HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-11 15:27:26
A+ A- Printo artikullin



“I krishteri është biri i Kishës Nënë. Duhet ta dojë, pavarësisht nga gabimet e saj”: kështu Papa Françesku në audiencën e përgjithshme



Të gjithë jemi pjesë e Kishës, e cila na lind në fe, ashtu si një nënë lind birin e saj. Ky qe koncepti themelor, rreth të cilit, Papa Françesku shtjelloi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, mbushur me gati 80 mijë vetë:RealAudioMP3
“Për mua, ky është imazhi më i bukur i Kishës: Kisha Nënë”.
Kisha është Maria, Nëna e Jezusit, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë të dyja nëna, prandaj ç’themi për njërën, mund ta themi edhe për tjetrën. E akti i parë i një nëne është lindja e jetës. Në rastin e Kishës, lind jeta e fesë brenda një bashkësie, e gjallë, pavarësisht nga mungesat:
“I krishteri nuk është ishull! Ne nuk bëhemi të krishterë në laborator, nuk bëhemi të krishterë vetëm me forcat tona, por feja është dhuratë, është dhuratë e Zotit, që na jepet në Kishë e përmes Kishës. Ai është çasti, kur kjo Nënë na lind si bij të Zotit, çasti në të cilin na dhuron jetën e Zotit”.
Fakti që bëjmë pjesë në Kishë, si të krishterë, nuk është numër, nuk është burokraci, ngriti zërin Papa Françesku:
“Pjesëmarrja jonë në Kishë nuk është fakt i jashtëm, formal, nuk është plotësimi i një formulari që na japin e pastaj… jo, jo: nuk është ashtu! Është akt i brendshëm e jetësor; nuk bëjmë pjesë në Kishë, ashtu siç bëjmë pjesë në një shoqatë, në ndonjë parti, apo në ndonjë organizatë tjetër. Lidhja është jetësore, si ai që kemi me nënën, sepse Kisha është vërtet nëna e të krishterëve”.
E siç e ka bërë zakon, Papa u drejtohet drejtpërdrejt të 80 mijëve, që e dëgjojnë në shesh, duke i nxitur të reflektojnë për ndjenjat, që i lidhin me Kishën e Krishtit:
“Sa nga ju e kujtojnë datën e Pagëzimit? …Data e Pagëzimit është dita e lindjes sonë në Kishë, data, në të cilën Kisha Nënë na lind. Bukur kjo… E tani, detyrë shtëpie: kur të ktheheni në shtëpi, kërkojeni dhe gjejeni datën e pagëzimit. Është ditë e mirë për t’u festuar, për ta falenderuar Zotin për këtë dhuratë”.
Detyra e nënës, vazhdoi Ati i Shenjtë, është t’i ndihmojë bijtë të rriten. Kisha e bën këtë me anë të Sakramenteve, që e shoqërojnë njeriun në çdo etapë të jetës, edhe në çastet më të vështira. Por kjo nënë e të krishterëve ka edhe një karakteristikë tjetër, që Papa e shpjegoi kështu:
“Kisha, ndërsa është nënë e të krishterëve, ndërsa ‘bën’ të krishterë, edhe ‘bëhet’ nga të krishterët… Atëherë, amësinë e Kishës e jetojmë të gjithë, barinj e besimtarë. Nganjëherë thonë: ‘Unë besoj në Zot, por jo në Kishë’… Priftërinjtë janë një gjë, por Kisha nuk është vetëm e tyre: Kishë jemi të gjithë. E nëse thua se beson në Zotin, por nuk beson në Kishën, po thua se nuk beson në vetvete e kjo është kontradiktë. Kishë jemi të gjithë!”
Duhet të bashkëpunojmë për lindjen e fesë në të krishterët e rinj, theksoi Papa, duhet të jemi edukatorë të fesë e të kumtojmë Ungjillin:
“Kur përsëris se dua një Kishë, jo të mbyllur brenda gardhit të vet, por të aftë të dalë, të lëvizë, duke marrë përsipër edhe ndonjë rrezik, për t’ua çuar Krishtin të gjithëve, mendoj për të gjithë, për mua, për ty, për çdo të krishterë! Mendoj për të gjithë. Ne marrim pjesë në amësinë e Kishës, të gjithë jemi Kishë: të gjithë… që drita e Krishtit të arrijë në kufijtë më të skajshëm të tokës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama