HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-13 16:58:57
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: “Përdorimi i dyfishtë i arsyes”!



Dy mënyrat e përdorimit të arsyes, në emisionin XXII të rubrikës “Te gurra e besimit” tema “Përdorimi i dyfishtë i arsyes”. Vërejmë se arsyeja mund të përdoret në dy mënyra. E dy janë edhe mënyrat, që të bëjnë të ditur ose të paditur, të madh, ose të vogël. Njëra nga mënyrat e përdorimit të arsyes, është ajo që synon pavarësinë e plotë, që vihet mbi Zotin në gjithë shtrirjen e shkencave, duke filluar nga ato natyrore, në të cilat metoda e përshtatshme për kërkimin e materies, universalizohet: për këtë metodë, Zoti nuk ekziston. E kështu, në fund të fundit, edhe në teologji: peshkohet në ujërat e Shkrimit Shenjt me një rrjetë, që mund të zërë vetëm peshq të njëfarë mase. E kur peshku e kalon këtë masë, nuk hyn më në rrjetë, prej këndej, nuk mund të ekzistojë.
Kështu misteri i madh i Jezusit, Birit të Hyjit që u bë njeri, rrëgjohet në Jezusin historik: në një figurë tragjike; fantazëm, pa mish e pa eshtra; njeri, që mbeti në varr, që vdiq e u kalb me të vërtetë. Metoda di t’i zërë ca lloj peshqish, por e përjashton misterin e madh, sepse njeriu bëhet vetë masë dhe ka mendjemadhësinë, njëkohësisht, edhe marrëzinë, të absolutizojë disa mënyra veprimi të papërshtatshme për realitetet e mëdha; hyn në atë frymë akademike, që e kemi parë tek skribët, të cilët iu përgjigjen Mbretërve Dijetarë me fjalët: “Nuk më përket mua, unë jam i mbyllur në jetën time, që nuk duhet çikur”. Jemi para specializimit i cili, duke i vërejtur të gjitha hollësirat, nuk arrin më të shikojë të tërën.
Por ka edhe një mënyrë tjetër për ta përdorur arsyen, për të qenë i ditur: është mënyra e njeriut, që e njeh vetveten, e di kush është, pranon masën e vet e madhështinë e Hyjit, duke hyrë, me përvujtëri, në risitë e veprimit të Zotit. Kështu, pikërisht duke pranuar vogëlsinë njerëzore, duke u bërë i vogël, siç është në të vërtetë, njeriu arrin tek e vërteta. Në këtë mënyrë edhe arsyeja arrin t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë e veta, nuk shuhet, përkundrazi, zgjerohet, bëhet gjithnjë më e madhe.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama