlerë: "një laps i vogël në duart e Zotit".
Aspekti më i thellë e, pa dyshim, edhe më i dhimbshëm i kësaj errësire, qe prova e dashurisë. Vuante edhe më fort, sepse i dukej se qe ndarë nga Zoti, në sa kujtonte bashkimin e thellë e të vazhdueshëm me Të, në kohën e frymëzimit të madh. E pra, sadoqë kjo përvojë ishte tepër e hidhur, dëshira për ta dashur Krishtin ashtu si nuk e kishte dashur asnjeri më parë, mbeti e pandryshueshme. Në një letër drejtuar jezuitit Atë Picachy, udhëheqës i saj shpirtëror në këtë periudhë, shkruan kështu për sjelljen e vet gjatë kësaj beteje shpirtërore: "Kam mbërritur deri në atë pikë, sa të them: "Jo!". Ka qenë vërtetë diçka tepër e vështirë për mua. Kjo dëshirë e tmerrshme vijon të bëhet gjithnjë më e fuqishme dhe unë ndjej se një ditë diçka do të thyhet në zemrën time. Pastaj, kjo errësirë, kjo vetmi, kjo ndjenjë e hatashme izolimi… E pra, e dëshiroj me zjarr Zotin, dëshiroj ta dua me gjithë vetveten. Dëshiroj ta dua me një dashuri të thellë, personale." Një përgjigje e tillë, kaq fisnike dhe një vuajtje e tillë, kaq e rëndë, e ngjitën Nënë Terezën në shkallën më të lartë të dashurisë.
Që kur kishte filluar misionin e ri, errësirën e pati gjithnjë shoqe udhe. Letrat e saj, të shkruara në vitet '50 e '60, shprehin vuajtjen e paprerë, që s'e la asnjë ças të qetë, në sa e dëshironte me gjithë shpirt Zotin. Në fillim të viteve '60 nisi të kuptonte, me mirënjohje të thellë, domethënien që kishte errësira shpirtërore në jetën e saj dhe vendin që zinte në misionin e shërbimit ndaj të varfërve më të varfër; megjithatë ajo vijoi ta ndjente kërcënimin e errësirës. Në vitet '70 e '80 errësira dhe vogëlsia e saj ishin ende temat kryesore të bisedimeve me udhëheqësit shpirtëror. Në ato pak letra që janë ruajtur e që i përkasin këtyre viteve, shprehet me forcë etja e saj për Jezusin, vuajtja që i shkaktonte pamja e të varfërve, por edhe mirënjohja sepse, duke qenë krejt e pavlerë, e varfër si Jezusi, pikërisht përmes kësaj varfërie, mund t'i udhëhiqte njerëzit në atë rrugë dashurie, që kishte përshkuar ajo vetë, t'i bënte ta donin Jezusin, si e donte ajo.
Vetëm dy vjet para vdekjes, përsëriste shpesh se Zoti i kishte bërë një dhuratë të mrekullueshme: i kishte krijuar mundësitë t'ia ofronte Atij zbraztësinë e vet shpirtërore. Përsa dihet deri më sot, Nënë Tereza vijoi ta përjetonte fenë e saj të thellë në errësirë dhe t'ia besonte plotësisht vetveten Zotit deri në vdekje. 2. Si e perceptoi Nënë Tereza errësirën e saj.
Zhveshja e plotë e vetvetes:
Letrat e shkruara nga Nënë Tereza gjatë kohës së provës, tregojnë se nganjëherë ajo e interpretonte errësirën e saj shpirtërore si mënyrë që Zoti e përdorte për ta bërë të zhvishej plotësisht nga vetvetja. "Dëshiron të jetë i sigurtë se do të zbrazem nga çdo prirje egoiste"- mendonte.
Njësimi me Jezusin në mundime
Në këtë provë, Nënë Tereza pa edhe mundësinë për ta bashkuar vuajtjen e vet me atë të Krishtit në kryq. Jezusi mbi kryq mori mbi vete mëkatet e njerëzimit dhe ia ofroi Atit qiellor si flijim për shpërblimin e botës. I ngarkuar me peshën e fajeve e të pabesive tona, bërtiti: "Zoti im, Zoti im, pse më lëshove dore!". Në agoninë e dashurisë së tij për njeriun, dashuri pa përgjigje, ushtoi britma: "Kam etje". Braktisja nga ana e Zotit dhe dëshira e thellë, e dhimbshme për Të, u bënë për Nënë Terezën mjeti për t'u bashkuar e për t'u bërë një gjë e vetme me Krishtin në agoninë e tij përmbi kryq.
Shkruan: "Në lutjet e mia meditoj Mundimet e Krishtit. Kam frikë, veç se nuk bëj kurrfarë meditimi. Kufizohem ta shikoj Krishtin që vuan dhe vijoj të përsëris: "Bëj që të marr pjesë në vuajtjen tënde!"
Ajo e shpjegoi errësirën që provonte, si pjesëmarrje mistike në mundimet e Jezusit. "O Atë, unë nuk jam vetëm. Jetoj në errësirën e Tij, në vuajtjen e Tij". E me që kjo vuajtje e bënte t'i përngjante Krishtit, kthehej për të në burim gëzimi. Shkruan: "Sot vërtetë kam provuar një gëzim të madh, në sa mendoja se Krishti, duke mos mundur ta vijojë agoninë e Tij, dëshiron ta bëjë këtë në mua. E kam lëshuar veten më shumë se kurrë në duart e Tij. E, më shumë se kurrë do të jemë e gatshme të bëj gjithçka dëshiron Ai".
Dëshira për t'i jetuar mundimet së bashku me Krishtin mori formë konkrete në jetën e Nënë Terezës përmes pranimit të çdo forme të vuajtjes, duke e konsideruar si dhuratë e mjet për t'i shprehur Atij dashurinë e saj të pakufishme. Sa më e vështirë bëhej prova, aq më shumë rritej aftësia për të shprehur një dashuri edhe më të madhe. Në një nga çastet e dhimbjes së thellë shpirtërore, duke e harruar krejtësisht vetveten e me një përkushtim të plotë, bërtiti: "Kur kërkove të më vulosje mbi zemër mundimet tuaja … prisje këtë përgjigje, apo jo? Në se të jep lumni, në se gëzohesh sadopak nga kjo, në se shpirtrat vijnë te Ti, në se vuajtja ime shuan etjen tënde, ja ku më ke, o Zot, pranoj gjithçka me gëzim deri në fund të fundit të ditëve të mia: do t'i buzëqesh Fytyrës, që ma fsheh, sot e përgjithmonë!".
Njëjtësimi me të varfërit: tipari shpirtëror i apostullimit të saj.
Pas më se dhjetë vjetësh errësire shpirtërore, që vijonte të rritej e të bëhej gjithnjë më e vështirë për t'u jetuar, Nënë Tereza gjeti një mbështetje të re. Me ndihmën e jezuitit Atë Neuner, kuptoi se errësira ishte tipari i apostullimit të saj. E atëherë i shkroi atij: "Kam filluar ta dua errësirën, sepse tani besoj që ajo është një pjesë, ndonëse fare e vogël, e mundimeve të Krishtit mbi tokë. Ju më mësuat ta pranoj si përmasë të "veprës", ashtu si edhe më keni shkruar.
Pak pasi kishte nisur të mendonte kështu për thirrjen e saj, Nënë Tereza foli me simotrat. Më 1961 u shkroi një letër, përmes së cilës i ftonte t'i pranonin provat dhe vuajtjet, si tipar thelbësor i thirrjes së tyre për të marrë pjesë në misionin shëlbues të Krishtit. Autoriteti i fjalëve të saj buronte nga përvoja personale: "Në se nuk vuajmë, puna jonë do t'i ngjiste asaj të një asistenteje sociale; do të ishte e mirë dhe e frytshme, por jo vepër e Jezu Krishtit, e aq më pak pjesë e Shëlbimit. Jezusi ka dashur të na ndihmojë duke na bërë të marrim pjesë në jetën e tij, në vetminë e tij, në agoninë e në vdekjen e tij. E ka marrë gjithçka mbi vete dhe e ka mbartur në natën më të errët. Duke u bërë një gjë e vetme me ne, na shpërblei. Edhe ne mund ta bëjmë të njëjtën gjë. Gjithë vuajtja e të varfërve, e jo vetëm varfëria materiale, por edhe mjerimi shpirtëror, duhet shëlbuar; e ne jemi të thirrura të marrim pjesë në këtë mision…. Të ndajmë vuajtjet me të varfërit, sepse vetëm duke u bërë një gjë e vetme me ta, mund t'i shëlbojmë, të çojmë Zotin në jetën e tyre e t'i udhëheqim ata tek Zoti.
Dashuria e Nënë Terezës depërtoi edhe në një përmasë tjetër të varfërisë e të vuajtjes njerëzore. Shpesh e dëgjonin të thoshte se varfëria më e madhe është ajo e njeriut që nuk e do askush, që askush s' e përfill, që është krejt i vetëm. Një përvojë e tillë shpirtërore e bëri jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj vuajtjeve të çdo njeriu që takonte. Me një gjest delikat, me një fjalë të njerëzishme, një shërbim sado të vogël ose thjeshtë, me një buzagaz, përçonte të vërtetën se "Zoti të dëshiron, se Zoti të do, se Zoti është me ty, se merret me ty, me një fjalë, se Zoti ka etje për ty!
3. Ç' kuptim ka errësira e Nënë Terezës
Të gjithë ata që e njohin misticizmin e krishterë, nuk i çuditë fare kjo veçori e jetës shpirtërore të Nënë Terezës. Ajo vetë e vlerësoi gjendjen e saj shpirtërore si një provë që e shtynte të zbrazej nga vetvetja, të çlirohej nga egoizmi, i cili pengon bashkimin me Zotin. Gjithsesi ajo që bie në sy, është se e jetoi këtë përvojë errësire pasi kishte arritur në një shkallë të lartë bashkimi me Zotin. Ja si shprehet ajo vetë: "E dëshiroj me zjarr Zotin, dëshiroj ta dua me çdo ças të jetës. Dëshiroj ta dua me një dashuri të thellë, personale. S'ka gjë që më kënaq. Ditë natë mendja e zemra ime janë në Zotin". Bashkimi i saj me Zotin nuk buronte thjeshtë nga ndjenjat, por kryesisht nga mendja e nga vullneti. "E di se mund të jem një me Jezusin në bashkim të plotë, sepse në mendjen time, në vullnetin tim, është Ai e vetëm Ai". Simbolike - edhe drita e re që nisi t'ia ndriçonte shpirtin, kur e kuptoi se duke vuajtur shpirtërisht, merrte pjesë në vuajtjen shpërblyese të Krishtit për të mirën e të tjerëve.
Nënë Tereza ka përsëritur gjithnjë se qëllimi i Misionareve të Bamirësisë, e prej këndej edhe i saji, ishte të shuajnë etjen e pashuar të Krishtit në kryq për dashurinë e shpirtrave njerëzore, duke punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër. E parë në këtë dritë, errësira që zgjatí aq shumë e i shkaktoi aq dhimbje, jo vetëm që merr një kuptim të ri, por e arsyeton edhe pranimin e plotë, madje me gëzim, të kësaj errësire. Në sa i dukej se ishte braktisur nga Zoti, Nënë Tereza u njësua gjithnjë më tepër me Dhëndrrin e saj të kryqëzuar në çastin e flijimit të tij më të lartë në kryq.
Mungesa, në dukje, e Zotit, që provonte tani, dhe kujtimi i pranisë së tij, që kishte provuar më përpara, ia shtonin etjen për Të.
Etja e saj e dhimbshme për Hyjin ishte aq e madhe sa ajo mund të thoshte: "Gjatë këtij viti kam pasur shumë raste për ta shuar etjen që ka Krishti për dashuri e për shpirtra njerëzore. Ka qenë një vit i mbushur përplot me mundimet e Krishtit. Nuk e di kush ka më shumë etje: Ai për mua apo unë për Të!".
Prandaj pranimi i Nënë Terezës për të jetuar në errësirë, u bë rrugë e zgjedhur për t'u bashkuar e për t'u bërë një me Krishtin në kryq, për të shuar etjen e tij të dhimbshme për dashuri e për shpirtra njerëzore e për të realizuar në këtë mënyrë, qëllimin e thirrjes së saj.
4. Gëzimi- paradoks i dritës
Një nga karakteristikat më simbolike të fesë e të dashurisë së Nënë Terezës gjatë errësirës së saj të dhimbshme shpirtërore qe gëzimi i përhershëm që rrezatonte: nuk buronte nga temperamenti, as nga prirja e saj natyrore: ishte fryt i hirit të Hyjit e i lëshimit të plotë në duart e tij. E kjo kërkonte një përpjekje të vetëdijshme e të vendosur. Në çastet më të vështira buzëqeshja e saj bëhej edhe më e ndritshme.
Nënë Tereza kishte vendosur të bëhej "apostulle e gëzimit" dhe ta përhapte erën e mirë të haresë së Krishtit kudo që shkonte. Dashuria e saj për Zotin ishte aq e madhe, sa ajo nuk donte tjetër, veç të rrokte kryqin, e ta rrokte me gëzim. "Qëllimi im i dytë [i ushtrimeve shpirtërore] është të bëhem apostulle e gëzimit e ta ngushëlloj Zemrën e Krishtit me gëzimin tim. Lutjuni Zojës së Bekuar të ma japë Zemrën e saj, kështu që të mundem ta çoj deri në fund dëshirën e Tij për mua. Dua t'i buzëqesh gjithnjë edhe vetë Krishtit, me shpresë se kështu do të mund t'ia fsheh edhe atij vetë, në se është e mundur, vuajtjen dhe errësirën e shpirtit tim". Vendosa, kështu, t'i buzëqesh Jezusit sa herë që Ai të marrë diçka prej meje. Si shkëmbim do t'i dhuroj një buzëqeshje të dalë nga zemra, duke e falënderuar që ai e merr mundimin të përkulet endè për të marrë diçka nga unë".
Ndonëse dëshira e Nënë Terezës "për t'ia fshehur dhimbjen deri Krishtit ishte sigurisht e pamendueshme, ajo ia doli mbanesh t'ua fshehte këtë dhimbje të gjithëve, deri njerëzve më të afërt. "Nganjëherë dhimbja është aq e fortë, sa më duket se gjithçka brenda meje thyhet copë-copë. Atëherë buzgazi bëhet mantel që mbulon dhimbjen e pakufishme". Dashuria e saj pa kurrfarë interesi rrezatonte "Dashurinë e Tij, praninë e Tij, mëshirën e Tij".
Nënë Tereza kishte dhuratën e posaçme t'ia përcillte dashurinë e Zotit të tjerëve. Gëzimi, që i buronte nga dashuria për Krishtin, ndriçonte edhe ndër provat më të vështira. Duke e takuar, qoftë edhe për pak kohë, ata që kishin humbur shpresat, që i kishte pushtuar dëshpërimi, ndaheshin nga ajo plot ngushëllim e shpresë. I pati shkruar simotrave: "Mos harroni se mundimet e Krishtit përfundojnë gjithnjë me gëzimin e Ngjalljes së Tij. Prandaj, kur i ndjeni në zemrën tuaj mundimet e Krishtit, nuk duhet të harroni se do të vijë Ringjallja, se do të shpërthejë gëzimi i Pashkëve. Asgjë nuk duhet t'ju bëjë të vuani aq shumë, sa të harroni gëzimin e Krishtit të ngjalllur. Këtë nuk duhet t'ia lejoni kurrë vetes.
Përfundim
Në botën e sotme, Nënë Tereza është bërë simbol i dashurisë së Zotit. Përmes saj Zoti i ka folur zemrës të të gjithëve për dashurinë e tij të thellë, për etjen e dashurisë ndaj njerëzimit, për dëshirën e zjarrtë që të duhet edhe ai nga të gjithë. Kjo paraqitje e shkurtër ka për qëllim të zbulojë vetëm disa nga aspektet e panjohura, përmes të cilave mund ta shpjegojmë ndikimin e jashtëzakonshëm të Nënë Terezës në botë. Kushti i saj i 1942-shit shpreh dashurinë e madhe për Zotin, tregon se ajo ishte lëshuar plotësisht në duart e tij e se ai mund të bënte ç'të donte me të; ishte ky kusht që ia përgatiti rrugën për thirrjen e re të 1946-tës, kur Krishti e thirri drejtpërdrejtë t'ia shuante etjen e Tij për dashuri e për shpirtrat njerëzore, duke e udhëhequr drejt të varfërve e duke i çuar të varfrit në prehër të saj. Nënë Tereza e pranoi me gjithë zemër e me gëzim thirrjen e re. Vetëm pak njerëz e patën marrë vesh se shpirti i saj ishte zhytur në errësirë e se ajo e pranoi pa ngurrim edhe terrin, për dashuri të Zotit e të njerëzve të panumërt që, përmes saj, prekën mëshirën e tij. Këto tri karakteristika të jetës shpirtërore të Nënë Terezës - kushti për të mos e kundërshtuar kurrë e për asgjë Zotin, përvoja mistike në kohën e frymëzimit dhe errësira e vazhdueshme shpirtërore - zbulojnë thellësitë e një shenjtërie të panjohur më parë dhe e radhisin ndërmjet mistikëve të mëdhenj të Kishës.Lutje
Një nga lutjet më të dashura për Nënë Terezën është ajo që njihet me emrin "Memorare!" - "Të biejë ndèr mend", që besohet të jetë shkruar nga Shën Bernardi i Chiaravalles që në shekullin XII dhe më vonë të jetë përkthyer nga latinishtja në italisht. Në shqip, e përkthyer nga Atë Aleks Baçli e Atë Jakob Marlekaj, tingëllon kështu: "Të biejë ndër mend, o e Shenjtnueshmja Virgjina Mëri, se nuk asht ndie kurr në këtë botë që ndokush, tue pasë ardhë te Ti me lypë ndihmën tande, prej tejet të jetë kenë lëshue doret. Trimnue, pra, prej kësaj shprese, i ngarkuem me njëmijë mëkate e me lot për faqe, po dal përpara tejet e, tue u përmbysë ndër kambët Tua, po të lypi mëshirë. Deh! Pra, o Nana e Birit Hyjnuer, mos e përbuz zanin tem, por me mirësi tande, ndieje e ndigjoje! Amen! (këtu lypet ndjesa).
Kush e thotë këtë uratë me devocion, fiton ndjesën e pjesëshme të mëkateve. Nënë Tereza e thoshte nëntë herë rresht, kur kishte nevojë për ndihmë të mbinatyrshme.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama