HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-07 19:16:36
A+ A- Printo artikullin



Ministri Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga Vatikani



Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar në Prishtinë më 6 shtator një takim me të dërguarin special të Papa Françeskut, Francesko Kanalini, i cili shoqërohej nga Delegati Apostolik i Vatikanit për Kishën e Kosovës, imzot Juliusz Janusz e nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e Nunci Apostolik imzot Kanalini e ipeshkvi i Kosovës kanë biseduar për raportet shumë të mira e përkrahjen tradicionale që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Hoxhaj ka prezantuar progresin e gjithanshëm që po arrihet në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe avancimin e agjendës integruese evropiane të Kosovës.

Duke folur për marrëdhëniet me Vatikanin, ministri Hoxhaj tha se hapi i njohjes formale nga ana e Vatikanit, do të ishte mirënjohje për vuajtjet dhe angazhimin e fuqishëm aktual të popullit të Kosovës për ndërtimin e një shteti demokratik, në përputhje të plotë me vlerat më të mira evropiane.
Ministri Hoxhaj vlerësoi lartë mbështetjen që Selia e Shenjtë dha për Kosovën dhe qytetarët e saj, në të gjitha etapat, theksoi se Kisha katolike e Kosovës është partner i Shtet-ndërtimit në promovimin e vlerave të Kosovës, krahas autoriteteve tjera fetare, si dhe luan rol të rëndësishëm në komunikim me botën.
“Ky sukses në mënyrë të vazhdueshëm i atribuohet Selisë së Shenjtë, që së fundi u theksua nga kryeministri Thaçi gjatë ceremonisë së inaugurimit të Papa Françeskut në Vatikan. Ky takim shërbeu për të shprehur përkushtimin e institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Selinë e Shenjtë, duke shprehur bindjen se Vatikani do të ketë rol edhe më të fuqishëm në progresin e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, në të ardhmen”, tha Hoxhaj.
“Duke qenë se Selia e Shenjtë ka qenë dhe mbetet gjithmonë pranë popullit të Kosovës, shpreh bindjen time të thellë se Ati i Shenjtë, Papa Françesku do të hap zemrën e Tij për popullin e Republikës së Kosovës, njohjen e vlerave të shtetit të tyre, vlera këto të ngjizura me garanci kushtetuese dhe ligjore”, tha ministri Hoxhaj.
I dërguari special i Papës Françeskut, Francesko Kanalini, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke shpreh përkrahjen për avancimin e mëtutjeshëm të proceseve në Kosovë.

Delegacioni i lartë nga Vatikani, qëndroi në Kosovë në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar me rastin e festës të së Lumes Nënë Terezë, 10 vjetorin e lumturimit Ganxhe Bojaxhiut dhe shënimin 1700 vjetorin e ediktit të Milanos, për çka këtyre ditëve u mbajt një simpozium.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë tre viteve të fundit ka intensifikuara kontaktet e takimet me përfaqësuesit më të lartë të Vatikanit. Gjatë kësaj periudhe, Hoxhaj ndër të tjera është takuar edhe me sekretarin për Marrëdhënie me Shtetet në Selinë e Shenjtë, Dominique Mamberti, dhe shumë përfaqësues të tjerë të lartë të Vatikanit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama