HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-05 14:31:51
A+ A- Printo artikullin



Papa i shkruan G20-ës, përmes presidentit rus Putin: masakër e panevojshme në Siri, zgjidhje paqësore përmes dialogut



Ka shumë interesa të pjesshme në konfliktin sirian, që pengojnë të gjendet një zgjidhje, e cila të shmangë masakrën e panevojshme, që po shohim: kështu i shkruan Papa Françesku presidentit rus Vladimir Putin, me rastin e mbledhjes së G20-ës, e cila filloi sot në Shën Pjetërburg. Ati i Shenjtë u kërkon të mëdhenjve të botës të reagojnë para dramave, që po vuan prej kohësh populli sirian.
Kriza siriane, sipas Papës Bergolio, duhet zgjidhur përmes bisedimeve, siç e ka theksuar vazhdimisht këto ditë e siç e përsërit edhe një herë në letrën për Vladimir Putin. Ati i Shenjtë u drejtohet vendeve, që përfaqësojnë 90% të prodhimit ekonomik botëror, e quan luftën në Siri “masakër”, e cila, nëse vijon, “mund të sjellë vuajtje të reja në një rajon kaq të sprovuar, ku paqja është kaq e nevojshme”. Pikërisht këto vende, sipas Papës, duhet të ndihmojnë në gjetjen e rrugëve për të kapërcyer kundërshtitë, duke braktisur çdo hipotezë për ndërhyrje të armatosur e duke filluar dialogun e negociatat, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Qeveritë, thekson Papa argjentinas, duhet të favorizojnë asistencën e nevojshme humanitare. Kriza e Sirisë duhet të hyjë në rendin e ditës së mbledhjes së Shën Pjetërburgut, e cila i kushtohet kryesisht çështjeve financiare. “Pa paqe - nënvizon Ati i Shenjtë - nuk ka asnjë lloj zhvillimi ekonomik. Dhuna nuk sjell kurrë paqen, kusht i nevojshëm për një zhvillim të tillë”. E më pas: “Ekonomia botërore mund të zhvillohet vërtet, në masën me të cilën do të jetë në gjendje t’u mundësojë një jetë të denjë të gjithë njerëzve, që nga më të moshuarit tek fëmijët akoma në barkun e nënës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama