HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-06 14:02:53
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: Kisha e mbron martesën, imazh i bashkimit të Krishtit me Kishën



Papa Françesku kremtoi sot, në Shtëpinë e Shën Martës, meshën e përditshme të mëngjesit, të cilën e përqendroi mbi martesën, imazh i bashkimit të Krishtit me Kishën. “Kur kemi dhëndërrin nuk mund të agjërojmë, nuk mund të trishtohemi”, nënvizoi Ati i Shenjtë duke komentuar përgjigjen e Jezusit për skribët, në Ungjillin e sotëm. Jezusi, theksoi Papa, i përshkruan gjithnjë marrëdhëniet mes Tij e Kishës si martesë. Kjo është arsyeja, që Kisha e mbron kaq shumë Sakramentin e Martesës, i cili është një nga më të rëndësishmit, sepse është pasqyrë e imazh i bashkimit të Krishtit me Kishën. I krishteri, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet të jetojë me gëzim, si të ishte i ftuar në dasmë, si të ishte në festën e madhe martesore me Hyjin e vet:
“I krishteri është thellësisht i gëzuar, për natyrën e vet. Për këtë, kur në fund të Ungjillit të sotëm Jezusi flet për verën, më sjell ndërmend dasmën e Kanës. Prandaj Jezusi bëri mrekullinë në atë rast; për këtë arsye Zoja i drejtoi njerëzit tek Jezusi, kur pa se nuk kishte më verë. Nëse s’ka verë, s’ka festë… E imagjinoni dot fundin e dasmës duke pirë çaj, ose lëng frutash? Nuk shkon… është festë, e Zoja kërkon një mrekulli. Kështu është edhe jeta e krishterë, e cila përmban në vetvete gëzimin, zemrën e gëzuar”.
Na takon të jetojmë edhe shumë çaste dhimbjeje e vuajtje, çaste kur e ndjejmë veten në kryq, vazhdoi Papa Françesku, por gjithnjë, arrijmë ta gjejmë atë paqe të thellë, që na sjell gëzim, sepse çdo i krishterë jeton në festë, njësoj si në dasmën e Jezusit me Kishën. Ati i Shenjtë kujtoi martirët e parë, që shkonin drejt martirizimit si të shkonin në dasmë. Edhe në atë çast e kishin zemrën mbushur me gëzim. Kështu Kisha bashkohet me Zotin, ashtu si nusja me dhëndrrin. I krishteri, theksoi Ati i Shenjtë, duhet të ketë edhe një qëndrim tjetër, që e gjejmë në shembëlltyrën e dasmës së birit të mbretit. Të gjithë ftohen në festë, të mirë e të këqinj. Por, kur fillon festa, mbreti vëren ata, që nuk janë veshur për dasëm:
“Ne na vjen ideja: ‘O Atë, po si është kjo punë? U morën nga rruga e u kërkohet edhe të vishen për dasmë? Ç’do të thotë kjo?’ Është krejt e thjeshtë! Zoti na kërkon një gjë për të hyrë në festë: tërësinë! Dhëndrri është më i rëndësishëm; Dhëndrri mbush gjithçka! E kjo na kujton Leximin e parë, që na flet shumë për tërësinë e Jezusit, i parëlinduri i Gjithësisë. Përmes Tij u krijuan të gjitha gjërat, duke e pasur Atë parasysh. Gjithçka! Ai është qendra, është gjithçka!”
Jezusi, shtoi Papa Françesku, është kreu i Kishës, është zanafilla. Zoti i jep plotësinë, tërësinë, që në Të të pajtohen të gjitha gjërat. E nëse qëndrimi i parë i të krishterit është festa, i dyti është njohja e Krishtit si i Vetmi Dhëndërr në martesën me Hyjin e Gjithpushtetshëm. Jezusi është besnik e na kërkon edhe ne të jemi besnikë:
“Ky është qëndrimi i dytë i të krishterit: ta njohë Jezusin si gjithçka, si qendër, si tërësi. Por gjithnjë, do të tundohemi ta hedhim këtë risi të Ungjillit, këtë verë të re në shirqet e sjelljeve të vjetra… Ky është mëkati, jemi të gjithë mëkatarë. Por duhet ta njohim se ky është mëkat e jo ta pranojmë. Shirqet e vjetra nuk mund ta mbajnë verën e re, duhen ndryshuar sjelljet… Jezusi është gjithçka. Nëse kemi ndonjë gjë që nuk është e Tij, të pendohemi, të kërkojmë falje e të ecim përpara. Zoti na dhashtë të gjithëve hirin për të qenë gjithnjë të gëzuar, si të shkonim në dasëm. E na ndihmoftë të jemi besnikë ndaj dhëndërrit të vetëm, që është Zoti”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama