HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-09-13 15:50:10
A+ A- Printo artikullin



Të rinjtë shqiptarë e feja



Të rinjtë janë e sotmja dhe e ardhmja e njerëzimit. S’ka dyshim se rinia përfaqëson thesarin më të çmuar për çdo popull, vend e bashkësi. Kisha katolike, nga ana saj, u kushton të rinjve një vëmendje tejet të veçantë, me të cilët punon, bashkëpunon e ndërton formimin e tyre njerëzor, shpirtëror e kulturor-shoqëror. Një ndër shenjat e vëmendjes e të dashurisë së Kishës katolike ndaj të rinjve, mes tjerash, është edhe Dita Botërore e Rinisë, që mbahet në vende të ndryshme të botës, kujtojmë sivjet, në korrikun e kaluar, u mbajt në Rio de Zhanjero të Brazilit. Tema kryesore që karakterizoi këtë takim botëror të rinisë qe një fjali marr nga Ungjilli i Mateut: “Shkoni e bëni nxënës apo dishepuj të ri të gjithë popujt!” (krh Mt 28,19). Po që të rinjtë e krishterë të arrijnë ta bëjnë këtë, duhet të besojnë, të jenë të fortë e të rrënjosur në fe, temë që ishte në qendër të takimit të mëparshëm botëror të rinisë, mbajtur në Madrid. (Të rrënjosur dhe të themeluar apo të mbështetur në Krishtit, të fortë në fe” (krih Kol, 2,,7) nga letra e shën Palit drejtuar Kolosianëve.
Pika qendrore, themeli i fesë së krishterë, këndej pik referimi i jetës dhe veprimit të besimtarit të krishterë është vetëm e vetëm Jezu Krishti, siç pohoi sot edhe Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës. Kjo ftesë është tejet aktuale. Po kalojmë një periudhë historike shumë të veçantë: përparimi teknik na ka ofruar e na ofron mundësi të panumërta ndërveprimi mes njerëzve dhe popujve, por globalizimi i këtyre marrëdhënieve do të jetë pozitiv e do të bëjë që bota të jetë më e njerëzishme vetëm nëse do të themelohet e mbështetet jo mbi materializmin, por mbi dashurinë, i vetmi realitet që është në gjendje ta mbushë zemrën e secilit dhe t’i bashkojë njerëzit. Hyji është dashuri. Njeriu që e harron Zotin është pa shpresë dhe e humb aftësinë për ta dashur të afërmin. Prandaj, është urgjente që ta dëshmojmë praninë e Hyjit derisa secili njeri të mund ta provojë këtë thesar të bukur: është në lojë shëlbimi i njerëzimit dhe shëlbimi i secilit prej nesh. Kushdo që e kupton këtë domosdoshmëri, nuk bën tjetër gjë veçse së bashku me shën Palit pohon «I mjeri unë nëse nuk e shpall Ungjillin!» (1 Kor9,16).
Po çfarë marrëdhënie kanë me fenë të rinjtë, posaçërisht të rinjtë shqiptarë, në realitetin e sotëm. A mos ndoshta duket se ka një largim të tyre nga besimi dhe pjesëmarrje në kremtimet e riteve fetare, apo vijon të ruhet tradita familjare për të trashëguar kulturën fetare?
Siç dihet, Shqipëria kaloi një periudhë të gjatë, gati gjysmëshekullore, larg besimit, dhe sigurisht që sistem komunist ateist la gjurmët e veta në ndërgjegjet e njerëzve. Gjithsesi, pas viteve ’90 me rënien e diktaturës e rifitimin e lirisë së fjalës, të lirisë fetare e të demokracisë, në Shqipëri vërehet një rritje e ndërgjegjësimit të popullsisë në raport me besimin dhe numri i të rinjve që praktikojnë mësimet e fesë e ritet fetare është në rritje. Nga ana tjetër, paralel me këtë, për shkak të tranzicionit dhe moskuptimit siç duhet, të lirisë, në një pjesë të rinisë, edhe veset e fenomenet negative kanë pasur një rritje. Prandaj mendojmë që takimet e të rinjve besimtarë në momente e në vende të ndryshme luajnë një rol pozitiv në formimin e të rinjve. Kisha, për vazhdimin e këtij misioni të ungjillëzimit, llogarit edhe në të rinjtë. Ata janë misionarët e parë në mesin e bashkëmoshatarëve të tyre! Në fund të Koncilit të dytë Ekumenik të Vatikanit, 50-vjetorin e të cilit e kremtojmë këtë vit, Shërbëtori i Hyjit, Papa Pali VI, u dorëzoi të rinjve dhe të rejave të mbarë botës një Mesazh që hapej me këto fjalë: “është pikërisht juve, të rinj e të reja të botës mbarë, që Koncili dëshiron t’jua drejtojë mesazhin e tij të fundit. Sepse jeni ju ata që do ta merrni pishtarin nga duart e etërve tuaj dhe do ta jetoni në botë në momentin e shndërrimeve më gjigande të historisë së saj. Jeni ju që, duke mbledhur më të mirën nga shembulli dhe nga mësimi i prindërve dhe mësuesve tuaj, do ta formoni shoqërinë e nesërme: ju do të shëlboheni ose do të birreni me të”. Dhe e mbyllte Papa me një thirrje: “Ndërtoni në entuziazëm një botë më të mirë se kjo e tanishmja!” (Porosia drejtuar të rinjve, 8 dhjetor 1965). Po t’i kthehemi bisedës së marrëdhënies që të rinjtë kanë me fenë, për çka flasim me priftin shqiptar dom Marjan Palokën....RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama