HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-12 15:22:58
A+ A- Printo artikullin



Atë Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: roli i besimtarëve për kuptimin dhe transmetimin e fesë



Kemi arritur tek reflektimi X i ciklit tonë radiofonik, kushtuar Katekizmit të ri të Kishës Katolike, 20 vjet pas botimit. Sot jezuiti atë Dariush Kovalçik do të flasë për rolin e besimtarëve lidhur me kuptimin dhe transmetimin e të vërtetave të fesë, sipas mësimeve të Katekizmit.Detyra për interpretimin e Shkrimit Shenjt dhe të Traditës Kishtare i besohet Magjisterit të Kishës, domethënë ipeshkvijve, që janë në bashkim me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Magjisteri nuk vepron larg popullit të Hyjit, përkundrazi, është mjet i dëshiruar nga Zoti, për ta kuptuar më mirë veprimin e Shpirtit Shenjt në mbarë Kishën. Gjithsesi, fenë nuk e interpreton vetëm Magjisteri. Në numrin 91, Katekizmi pohon: “Të gjithë besimtarët marrin pjesë në misionin për kuptimin dhe transmetimin e së vërtetës së zbuluar. Kanë marrë vajimin e Shpirtit Shenjt, që u mëson çdo gjë…”. I gjithë populli besimtar (duke nisur nga ipeshkvijtë, deri tek besimtari më i fundmë) zotëron dhuratën, që e quajmë kuptim i mbinatyrshëm i fesë. Falë kësaj ndije të fesë, dhuratë e Shpirtit të së vërtetës, populli i Zotit jo vetëm që e kupton më thellë fenë, por edhe e zbaton më plotësisht në jetën e përditshme (cfr. KKK 93). Katekizmi kujton numrin e famshëm 8 të Kushteutës “Dei Verbum”, në të cilin lexohet se Kisha përparon në kuptimin e fesë e edhe në kundrimin e studimin e besimtarëve, që kanë përvojë të thellë të gjërave shpirtërore, Kështu Shpirti Shenjt u prin besimtarëve, natyrisht jo pa udhëheqjen e Magjisterit, drejt së vërtetës së plotë. Një shembull i zhvillimit të dijes së fesë në Popullin e Zotit, është e vërteta e Zënies pa Mëkat të Zojës së Bekuar, pohuar si dogmë feje në vitin 1854. Kuptimi më i thellë i misterit të zbuluar të Marisë, nuk do të ishte i mundur, pa përvojën e reflektimit të besimtarëve, domethënë, pa ndjenjat e tyre fetare. Secili nga ne, besimtarët, duhet ta ndjejë veten subjekt të kuptimit e të transmetimit të fesë, të zbuluar nga Jezusi.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama