HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-16 11:39:47
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: “Progresi pa Zot”!



23. Rubrika “Te gurra e besimit”: “Progresi pa Zot”
Do të flasim për “Progresin pa Zot”, në emisionin XXIII të rubrikës “Te gurra e besimit”. Pohimi i parë në këtë emision: arsyeja është dhurata e madhe e Zotit e fitorja e arsyes mbi mosarsyen është edhe synim i fesë së krishterë. Po kur mund të themi se sundon me të vërtetë arsyeja? Kur shkëputet nga Hyji? Kur verbohet për Zotin? Arsyeja e mundësisë dhe e përvojës është tashmë arsye e plotë? Në se progresi, për të qenë progres ka nevojë për zhvillimin moral të njerëzimit, atëherë arsyeja e mundësisë dhe e përvojës duhet të integrohet gjithashtu, urgjentisht, duke i hapur arsyes horizonte të pafundme, që të mund t’i pranojë forcat shpëtimtare të fesë, për të dalluar të mirën nga e keqja. Vetëm kështu bëhet arsye vërtet njerëzore. Bëhet njerëzore vetëm në se është e aftë t’i tregojë udhën vullnetit; e aftë, vetëm në se shikon përtej vetvetes. Në rast të kundërt, gjendja e njeriut, në çekuilibrin ndërmjet aftësisë materiale e mungesës së gjykimit të zemrës, bëhet kërcënim për të e për krijesën. Kështu në temën e lirisë, duhet kujtuar se liria njerëzore kërkon përherë bashkëveprimin e lirive të ndryshme. Por ky bashkëveprim nuk mund të arrihet, nëse nuk përcaktohet nga një kriter themelor i përbashkët mase, që është bazë e cak i lirisë sonë. Po e themi tani në një mënyrë krejt të thjeshtë: Njeriu ka nevojë për Zotin, përndryshe mbetet fare pa shpresë. Duke parë zhvillimin e epokës moderne, pohimi i Shën Palit: “T’ju bjerë në mend se në atë kohë ishit pa Krishtin, të përjashtuar nga nënshtetësia e Izraelit, të huaj për Besëlidhjen e premtimin, të pashpresë e të pahyj në botë” (Ef 2,12), tingëllon shumë realist e plotësisht i vërtetë. Nuk ka dyshim, prandaj, se mbretëria e Zotit, e realizuar pa Zot–prej këndej, mbretëri vetëm e njeriut-përfundon pashmangshmërisht në “fundin e mbrapshtë” të të gjitha sendeve, përshkruar nga Kanti: e kemi parë e vijojmë ta shikojmë. Por nuk ka dyshim se Zoti hyn me të vërtetë në gjërat njerëzore, duam s’duam! Ai vjen të na takojë, na flet. Prej këndej arsyeja ka nevojë për fenë, për të qenë vërtetë vetvetja: arsyeja e feja kanë nevojë për njëra-tjetrën, që ta realizojnë natyrën e tyre e misionin e tyre.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama