HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-09-16 11:52:18
A+ A- Printo artikullin



Mëshira e Zotit e, jo drejtësia njerëzore, e shpëton botën: kështu Papa në Engjëllin e Tënzot



Është mëshira e Zotit e jo drejtësia njerëzore, ajo që e shpëton botën: kështu tha dje Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke folur para një mase besimtarësh, që kishin mbushur Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga shiu. Ati i Shenjtë kujtoi edhe të Lumin e ri argjentinas, priftin “gauço”(kauboj) Hosé Gabriel Broçero, që përhapi Ungjillin e Krishtit, mbi shpinë të mushkës e, së fundi, përshëndeti pjesëmarrësit e Javës Shoqërore të Katolikëve Italianë, mbledhur në Torino për të diskutuar mbi temën e familjes.
Në qendër të reflektimit të Papës, qe Ungjilli i ditës me tri shembëlltyrat e mëshirës: ajo e deles së humbur, ajo e monedhës së humbur dhe ajo e djalit plangprishës e të tjetrit, që mendon se është i drejtë e i shenjtë. Shembëlltyra, që flasin për gëzimin e Zotit, tha Ati i Shenjtë:
“Zoti gëzohet kur fal! Është gëzimi i bariut, që rigjen delen; gëzimi i gruas që gjen monedhën; është gëzimi i atit, i cili pret krahëhapur në shtëpi të birin, që e dinte të humbur, e dinte të vdekur e u kthye në jetë, u kthye në shtëpi. Këtu është krejt Ungjilli, i gjithë Ungjilli, i gjithë krishterimi! Por kujdes, nuk është ndjenjë e tipit ‘hajde të bëjmë mirë’! Përkundrazi, mëshira është forca e vërtetë, që mund ta shpëtojë njeriun dhe botën nga ‘gangrena’ e mëkatit, nga e keqja morale e shpirtërore. Vetëm dashuria e mbush boshllëkun, greminën negative, që e keqja hap në zemër e në histori. Vetëm dashuria mund ta bëjë këtë e ky është gëzimi i Zotit!”
Jezusi, shtoi Papa Françesku, është krejt mëshirë, është krejt dashuri: është Zoti i bërë njeri. E secili prej nesh është ajo delja e humbur, ajo monedha e humbur; secili prej nesh është ai bir, që e ka shpërdoruar lirinë e vet, duke ndjekur idhuj të rremë, mirazhe lumturie e kështu ka humbur gjithçka:
“Por Zoti nuk na harron, Ati i Gjithpushtetshëm nuk na braktis kurrë. Është Atë plot durim: na pret gjithnjë! E respekton lirinë tonë, por mbetet gjithnjë besnik. E kur kthehemi tek Ai, na pret si bij, në shtëpinë e Tij, sepse nuk rresht kurrë, as për një çast të vetëm, të na presë me dashuri. E zemra e Tij është në festë për çdo bir që kthehet. Është në festë, sepse Ai është gëzimi vetë! Zoti gëzohet kur edhe një i vetëm prej nesh, mëkatar, shkon tek Ai dhe i kërkon falje”.
Ka rrezik, paralajmëroi Ati i Shenjtë, që ne vetë të pretendojmë se jemi të drejtë, duke gjykuar kështu të tjerët. Por, në këtë mënyrë, gjykojmë edhe Zotin, sepse në vend që të falim, siç bën Ai, mendojmë se duhet t’i ndëshkojmë mëkatarët, t’i dënojmë me vdekje:
“Atëherë po, rrezikojmë të mbetemi jashtë shtëpisë së Atit! Ashtu si vëllai i madh i shembëlltyrës, i cili në vend që të ishte i gëzuar për kthimin e vëllait të vogël, zemërohet me të atin, sepse e pret me festë. Nëse nuk kemi mëshirë në zemër, nuk kemi gëzimin e faljes, nuk jemi të bashkuar me Zotin, edhe nëse i respektojmë të gjitha urdhërimet e Tij, sepse është dashuria që shpëton, e jo vetëm zbatimi i urdhërimeve. Është dashuria për Zotin dhe për të afërmin, që i plotëson të gjitha urdhërimet. E kjo është dashuria e Zotit, ky është gëzimi i Tij: të falë. Na pret gjithnjë, eh? Ndoshta, ndokush ka diçka, që i rëndon në zemër: ‘Kam bërë këtë, kam bërë atë’… Ai të pret! Ai është atë: gjithnjë na pret!”.
Nëse jetojmë sipas ligjit “sy për sy e dhëmb për dhëmb”, vazhdoi më tej Papa Françesku, nuk do të dalim kurrë nga spiralja e së keqes:
“Qoftëlargti është dinak e na mashtron, duke na bindur se me drejtësinë tonë njerëzore mund të shpëtojmë vetë e të shpëtojmë botën. Në të vërtetë, vetëm drejtësia e Zotit mund të na shpëtojë! E drejtësia e Zotit na u zbulua në Kryq: Kryqi është gjykimi i Zotit për të gjithë ne e për këtë botë. Por si na gjykon Hyji? Duke dhënë jetën për ne! Ja akti më i lartë i drejtësisë, që mposhti një herë e përgjithmonë Princin e kësaj bote; e ky akt suprem drejtësie është edhe akt suprem mëshire. Jezusi na bën thirrje të gjithëve për ta ndjekur udhën e Tij: ‘Të jeni të mëshirshëm, ashtu siç është i mëshirshëm Ati juaj, që është në Qiell” (Lk 6,36)”.
E duke folur pa letër, Papa Bergolio shtoi:
“Ju kërkoj diçka tani. Të gjithë në heshtje! Të reflektojmë, secili të mendojë për një person me të cilin nuk shkon mirë, me të cilin është zënë, të cilin nuk e do. Të mendojmë në heshtje për atë person, në këtë çast, të lutemi për këtë person e të tregohemi të mëshirshëm me të”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se në Argjentinë, u shpall i Lum, Hosé Gabriel Broçero, meshtar i dioqezës së Kordovës, që ka jetuar ndërmjet viteve 1800 e 1900. Prift shembullor, tha Ati i Shenjtë, që pa u lodhur, përshkoi shtigje të tëra të ashpra, mbi shpinën e një mushke, duke kërkuar, shtëpi më shtëpi, njerëzit e famullisë, që i ishin besuar, për t’u treguar atyre udhën drejt Zotit:
“I nxitur nga dashuria e Krishtit iu përkushtua krejtësisht grigjës së vet, për t’i çuar të gjithë në Mbretërinë e Zotit, me mëshirë e zell të pamasë për shpirtrat. Rrinte me njerëzit e përpiqej t’i tërhiqte shumë prej tyre në ushtrimet shpirtërore. Ecte me kilometra e kilometra, duke u ngjitur nëpër male, me mushkën që quhej ‘Fytyrëshëmtuara’, sepse s’ishte aspak e bukur… Shkonte edhe me shi, ishte i guximshëm… Por edhe ju, pavarësisht nga shiu, jeni këtu, jeni të guximshëm: ju lumtë,eh! Në fund, ky i lum u bë i verbër e i gërbulur, por ishte plot gëzim, gëzimi i Bariut të Mirë, gëzimi i Bariut të mëshirshëm!”
Papa iu lut Zotit të shtohet numri i meshtarëve, të cilët, duke imituar të Lumin e ri, t’ia kushtojnë jetën ungjillëzimit, të gjunjëzohen para Krishtit në Kryq e të japin kudo dëshminë e dashurisë e të mëshirës së Hyjit.
Duke përfunduar lutjen e Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë kujtoi mbylljen e Javës Shoqërore të Katolikëve Italianë, të cilët, sivjet, reflektuan mbi temën “Familja, shpresë dhe ardhmëri e shoqërisë italiane”:
“Përshëndes të gjithë pjesëmarrësit dhe ndjej gëzim për impenjimin e madh të Kishës në Itali me familjet e për familjet. Kjo është nxitje e madhe edhe për institucionet e për krejt vendin. Guxim! Përpara në udhën e familjes!”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama