HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-12 11:54:57
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: Deklarata konciliare “Dignitatis Humanae”



Deri tani, të dashur dëgjues, ju kemi paraqitur katër Kushtetutat dhe nëntë Dekretet e Koncilit II të Vatikanit. Që sot, do të fillojmë të flasim në tre emisione, për Deklaratat konciliare. Ato janë pikërisht tri: “Dignitatis Humanae”, mbi lirinë fetare; “Nostra Aetate”, mbi marrëdhëniet me fetë jo të krishtera; dhe “Gravissimum Educationis”, mbi edukimin e krishterë. Sot, do t’ju njohim me Deklaratën konciliare “Dignitatis Humanae”.
Jetojmë në një periudhë të vështirë, kur mbi glob fryjnë erëra lufte, që duan t’i vënë fetë njërën kundër tjetrës, duke persekutuar e martirizuar fenë e pakicës. Është gjendja e Lindjes së Mesme, ku të krishterët detyrohen të ikin për të shpëtuar jetën. Por edhe në Perëndim, liria fetare shkelet çdo ditë me këmbë, duke mos u lejuar njerëzve ta dëshmojnë fenë në sferën publike.
Deklarata “Dignitatis Humanae” pohon se liria fetare është e drejtë e çdo njeriu. Askush nuk duhet të detyrohet të veprojë kundër ndërgjegjes së vet e të mos i ndjekë rregullat, që i dikton ajo: privatisht ose publikisht, në formë individuale ose të grupuar. Kjo e drejtë, pra e drejta e lirisë fetare, duhet të njihet e të pranohet si e drejtë qytetare edhe në rendin juridik të një shoqërie. Në dokumentin kishtar deklarohet se në sajë të dinjitetit të tyre, të gjithë njerëzit, për natyrën e tyre dhe për shkak të detyrimit moral, duhet ta kërkojnë të vërtetën, para së gjithash, të vërtetën e fesë. E kur e njohin këtë të vërtetë, duhet ta pranojnë e ta ndjekin, duke e rregulluar jetën sipas kërkesave të saj(2).
Njeriu, vazhdon më tej deklarata konciliare, i kupton dhe i njeh normat e ligjit hyjnor, përmes ndërgjegjes, prandaj duhet ta ndjekë atë me besnikëri në çdo veprimtari, për të arritur qëllimin e tij të fudëm, Zotin (3). Ja përse nuk duhet detyruar askush të veprojë kundër ndërgjegjes. E liria fetare, nënvizohet, u takon njerëzve edhe kur veprojnë si bashkësi. Ndërgjegjja është shpëtimi edhe për jo besimtarët, siç shkruan Papa Françesku në përgjigjet për pyetjet e opinionistit italian Eugjenio Skalfari, në gazetën “La Repubblica” të ditës së djeshme. “Duke pasur parasysh – e kjo është themelore – se mëshira e Zotit nuk ka kufi për atë, që i drejtohet me zemër të sinqertë e të penduar – thotë Papa Françesku – për ata, që nuk besojnë në Zotin, çështja është a i binden apo jo ndërgjegjes. Mëkati, edhe për atë që s’ka fe, ndjehet kur shkon kundër ndërgjegjes. Ta dëgjosh e t’i bindesh asaj do të thotë, në fakt, të vendosësh para diçkaje, që perceptohet si e mirë, ose si e keqe. E mbi këtë vendim luhet mirësia, ose ligësia e veprimeve tona”, për të cilat na gjykon Hyji i Gjithpushtetshëm.
Megjithëse pohon se e vërteta e vetme është ajo, që na zbuloi Krishti, i cili ua besoi më pas apostujve, Kisha Katolike mëson se çdo njeri ka të drejtë të ndjekë fenë e vet, atë që ndërgjegjja e tij i thotë se është e vërtetë. I Lumi Gjon Pali II i pati kërkuar falje njerëzimit për çastet, në të cilat, gjatë historisë, Kisha nuk e ndoqi këtë parim dhe u përpoq t’u imponojë të tjerëve të vërtetën e saj.
Paradoksalisht, sot, Kisha më e persekutuar në botë është ajo katolike. Në shumë vende, si në Indi, Pakistan, Nigeri – për të përmendur vetëm disa shtete, ku perskutimi i të krishterëve ka arritur majat më të larta – katolikët jetojnë nën thundrën e dhunës e të masakrimeve, vriten për shkak të fesë. Nganjëherë, kjo ndodh nën hundën e autoriteteve lokale e të mediave. E megjithatë, feja në Krishtin vazhdon të dëshmohet, madje numri i të krishterëve rritet pikërisht aty, ku persekutimet janë më të mëdha. Si në fillimet e krishterimit, edhe sot, vlen shprehja e njohur e historianit latin Tertuliani: “sanguis martyrum semen christianorum” (gjaku i martirëve është fara e krishterimit).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama