HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-09 15:53:16
A+ A- Printo artikullin



Imzot Tomazi: lobi armësh i fryjnë zjarrit të luftës në Siri



Bëhen luftra për të shitur armë. Denoncimi i Papës Françesku në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot pati një jehonë jashtëzakonisht të madhe. Ati i Shenjtë e ngriti zërin kundër trafikut të armëve, që ushqejnë luftën, sidomos atë siriane, së cilës nuk po i vjen kurrë fundi. Selia e Shenjtë impenjohet prej kohësh në këtë front, siç shpjegon, në mikrofonin tonë, Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në zyrën e OKB-së, në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi:
Më duket mëse e nevojshme që Ati i Shenjtë të tërheqë vëmendjen e botës ndaj trafikut të paligjshëm të armëve. Konfliktet e dhunshme – e po shohim shumë gjatë këtyre ditëve – dhe armët, janë të pandara. Por paqja nuk arrihet duke parashikuar mjete shkatërrimi, e megjithatë, bashkësia ndërkombëtare investon fonde të jashtëzakonshme për shpenzimet ushtarake. Në vitin 2012, janë investuar 1.750 milion dollarë në shpenzime ushtarake, 8% e shifrës së përgjithshme, që shkon për Lindjen e Mesme. Është si t’i hedhësh benzinë zjarrit…
Armët sirianëve, si Asadit, ashtu edhe rebelëve, ua japin industritë e vendeve të huaja. Shihet qartë se janë grupet e mëdha të prodhimit të armëve, ata që vendosin për luftrat në botë, apo jo?
Fitimi bëhet ligji më i lartë. Ka fitime të jashtëzakonshme përmes trafikut të armëve, prandaj, ndokush “i fryn zjarrit” për të shitur edhe më tepër armë. Nga ana tjetër, duhet të reflektojmë edhe mbi faktin se pasojat afatgjata të tregtisë së armëve injorohen krejtësisht. Vërtet, armët vazhdojnë të forcojnë pozitat e kriminalitetit dhe të ushqejnë mafiet e llojeve të ndryshme. Interesat tregtare, siç thotë Papa, luajnë një rol të rëndësishëm në transferimin e armëve, por duhet marrë parasysh edhe fitimi i trafikantëve e madje edhe interesi ekonomik i shteteve, që prodhojnë e shesin armë, si SHBA-të, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Izraeli, Kina, etj.. Janë shtete, ku industria e prodhimit të armëve është degë e fuqishme e ekonomisë.
Presidenti i dikurshëm amerikan, Ajzenhauer – i cili, si gjeneral, pati dalë fitimtar nga Lufta II Botërore – pohonte se “duhet të ruhemi nga ndikimi i komplekseve ushtarako-industriale”. Ky denoncim është aktual më tepër se kurrë…
Lidhja ndërmjet kompleksit industrial e ushtarak është reale dhe ka një peshë politike të pallogaritshme mbi interesat e së mirës së përbashkët të një vendi, sidomos në vendet e zhvilluara. Bashkësia ndërkombëtare vazhdon të flasë për paqe. Pra, përparësia numër një e përpjekjeve ndërkombëtare duhet të jetë t’ia hapë rrugën gjithçkaje, që kontribuon në arritjen e paqes. Në të vërtetë, shohim se ekziston një zhvillim ekonomik, i lidhur ngushtë me prodhimin e armëve, i cili mban disa sektorë të ekonomisë.
E duhet shtuar se armët i prodhojnë vendet e pasura e të zhvilluara, por përfundojnë gjithnjë në luftrat e të varfërve…
Përvoja tregon se aty ku demokracia nuk është e fortë, blerja e armëve, me mjete të ligjshme e të paligjshme, shërben për të mbajtur në pushtet një elitë të vogël, e cila, pa dyshim, nuk mendon për të mirën e përbashkët të nënshtetasve të vet.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama