HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-11 19:40:05
A+ A- Printo artikullin



Papa i përgjigjet Eugjenio Skalfarit: të rihapen portat e dialogut ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve



U publikua sot, në gazetën italiane “La Repubblica”, një letër e gjatë e Papës Françesku për editorialistin e së përditshmes, Eugjenio Skalfari, shkrimtar, analist e politikan, themelues i vetë gazetës. Ish-drejtori i “La Repubblica” i pati dërguar Atit të Shenjtë disa pyetje, gjithnjë të botuara në gazetë, mbi tema të ndryshme të fesë e të aktualitetit.
“Tashmë ka ardhur koha” – e Koncili II i Vatikanit e përuroi këtë epokë – “për një dialog të hapur e pa paragjykime, i cili të rihapë portat për një takim serioz e të frytshëm: kështu i shkruan Papa, Eugjenio Skalfarit, i cili e quan veten jo besimtar, por i joshur nga predikimi i Jezusit të Nazaretit. Papa Françesku flet për një paradoks: gjatë shekujve të modernizmit, “feja e krishterë, risia dhe ndikimi i së cilës në jetën e njeriut që nga zanafilla është shprehur përmes simbolit të dritës, është përkufizuar shpesh si errësirë bestytnish, që i kundërvihen dritës së arsyes”. Kështu, ndërmjet Kishës dhe kulturës me frymëzim të krishterë nga njëra anë, e kulturës moderne me frymë iluministe nga ana tjetër, është vendosur një lloj pengese, që nuk i lë të komunikojnë.
Duke cituar Enciklikën “Lumen Fidei”, Papa thekson se feja rritet në një lloj bashkëjetese njerëzore, që e respekton tjetrin. “Besimtari nuk është arrogant; në të kundërtën, e Vërteta e bën të përvuajtur, duke e ditur se ne nuk e zotërojmë, por është ajo, që nga përqafon e na zotëron. Pa qenë të ngurtë, siguria e fesë na nis për udhë e na e bën të mundur dëshminë e dialogun me të gjithë”.
Papa Françesku kujton se për të, feja lindi nga takimi me Jezusin, takim personal, që i preku zemrën dhe i dha kuptim të ri jetës. Por, pohon më tej Ati i Shenjtë, pa Kishën nuk do të isha takuar me Jezusin, pavarësisht se jam i vetëdijshëm se dhurata e pamasë e fesë ruhet në vazo argjili të brishta, pjesë e humanitetit tonë. “Tani – i shkruan Papa, Skalfarit – pikërisht duke u nisur prej kësaj pike, prej përvojës personale të fesë, jetuar në Kishë, mund t’i dëgjoj me kënaqësi pyetjet tuaja e, të kërkoj, bashkë me ju, udhët përgjatë të cilave, ndoshta, mund të ecim së bashku një copë herë”.
Papa kujton si Jezusi predikon “si dikush, që ka autoritet”, shëron, u bën thirrje dishepujve ta ndjekin, fal…gjëra që, në Besëlidhjen e Vjetër, i bën vetëm Zoti e askush tjetër. Feja e krishterë, fillon t’u përgjigjet pyetjeve Papa, beson se Jezusi është Biri i Zotit, ardhur për ta dhuruar jetën e Vet e për t’u hapur të gjithëve udhën e dashurisë. “Prandaj – shton Ati i Shenjtë – keni të ndrejtë, i nderuar dr. Skalfari, kur e shihni mishërimin e Birit të Zotit si gurthemelin e fesë së krishterë”.
Pyetjes se cili është origjinaliteti i fesë së krishterë, Papa i përgjigjet se kjo fe na bën të marrim pjesë, në Jezusin, në marrëdhëniet që Ai ka me Zotin, i cili është Abbà (Atë) e, në këtë dritë, në marrëdhëniet që Ai ka me të gjithë njerëzit e tjerë, përfshirë armiqtë, në emër të dashurisë”. Jezusi është për komunikimin, jo për përjashtimin. Prej këndej rrjedh – e nuk është e pakët – dallimi ndërmjet sferës fetare e sferës politike, thekson Ati i Shenjtë. Ky dallim sanksionohet me fjalët e qarta të Jezusit “Jepini Zotit atë, që i takon Zotit e Çezarit atë, që i takon Çezarit”. Mbi këtë bazë, me lodhje e impenjim, është ndërtuar historia e Perëndimit.
Duke iu përgjigjur pyetjes mbi premtimet, që Hyji u bën hebrenjve, Papa pohon se, sidomos, duke u nisur nga Koncili II i Vatikanit, të krishterët rizbuluan se populli hebre është edhe sot, rrënja e shenjtë, nga e cila lindi Jezusi. Zoti i ka qëndruar gjithnjë besnik besëlidhjes me Izraelin e, megjithë sprovat e tmerrshme të këtyre shekujve, hebrenjtë e kanë ruajtur fenë e tyre. “Për këtë – shkruan Ati i Shenjtë – nuk do t’u jemi kurrë mirënjohës sa duhet, si Kishë, por edhe si njerëzim. Pastaj, ata, pikërisht duke e ruajtur fenë në Zotin e besëlidhjes, na kujtojnë të gjithëve, edhe ne të krishterëve, se si shtegtarë, jemi gjithnjë në pritje të kthimit të Zotit e se duhet ta kemi gjithnjë zemrën të hapur për Të e të mos mbyllemi kurrë brenda arritjeve tona”.
Skalfari pyet më pas nëse Zoti i të krishterëve i fal ata, që s’kanë fe, pa u kërkuar fenë. “Duke pasur parasysh – e kjo është themelore – se mëshira e Zotit nuk ka kufi për atë, që i drejtohet me zemër të sinqertë e të penduar – përgjigjet Papa Françesku – për ata, që nuk besojnë në Zotin, çështja është a i binden apo jo ndërgjegjes. Mëkati, edhe për atë që s’ka fe, ndjehet kur shkon kundër ndërgjegjes. Ta dëgjosh e t’i bindesh asaj do të thotë, në fakt, të vendosësh para diçkaje, që perceptohet si e mirë, ose si e keqe. E mbi këtë vendim luhet mirësia, ose ligësia e veprimeve tona”.
Përsa i përket ekzistencës të së vërtetës absolute, Papa shpjegon: “as për ata që besojnë, unë nuk do të flisja për të vërtetë ‘absolute’, në kuptimin se absolut është diçka e palidhur, së cilës i mungon çdo lloj marrëdhënie. E vërteta, sipas fesë së krishterë, është dashuria e Zotit për ne, në Jezu Krishtin. Pra, e vërteta është marrëdhënie! Kaq është e saktë kjo, sa secili prej nesh e pranon këtë të vërtetë dhe e shpreh, duke filluar nga vetvetja: nga historia e kultura e vet, nga gjendja në të cilën jeton, etj.. Kjo nuk do të thotë se e vërteta është e ndryshueshme dhe subjektive, përkundrazi. Por do të thotë se ajo na jepet gjithnjë e vetëm si udhë e si jetë. A s’ka thënë vetë Jezusi: “Unë jam udha, e vërteta, jeta”? Me fjalë të tjera, e vërteta, duke qenë e njëjta gjë me dashurinë, kërkon përvuajtëri dhe zemërgjerësi për t’u kërkuar, pranuar e shprehur. Prandaj, duhet të kuptohemi mirë për termat e, ndoshta, për të dalë nga shtigjet e ngushta të kundërvënies, duhet ta shtrojmë sërish çështjen, që nga bazat”.
Pyetja tjetër e Skalfarit është disi futuriste. I kërkon Atit të Shenjtë ta sqarojë nëse me zhdukjen e njeriut në tokë, do të zhduket edhe mendimi i aftë ta konceptojë Zotin. Papa përgjigjet se edhe nëse mbaron jeta e njeriut mbi tokë - gjë që për fenë e krishterë s’është aspak e huaj, pasi kështu do të ndodhë – vetë njeriu nuk do të përfundojë së ekzistuari e, në një mënyrë që nuk e dimë, as gjithësia e krijuar bashkë me të. Shkrimi i Shenjtë flet për ‘qiej të rinj e tokë të re’ e pohon se, në fund, në një vend e në një kohë përtej nesh, por drejt së cilës, me fe, tendosemi me dëshirë e pritje, Zoti do të jetë ‘gjithçka në të gjithë’”.
Këto reflektime, i shkruan në fund Papa, Skalfarit, pranojini si përgjigje të përkohshme, por të sinqerta e plot besim se bëmë një copë rrugë së bashku. Kisha, pavarësisht nga ngadalësitë, nga pabesitë, nga gabimet e mëkatet që mund të ketë pasur e ka akoma, në ata që e përbëjnë, nuk ka kuptim e qëllim tjetër, përveçse të jetojë e të dëshmojë Jezusin: Ai që u dërgua nga Ati (Abbà) për t’u çuar të varfërve Lajmin e Mirë, për t’u shpallur të burgosurve lirimin e për t’u dhënë të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit e për të shpallur vitin e hirit të Zotit, siç pohon Ungjilli sipas Lukës(4,18-19).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama