HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-05 12:24:39
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: dekreti konciliar "Ad gentes"



Të dashur dëgjues, në udhëtimin tonë nëpër dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, sot do t’ju flasim për dekretin e nëntë dhe të fundit, nënshkruar nga etërit konciliarë, për dekretin “Ad Gentes”, që do të thotë “Popujve, apo kombeve” e ka të bëjë me veprimtarinë misionare të Kishës Katolike.
Dekreti “Ad Gentes” është dokumenti, që mori më tepër vota nga ipeshkvijtë pjesëmarrës në Koncilin II të Vatikanit: vetëm pesë ishin kundër tij. Njëkohësisht, ai është edhe dokumenti me historinë më të trazuar. Për të u hartuan shtatë tekste të ndryshme e Papa i atëhershëm Pali VI qe i pranishëm në sallë kur u diskutua boca e gjashtë, e cila, pavarësisht nga interesimi i Atit të Shenjtë, u hodh poshtë. Me nxitjen e ipeshkvijve misionarë, të përkrahur nga brezi i ipeshkvijve të parë autoktonë të Azisë e të Afrikës, boca e shtatë u miratua gati me unanimitet, në ditën e parafundit të Koncilit, më 7 dhjetor 1965.
Por çfarë thotë dekreti “Ad Gentes”? Me të, Kisha ftohet të dalë jashtë vetvetes dhe të shkojë drejt “kombeve”, pra, drejt “popujve, apo grupeve njerëzore, ku nuk ka arritur akoma dëshmia e bashkësive të krishtera dhe Fjala e Ungjillit”. Kisha, vazhdon dokumenti, është misionare për natyrën e vet, është e thirrur në një mision pa kufizim kohor deri në skajet më të fundme të botës. Pa dyshim, dekreti “Ad Gentes” i dha një bazë të fuqishme teologjike misionit ungjillëzues, duke i tërhequr vëmendjen vetë Kishës për natyrën e saj më të thellë. Ai i fton të gjithë besimtarët të japin kontributin e tyre e të kthehen në misionarë për përhapjen e Fjalës së Zotit, duke e konsideruar këtë, detyrë për çdo të krishterë.
Të shohim disa nga idetë kyresore të dekretit “Ad Gentes”, që e motivojnë Kishën për të qenë gjithnjë e më shumë misionare:
Së pari, “Missio Dei”, si motivazion bazë. Urdhërimi i madh i Jezusit, “Shkoni në të gjithë botën” (Mt 28,18-20) paraqitet në një kondvështrim më të gjerë e më të thellë. Kapitulli i parë i dokumentit fillon me planin hyjnor të shëlbimit, i cili vë në dukje qartë se rrënja e zanafillës së misionit të Kishës është jeta trinitare e Zotit. Përmes Birit të Tij, dashuria e Atit Qiellor mbërrin tek çdo njeri, në format e rrugët që i njeh vetëm Hyji i Gjithpushtetshëm. Detyrë e Kishës është ta komunikojë pa u lodhur këtë dashuri hyjnore, falë veprës së Shpirtit Shenjt.
Së dyti, natyra misionare e Kishës. Misioni, sqaron dekreti, nuk ka si objekt vetëm jo besimtarin, por edhe vetë besimtarin. “Kisha – shkruhet në tekst – gjatë shtegtimit të saj në tokë është për natyrën e vet misionare, pasi origjina e saj rrjedh nga misioni i Birit e nga misioni i Shpirtit Shenjt, sipas planit të Hyjit Atë” (AG 2). Duhet kujtuar këtu, se ndokush, ashtu si edhe sot, pyeti nëse ky zgjerim i konceptit misionar e dobëson kuptimin e misionit “ad gentes”. Dekreti, në kapitullin e fundit, nënvizon se është detyrë e të gjithëve dhe e secilit në Kishë të kontribuojë në misionin “ad gentes”, sipas gjendjes dhe karizmës përkatëse.
Elementi i tretë, një nga shtyllat e dekretit konciliar, është thirrja misionare për t’u përçuar kombeve Ungjillin e Krishtit. Në kapitullin e katërt sqarohet cili është misionari, duke pasur parasysh se thirrja për mision vlen për të gjithë të krishterët. Misionar është ai, i cili dërgohet nga autoritetet kishtare për t’u shpallur Ungjillin atyre, që nuk e njohin akoma Jezu Krishtin. Ai themelon Kishat e reja të veçanta. Njëkohësisht, asnjë i krishterë nuk përjashtohet nga detyra për ta dëshmuar Jezusin, duke u transmetuar të tjerëve ftesën e Zotit në jetën e përditshme e duke kontribuar në veprimtarinë misionare, sipas mundësive. Synimi i Kishës, nënvizon dekreti, nuk është prozelitizmi. Ajo duhet të jetë vetëm mjet, që i ndihmon njerëzit në udhën e fesë, sipas vullnetit të Zotit. Kthimi në krishterim, përfundon dekreti “Ad Gentes” është vendim personal, që respekton plotësisht lirinë e ndërgjegjes së njeriut.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama