HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-13 17:56:53
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit "C"



Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi, përmes tri shëmbëlltyrave , na propozon misterin e mëkatit e të dashurisë përdëllyese dhe të paparashikueshme të Hyjit. Kulmi i shëmbëlltyrës së deles së humbur është në ftesën për të marrë pjesë në gëzimin e faljes së Hyjit.
Hyji na do me një dashuri që tejkalon pabesnikëritë dhe mëkatet tona. Falja është tipar që e karakterizon Zotin, prandaj secili prej nesh është i thirrur të mësojë nga ai përqafim i paharrueshëm, me të cilin Zoti. Ati i mëshirshëm, e priti djalin plangprishës, djalin rebel e të pabindur, që në një farë mënyre e nga pak, jemi edhe ne të gjithë.

Leximet Biblike të kësaj së diele na flasin për përdëllimin e Hyjit. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga shën Luka, Jezusi na paraqet Hyjin plotë mëshirë e falje, na paraqet Hyjin të përzemërt. Mirëpo, fytyrën e Tij të mëshirshme e dallojnë, e kuptojnë dhe shijojnë vetëm ata njerëz që e kuptojnë, njohin dhe pranojnë dashurinë falas të Zotit, ata persona që lejojnë që hiri hyjnor të depërtojë në thellësi të shpirtit të tyre e t’ua mbushë zemrën, t’ua shndrisë mendjen, ata njerëz që e lejon hirin e Zotit të pasqyrohet në përcaktime, në zgjedhje dhe në sjellje të tyre të përditshme para tjerëve.
Populli i Izraelit (sikur do të dëgjojmë nga leximi i parë) u gjunjëzua para viçit punuar prej ari, duke e tradhtuar Zotin që e kishte liruar nga skllavëria e Egjiptit. Moisiu ndërmjetëson për njerëzit e vet pranë Hyjit, i cili në sajë të përdëllimit të tij hyjnor, e harron tradhtinë e popullit izraelit dhe fal.
Shën Pali ( siç na flet në leximin e dytë) është tejet i emocionuar dhe i prekur thellë nga gëzimi e mirënjohja për kthimin e vet tek Krishti e te Ungjilli. Ai falënderon Zotin e mëshirës që e fali dhe e ngarkoi të jetë apostull i tij ndër paganë.
Ungjilli i së dielës më tri shëmbëlltyra të njohura: atë të dielës së humbur, atë të drahmës së humbur dhe të djalit plangprishës apo të Atit të mëshirshëm, vënë në pah gëzimin e Zotit në falje e në pranimin e mëkatarëve të penduar në tryezën e vet. Të mendojmë mirë mbi vlerën e pallogaritshme që ka Eukaristia, banketi i bërë gati për djalin plangprishës por edhe për të gjithë ata që i afrohen Zotit me zemër të sinqertë e të penduar.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 32, 7-11.13-14

Kur një mëkatar i afrohet Hyjit në lutje, është e natyrshme që ai i kërkon falje dhe merr mëshirën e tij. Kjo lutje është pjesërisht egoiste, sepse kërkon të rimarrë një paqe dhe një pafajshmëri të humbur. Por, Moisiu në lutje thërret dhe provokon vetë Hyjin në emër të hyjnisë së Tij që është mëshira dhe bamirësia. Dhe Hyji e dëgjon.

Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë, Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë, e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!” Mandej Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull kokëfortë. Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros, e prej teje do të bëj një popull të madh.”
Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë? Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, pët të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë’.” Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet. Fjala e Zotit.

Psalmi 51

Na e jep, o Zot, gëzimin e faljes sate
----- ----- -----
Ki mëshirë për mua, o Hyj,
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.
----- ----- -----
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje
shpirtin tënd të shenjtë.
----- ----- -----
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar.
----- ----- -----

Leximi i dytë 1 Tim 1, 12-17

Falja e Hyjit është pafundme. Shën Pali e pohon, sepse e di se jeta e tij është një shembull i gjallë i kësaj faljeje: Ai ka qenë një ndër mëkatarët më të këqinj, e megjithatë Hyji e ka falur dhe e ka zgjedhur. Megjithë mëkatet tona, Hyji zbulon nëpërmjet nesh faljen dhe dashurinë e tij.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
E falënderoj Atë që më dha fuqi, Krishtin Jezus, Zotin tonë, pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus.
Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua më të parin Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur. Dhe Mbretit të shekujve, të pavdekshmit, të papashmit, një të vetmit Hyj i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen! Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Ne e njohëm e besuam në dashurinë që Zoti ka për ne.
Aleluja.

Ì Ungjilli Lk 15, 1-32

Të jetë i gjithëpushtetshëm dhe të pranojë që djali i vogël të largohet nga shtëpia, për ta mikëpritur krahëhapur kur kthehet; të lërë gjithçka dhe të shkojë të kërkojë delen e humbur; të jetë pronar i gjithçkaje dhe të bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet; kjo mënyrë hyjnore e të sjellurit quhet mëshirë.
Krishti është mishërimi i mëshirës së Hyjit dhe ka themeluar një popull të ri, ky popull i përbërë nga bij të humbur dhe pastaj të rigjetur. Edhe Kisha duhet të jetë shenjë e kësaj mëshirë hyjnore.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.”
Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? Kur e gjen, plot gëzim, e vë në krah, dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.
Ose cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”
Mandej vijoi: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Vëniani unazën në dorë e sandalet në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen.
Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu...........RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama