HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-09-12 15:22:15
A+ A- Printo artikullin



Në Maalula të Sirisë, vdes një i ri “in odium fidei”



Ushtria qeveritare e Sirisë hyri sot në Maalula, fshati i krishterë, sulmuar gjatë ditëve të kaluara nga islamikët, të cilët pasi e morën në dorë, shkatërruan, dogjën e vranë. Për këtë arsye, ushtarët po ndihmohen edhe nga të rinj të krishterë, nën zjarrin e snajperëve, të vendosur nëpër çatitë e shtëpive. Përpjekja për të çliruar Maalulën, pasuri e UNESCO-s dhe vendi i vetëm në botë ku flitet gjuha aramaike, duket se po shkon drejt suksesit. Sipas lajmeve të fundit, vetëm në disa zona, rezistojnë akoma integralistët e brigadës al-Nusra, lidhur me Al Kaedën. Për të krishterët, Maalula është “tokë martirësh”. Falë një dëshmitareje, kontaktuar nga agjencia Fides, njihet në detaje fati i tre të krishterëve, të vrarë nga islamikët.
Sipas tregimit të saj, më 7 shtator, grupe të armatosura hynë në shtëpitë e shumë civilëve, duke shkatërruar e terrorizuar, duke hedhur poshtë të gjitha imazhet e shenjta e ikonat, që shihnin. Në njërën prej shtëpive banonin tre burra greko-katolikë, Mikhael Taalab, kushëriri i tij Antoun Taalab, nipi i tij Sarkis el Zakhm dhe vetë gruaja, që tregon ngjarjen, kushërirë e tyre. Islamikët i kërcënuan të gjithë, duke u thënë të ktheheshin në fenë islamike, përndryshe do t’i vrisnin. Sarkis u përgjigj qartë: “Jam i krishterë e nëse doni të më vrisni, sepse jam i krishterë, bëjeni”. Të riun e vranë me gjakftohtësi, së bashku me dy burrat e tjerë. Gruaja u plagos e sot ndodhet në spitalin e Damaskut. E konsideron mrekulli shpëtimin e saj nga kthetrat e integralistëve.
“Ai i të riut Sarkis është martirizim i vërtetë, vdekje ‘in odium fidei’”, deklaron për agjencinë Fides, një nga murgeshat, që ndihmojnë të shpërngulurit e Maalulës. Në meshën për shpirtin e tyre, kremtuar më 10 shtator në Damask, nga patriku melkit Gregorio III Laham, në praninë e ipeshkvijve të konfesioneve të tjetra të krishtera, pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. Sipas lajmeve, të gjithë rregulltarët e rregulltaret e fshatit janë gjallë. Murgeshat greko-ortodokse të manastirit të shën Teklës u rrethuan nga integralistët e mbetën të ngujuara për disa ditë, ndërsa grupet e armatosura i kërcënonin se do të hynin në manastir. Nga strukturat kishtare u hoqën kryqet e shumë shtëpi u plaçkitën.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama