HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-16 14:03:41
A+ A- Printo artikullin



Dashuri për popullin e përvuajtëri, virtyte të nevojshme për kë qeveris: kështu Papa Françesku në Shtëpinë e Shën Martës



Përvuajtëria dhe dashuria janë karakteristika të domosdoshme për qeveritarët; qytetarët, sidomos nëse janë katolikë, nuk mund të mos tregojnë interes për politikën: veçuam vetëm dy ide nga homelia e meshës së mëngjesit, që Papa Françesku e kremtoi, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të luten për autoritetet.
Në Ungjillin e sotëm, centurioni i kërkon me përvuajtëri e besim Jezusit shërimin e shërbëtorit të vet, ndërsa në Letrën e Shën Palit drejtuar Timoteut gjejmë ftesën për t’u lutur për qeveritarët. Kjo i dha shkas Atit të Shenjtë të reflektojë për mënyrën e përdorimit të autoritetit, si shërbim. Ata, që qeverisin, pohoi Papa Françesku, duhet ta duan popullin e tyre, sepse nëse kjo nuk ndodh, një politikan mund të vendosë thjesht rregull e disiplinë, por jo të qeverisë. Ati i Shenjtë mori shembullin e Davidit Mbret, i cili e donte kaq shumë popullin e vet saqë, pas mëkatit të regjistrimit të popullsisë, i kërkoi Zotit ta dënonte atë e jo njerëzit e tij. Prandaj, tha Papa Bergolio, qeveritarët duhet të kenë këto dy virtyte: dashurinë për popullin dhe përvuajtërinë:
“Nuk mund të qeveriset një vend pa dashuri për popullin e pa përvuajtëri! Çdo burrë e çdo grua, që merr përsipër të shërbejë në qeveri, duhet t’i bëjë vetes këto dy pyetje: ‘A e dua popullin tim, për t’i shërbyer më mirë? A jam i përvuajtur, a i dëgjoj të tjerët, opinionet e ndryshme, për të zgjedhur rrugën më të mirë?’. Nëse nuk i bën vetes këto pyetje, qeverisja nuk do të jetë e mirë. Qeveritari, burrë a grua, që e do popullin e vet, është burrë o grua e përvuajtur”.
Nga ana tjetër, Shën Pali Apostull i këshillon të gjithë të luten për ata, që kanë pushtet, që të bëjnë jetë të qetë, në shërbim të popullit. Nga ana e tyre, qytetarët nuk mund të mos interesohen për politikën, theksoi Ati i Shenjtë:
“Askush nuk mund të thotë: ‘Unë nuk kam të bëj me këtë, qeverisin të tjerët…’. Jo, jo, unë jam përgjegjës për qeverisjen e tyre e duhet të bëj ç’është e mundur që të qeverisin mirë e duhet të bëj ç’kam në dorë, duke marrë pjesë në politikë, ashtu si mundem. Politika – thotë Doktrina Shoqërore e Kishës – është një nga format më të larta të bamirësisë, sepse është shërbim për të mirën e përbashkët. E unë nuk mund të laj duart, eh? Të gjithë duhet të bëjmë diçka!”
E kemi zakon, vazhdoi Papa Françesku, të flasim vetëm keq për qeveritarët e të vemë më dukje vetëm gjërat që s’shkojnë. I dëgjojmë lajmet në televizion, e s’bëjnë tjetër veçse dru e dru e dru; lexon gazetën, edhe aty dru… gjithnjë keq, gjithnjë kundër! Ndoshta, vazhdoi Ati i Shenjtë, qeveritari është mëkatar, ashtu siç ishte edhe Davidi mbret, por unë duhet të bashkëpunoj me të, me opinionin tim, me fjalë, me këshilla, sepse e mira është e përbashkët e të gjithë duhet të kontribuojmë për të. E katoliku i vërtetë përzihet në politikë, theksoi Papa:
“Katoliku i mirë përzihet në politikë, duke ofruar ç’ka më të mirë, që qeveritari të mund të qeverisë. Por cila është gjëja më e mirë, që ne mund t’u japim qeveritarëve? Lutjen! Ashtu thotë edhe Shën Pali Apostull: ‘Lutje për të gjithë njerëzit e për mbretin e për të gjithë ata, që janë në pushtet’. ‘Por, o Atë, filani është njeri i keq, duhet të shkojë në ferr…’. ‘Lutu për të, lutu që të qeverisë mirë, që ta dojë popullin e vet, që t’i shërbejë atij, që të jetë i përvuajtur!’ I krishteri, që nuk lutet për qeveritarët, nuk është i krishterë i mirë! ‘Por, o Atë, si të lutem për këtë? Ky është njeri që s’shkon…’. ‘Lutu që ta ndryshojë zemrën!’ Lutu! E nuk e them unë këtë, e thotë Shën Pali, është Fjala e Zotit”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama