HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-07 16:22:54
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 23-të “C”



Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Leximet biblike të dielës së 23-të na paraqesin fragmentin e Ungjillit nga Luka, në të cilin Jezusi atij njeriu që dëshiron ta ndjek pas i kërkon një ndërprerje të qartë, rrënjësore, të lidhjeve me familjarët e edhe me jetën personale. Këndej thotë: “Kush nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im”. Të jesh dishepull i Jezu Krishtit, do të thotë të jetosh pa kompromise, kërkon një dhurim e përkushtim të plotë, një dashuri të plotë për Krishtin, një liri të brendshme të plotë.
Tema kryesore mbi të cilën Fjala e Zotit në këtë të diele dëshiron të na bëjë të mendojmë e të meditojmë është kërkimi i pasionuar i Zotit për njeriun: "Kthehuni, bijtë e njeriut". Ku e tek kush të kthehemi? Tek "urtia e zemrës", pohon Psalmi 89, për të gjetur Zotin që është dashuri, njeriun tjetër që është vëlla i ynë, vetveten si shëmbëlltyrë të Zotit, Jezu Krishtin si kuptim e shpjegim të ekzistencës personale.
Kur mbushemi e merremi vetëm me vetveten tonë, ne e humbasim aftësinë për ta ndie ekzistencën e Zotit e atë të të afërmit. Që kjo të mos na ndodhë, Fjala e Zotit e kësaj së diele, na fton ta duam Hyjin mbi gjithçka tjetër. E Tìta vësh Krishtin në qendër të jetës sonë do të thotë të relativizosh gjithçka tjetër, përfshi këtu edhe ndjenjat e dashuritë më të shtrenjta e të afërta, madje e edhe pasuritë.
Dashuria që duhet te kemi ndaj Krishtit nuk asgjëson e nuk mohon asnjë dashuri të ligjshme e të detyrueshme, por i jep më tepër shije, ndërgjegjësim më të madhe e meritë të re.
Në leximin e parë, nga Libri i Urtisë autori na fton t'i kërkojmë Zotit dhuratën e urtisë për t'i kuptuar mirë sendet tokësore e të hapemi ndaj sendeve qiellore.
Psalmi na fton ta kërkojmë hirin hyjnor mbi jetën tonë të shënuar nga mëkati, plotë besim në Zotin Krijues e Atë duke thënë, Dhurona, o Zot, urtinë e zemrës…

Shën Pali në leximin e dytë të kësaj së diele, nga Letra e tij drejtuar Filemonit shfaq përdëllimin e vet për Onezimin, skllavin e ikur e thotë: është "zemra ime". Pali i kërkon Filemonit, pronarit të Onezimit, ta pranojë porsi vëlla.
Në pjesën e Ungjillit nga Luka, Jezusi, me dy shëmbëlltyra të shkurta, atë kullës e të luftës, na qorton të rrimë zgjuar, të jemi të vëmendshëm mbi gatishmëritë tona, me maturi e guxim, për ta ndjekur Atë nga afër.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Urt 9, 13-18
Autori do tu shpjegojë hebrenjve të tunduar nga kultura greke se dituria e vërtetë vjen nga Hyji. Nuk mund të njohim planet e Hyjit nëse Ai vetë nuk na i zbulon. Nuk mjafton të dish si është ndërtuar universi, por duhet të dimë nga vjen dhe ku shkon ky univers. Dituria dhe Shpirti i Hyjit hyjnë në mendimet e njeriut me qëllimin për të shenjtëruar dhe shpëtuar të gjithë njerëzit.

Lexim prej Librit të Urtisë

E njëmend cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit? Kush do të mund të kujtohet se çka do Zoti? Frikacake janë mendimet e të vdekshmëve dhe të dyshimta parashikimet tona: sepse trupi i shkatërrueshëm e mundon shpirtin dhe tenda tokësore e ndrydh mendjen përsiatëse. Mezi i parafytyrojmë gjërat tokësore madje edhe sendet që i kemi në dorë mezi i kuptojmë, e kush atëherë do t’i shqyrtoje gjërat qiellore?
E kush e kishte njohur vullnetin tënd po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë e të mos e kishe dërguar prej së larti shpirtin tënd të shenjtë? Vetëm kështu u bënë të drejta shtigjet e atyre që janë në tokë dhe vetëm kështu njerëzit mësuan çka të pëlqen e, në saje të urtisë, qenë shëlbuar. Fjala e Zotit.

Psalmi 90

Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës
----- ----- -----
Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”
Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërrimi i rojës së natës!
----- ----- -----
Ti i zhbin në gjasim të gjumit
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,
në mbrëmje korret edhe vyshket!
----- ----- -----
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
----- ----- -----
Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Raftë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,
të përparojë vepra e duarve tona.
----- ----- -----

Leximi i dytë Flm 9-10.12-17

Filemoni ishte një i krishterë i Kolosit, i cili kishte një skllav të quajtur Onezimo. Ai u largua për në Romë pasi kishte vjedhur pronarin e tij. Aty takon Palin, i cili e bën nxënës të Krishtit, e pagëzon dhe e rikthen te pronari i tij me një letër rekomanduese, që Filemoni ta pranojë si vëlla. Para Krishtit nuk ka pronarë, as skllevër, ekziston vetëm dashuria e tij.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filemonit

Shumë i dashur, unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus. Po të lutem për birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin. Po ta dërgoj atë – loçkën e zemrës sime. Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vend tënd këtu në burg, ku gjendem për shkak të Ungjillit, por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd, që vepra e mirë të cilën do ta bësh, të mos duket se e bëre përdhunë, por vullnetarisht. Ndoshta shi për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që te ti të kthehej përgjithmonë, jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin. Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua! Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas,
thotë Zoti, nuk mund të jetë nxënësi im!
Aleluja.

Ì Ungjilli Lk 14, 25-33

Jezusi me dy shëmbëlltyra të shkurtra, të kullës dhe të luftës, na fton të llogarisim mundësitë tona me kujdes dhe guxim, për ta ndjekur nga afër. Luka na tregon akoma se ardhja e Mbretërisë së Hyjit është në kundërshtim me raporte të gabuara me njerëzit dhe gjërat materiale.
Por ekziston një rrezik tjetër i rëndë: ai i të hequrit dorë nga lidhjet dhe përgjegjësitë ndaj të tjerëve me pretekstin e ardhjes së Mbretërisë së Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Jezusi u kthye kah ata dhe u tha: “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!
Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet: a ka sa i duhen për ta kryer? Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ Ose – cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqëroj a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? Nëse nuk mundet, dërgon një delegacion derisa ai është ende larg e kërkon kushtet për paqe. Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 23-të mund të dëgjoni këtu.........RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama