HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-07 18:10:33
A+ A- Printo artikullin



Më 8 shtator Kisha feston Lindjen e së Lumes Mari Virgjër



Me 8 shtator Kisha kremton festën e Lindjes të së Lumes Mari Virgjër. Tradita e kësaj feste lindi në shekujt e parë në Lindje dhe ishte Papa Sergji I, në shekullin e VII, ai që e shtini këtë festë në kalendarin liturgjik të Kishës. Me përkujtimin e kësaj feste, që tradita kishtare e njeh me emrin “Të lindurit e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e Virgjërës Mari, Nënës së Tënzot, në kraharorin e së cilës u mishërua Jezu Krishti.
Burimi kryesor i zanafillës së kësaj feste gjendet në Ungjillin apokrif të shekullit të II e këndej ka një traditë shumë të lashtë. Joakimi e Ana ishin të shtyrë në moshë, nuk arrijnë të kenë fëmijë e atëherë Joakimi ankohet tek Zoti, i cili i kumton se do të ketë një foshnje, një vajzë. Ky është tregimi që kemi në Ungjillin e Jakobit. Maria pastaj edukohet në tempull të Jerusalemit e pikërisht afër këtij tempulli, në Mesjetë, kryqtarët kanë ndërtuar njërën nga bazilikat më të bukura të Tokës së Shenjtë, pikërisht në përkujtim të Lindjes së Virgjërës Mari.
Lindja e Virgjërës Mari lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me ardhjen e Mesisë, si premtim, përgatitje dhe fryt i shëlbimit. Agim që i paraprin diellit të drejtësisë, Maria i paralajmëron mbarë botës gëzimin e lindjes së Shëlbuesit. Është, prandaj, guri i kufirit ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re. Errësira e natës tërhiqet, ndërsa nis të duket agimi i ditës së re, që na sjell lirinë në vend të robërisë së ligjit të vjetër.
Gjithë krijesa këndon nga gëzimi i kësaj dite, njerëz e engjëj bashkohen për të marrë pjesë në kremtimin e liturgjisë së sotme. Është dita në të cilën Krijuesi i gjithësisë ndërtoi tempullin e vet, dita në të cilën, përmes një projekti të mrekullueshëm, krijesa bëhet banesë e zgjedhur e Krijuesit. Festa e sotme, që shënon fillimin e shëlbimit tonë, na sjelltë bashkimin e paqen me ndërmjetësinë e Vashës së Nazaretit.
Krishterimi me emërtime të ndryshme e nderon Virgjërën Mari dhe Atë ia paraqet besimtarëve si shembull e shkollë feje (besimi), shërbimi e përkushtimi ndaj Zotit e ndaj të afërmit. Pse? Sepse “Virgjëra Mari është shenjtërorja e gjallë e Fjalës së Zotit, Arka e Besëlidhjes së Re dhe të amshuar.” Koncili Kishtar i Efezit (viti 431) në fakt e pohoi amësinë hyjnore të Marisë duke e quajtur Theotókos, sepse prej Saj lindi Fjala, falë Saj u bë njeri Biri i Zotit, që jetoi mes nesh.
E duke mbërritur përmes shekujsh tek Koncili II Ekumenik i Vatikanit vëmë re se në këtë Koncil Maria u shpall “fytyrë e Kishës e shembull i shkëlqyer i besimit dhe i dashurisë”, duke nënvizuar kështu në mënyrë të veçantë qenien e saj shembull për Kishën. “Kisha, gjatë gjithë jetës së saj, e mban me Nënën e Zotit një lidhje që në misterin e shpëtimit, rrok të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe e nderon si nënë shpirtërore të njerëzimit dhe ndërmjetësuese hiresh Hyjnore”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama