HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-03 14:17:10
A+ A- Printo artikullin



22 vjetori i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës së Shqipërisë



7 shtator 1991 – 7 shtator 2013: 22 vjet marrëdhënie diplomatike e miqësore ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë.
Të dashur dëgjues e miq të Radio Vatikanit, më 7 shtator, kujtojmë 22 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë. Ngjarje e veçantë, që pas komunizmit ateist e persekutues të katolikëve, solli Vatikanin në Shqipëri, në rangun e Nuncit Apostolik, i cili atëherë ishte kardinali Ivan Dias, tashmë 77 vjeçar. Ashtu siç pati thënë më vonë vetë kardinali Dias, gjatë vizitës së Papës së lum Gjon Pali II në Tiranë e në Shkodër, “Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: të galdojmë e të gëzojmë në të!” (Ps 118). E sot ne po e kujtojmë këtë ditë me një çast të veçantë, kur Sekretari i ri i Shtetit të Vatikanit, imzot Pietro Parolin, atëherë, zv.sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, u fliste shqiptarëve në 15 vjetorin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë.
Ishte pra 7 shtatori i vitit 2006, ora 17.00, Kisha e Shën Gjonit të Malvës në Romë. Pikërisht në vendin e kultit, dhënë nga Kisha Katolike e Romë shqiptarëve të emigruar në Itali për të kremtuar meshën në gjuhën amtare, po zhvillohej një pasdite reflektimi, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe nga Instituti i Ekonomisë dhe i Kulturës Italo-Albanese me rastin e 15-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë, pas rënies së komunizmit. Meshën e rastit e kremtoi kardinali Ivan Dias, Nunci i parë Apostolik në Shqipërinë e pas komunizmit, emëruar nga Papa i lum Gjon Pali II në çastin e lidhjes zyrtare të marrëdhënieve me Tiranën, më 7 shtator 1991, kur Ati i Shenjtë Wojtila shndërroi delegacionin apostolik ekzistues në nunciaturë. Por qe ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë, Zef Bushati, që i dha fjalën Sekretarit të ardhshëm të Shtetit të Vatikanit, imzot Parolin, zgjedhur jo më larg se të shtunën e kaluar nga Papa Françesku në këtë detyrë të rëndësishme e delikate. Imzot Pietro Parolin, atëherë, ishte funksionar në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, fjalimin e tij mbajtur me rastin e 15-vjetorit të marrëdhenieve diplomatike ndërmjet Vatikanit e Shqipërisë po jua propozojmë të plotë:

“Është nder e gëzim për mua – pati thënë imzot Parolin – të marr pjesë në këtë takim, që synon të përkujtojë 15 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, e të përfaqësoj Seksionin e Marrëdhënieve me Shtetet të Sekretarisë së Shtetit, i cili – siç e dini – ka pikërisht për detyrë ‘të favorizojë marrëdhëniet, sidomos ato diplomatike, me shtetet e me subjektet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, si edhe të trajtojë punët e përbashkëta për promovimin e së mirës së Kishës e të shoqërisë civile’ (Pastor Bonus, neni 46, 1°). Falenderoj ambasadorin e nderuar, dr. Zef Bushatin, për ftesën dhe përshëndes miqtë e shquar, duke filluar nga zoti Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Komunikata për shtyp e 7 shtatorit 1991 thoshte: ‘Selia e Shenjtë dhe Republika e Shqipërisë, me dëshirën për të pasur marrëdhënie të ndërsjellta miqësore, vendosën bashkarisht të lidhin ndërmjet tyre marrëdhënie diplomatike, në nivelin e Nunciaturës Apostolike nga ana e Selisë së Shenjtë dhe në nivelin e Ambasadës nga ana e Shqipërisë’. Është formula e zakonshme, që përdor Selia e Shenjtë për të shpallur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por jo i zakonshëm ishte interesi, që e shtynte Selinë e Shenjtë të bënte atë hap.
Një interes i diktuar, para së gjithash, nga marrëdhëniet shekullore me popullin fisnik shqiptar, që kur, në shekujt e parë të krishterimit, lindën bashkësi të krishtera në Shqipëri e, kur, pas ndarjes së Perandorisë romake nga ana e Dioklecianit, perandor me origjinë shqiptare, u ngritën shumë dioqeza. Këto marrëdhënie kanë kaluar faza të ndryshme gjatë historisë, që nga bashkëpunimi konstruktiv – si të mos kujtojmë këtu Gjergj Kastriotin Skënderbeun, mbretin më të madh shqiptar, ‘atletin e Krishtit’, që mbajti marrëdhënie të ngushta e të frytshme me Papët e Romës? – e deri në çastet e tensionit të dhimbshëm, por kurrë nuk u këput filli i artë i fesë dhe i lidhjes me Kishën e Romës të shumë shqiptarëve, mbetur në atdhe ose shkuar gjetiu (mendoj veçanërisht për bashkësitë arbëreshe në Italinë jugore) (shih Gjon Pali II, Fjalimi para ambasadorit të parë të Shqipërisë, 22 prill 1993).
Një interes, që u gjallërua pastaj nga kushtet në të cilat gjendej atëherë vendi, i sapodalë nga gjendje të vështira politike, viktimë e të cilave kishte mbetur për shkak të një regjimi të frymëzuar nga një ideologji totalitare dhe antifetare (Gjon Pali II, ib.), sprovuar nga ‘vite mundimesh të vërteta’, që kishin shkaktuar çarje të mëdha në indin shoqëror, duke ndikuar thellësisht në sjelljet e në ndërgjegjet (Gjon Pali II, Fjalimi i mbërritjes në Shqipëri, 25 prill 1993), vend i sapokthyer në gjirin e familjes së madhe evropiane (Gjon Pali II, Fjalimi para Trupit Diplomatik, 11 janar 1991).
Më shumë se për interes, do të guxoja të flisja për dashurinë e Selisë së Shenjtë ndaj Shqipërisë, që duket qartë, për shembull, në çdo rresht të fjalimeve që Shërbëtori i Zotit [atëherë nuk ishte shpallur akoma i Lum], Papa Gjon Pali II – i nderuar qoftë kujtimi i tij – shqiptoi gjatë vizitës apostolike të 25 prillit 1993. I paharrueshëm është mesazhi që la në çastin e nisjes: “U shtoftë gjithnjë e më shumë harmonia e bashkëjetesës ndërmjet jush. Duhet mësuar arti i dialogut dhe i dëgjimit, edhe kur kjo të lodh. Është çmimi i lirisë, sekreti i përparimit të vërtetë moral e qytetar. Shqipëri, qëndro në lartësinë e kësaj sfide të madhe historike!”
Shqipëri, ji në lartësinë e kësaj sfide të madhe historike! Me marrëdhëniet diplomatike, Selia e Shenjtë synoi të ecë krah për krah me këtë vend për t’iu përgjigjur si duhet kësaj sfide jo të lehtë. “Çfarë ofron Kisha? – pyeste Gjon Pali II – Në dialogun dypalësh me qeveritë, ajo vë në dispozicion kontributin e një institucioni, që mban në plan të parë vlerat më të larta të njeriut e që nuk mund të ndjehet i huaj ndaj çdo problemi, që debatohet në çdo kontekst shoqëror” (ib.). E ambasadorin e parë të Shqipërisë, Papa e siguronte: “…Kisha Katolike impenjohet të japë kontributin e saj për ndërtimin e Shqipërisë së re. Drejt këtij qëllimi synojnë marrëveshjet e bashkëpunimit, që ajo dhe shteti mund të nënshkruajnë lirisht, duke ruajtur plotësisht autonominë e ndërsjelltë dhe qëllimet e tyre specifike”.
Kanë qenë, besoj unë, 15 vjet sintonie e bashkëpunimi në rritje. Fryt i pjekur i tyre është Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë për regullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta (23 mars 2002), zbatimi besnik i së cilës dhe zhvillimet e mëtejshme nuk mund të bëjnë tjetër, veçse të përforcojnë e të promovojnë, me frymë miqësore, marrëdhëniet ekzistuese (shih Preambulën). Por nuk duhet harruar shugurimi në Shkodër, në vitin 1993, i ipeshkvijve të parë shqiptarë të kohëve të reja nga ana e Gjon Palit II, i cili, në muajt e fundit të papnisë, riorganizoi rrethet kishtare të vendit, ndërsa Ati i Shenjtë Benedikti XVI, nga ana e tij e në muajt e parë të papnisë, emëroi katër ipeshkvij në Shqipëri. Dua të kujtoj edhe vizitën zyrtare në vend të Shkëlqesisë së Tij, imzot Lajolo, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, nga 22 deri më 25 prillin e këtij viti [2006], gjatë së cilës u takua me autoritetet më të larta të shtetit; e së fundi, faktin se Prefekti aktual i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve ka qenë nunc në Shqipëri – një nunc që s’është harruar – gjë që përbën një lidhje më shumë me Selinë e Shën Pjetrit.
Shqipëria e sotme sheh drejt Evropës, duke u përjekur të përmirësojë ekonominë e të promovojë impenjimin më rrënjësor ndaj punës serioze e ndaj respektit për ligjin. Selia e Shenjtë bashkëndan e mbështet aspiratat e ligjshme të popullit dhe impenjohet, sidomos përmes institucioneve edukative dhe asistenciale të Kishës lokale, e cila mbahet me punën e përbashkët të bijve të saj shqiptarë e të misionarëve, të ofrojë kontributin më të madh të mundshëm, që shpresat e këtij vendi të rinjsh të shndërrohen në një të ardhme më të mirë, të denjë për traditën e tij të madhe historike”.

Imzot Pietro Parolin
Romë 7/9/2006




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama