HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-17 12:03:29
A+ A- Printo artikullin



Papa: Kisha është nënë e guximshme, që i çon bijtë në takimin me Jezusin



Kisha ka guximin e një gruaje, që mbron birin e saj për ta çuar në takimin me Dhëndrrin. Kështu nënvizoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë u nis nga takimi i Jezusit me vejushën e Naimit, për të folur mbi mënyrën e sjelljes së Kishës me të vejat.
Papa kujtoi se Jezusi pati mëshirë për gruan, e cila kishte mbetur edhe pa të birin. Ai e dinte ç’donte të thoshte, në atë kohë, të ishe vejushë, prandaj pati kujdes të veçantë për të. Kjo vejushë, tha Ati i Shenjtë, është ikonë e Kishës, pasi edhe Kisha, në një farë mënyre, është vejushë:
“Dhëndrri i saj ka shkuar e Ajo ecën në histori, duke shpresuar ta rigjejë, të takohet me Të. E ajo do të jetë nusja, në fund të fundit. Por, ndërkohë, Ajo – Kisha – është vetëm! Zoti nuk është i dukshëm, prandaj Kisha përmban në vetvete përmasën e vejushës… Kjo gjë më bën të mendoj. Kjo Kishë guximtare, që i mbron bijtë e vet, si vejusha që shkonte tek gjykatësi i korruptuar për të mbrojtur e në fund, fitoi. Kisha jonë Nënë është guximtare! Ka guximin e një gruaje, që e di se duhet t’i mbrojë bijtë e vet e t’i çojë në takimin me Dhëndrrin e saj”.
Papa u ndal në disa figura vejushash në Bibël. Në veçanti, përmendi vejushën guximtare makabe me shtatë fëmijë, që martirizohen për të mos e mohuar Zotin. Bibla, nënvizoi Ati i Shenjtë, thotë se kjo grua u fliste bijve në dialekt. E, shtoi, edhe Kisha jonë Nënë na flet në dialekt, me gjuhën e ortodoksisë së vërtetë, që e kuptojmë të gjithë, me gjuhën e katekizmit, që na jep forcën të ecim përpara në luftën kundër së keqes:
“Kjo përmasë e vejanisë në Kishë, e cila ecën në histori, duke shpresuar të takojë e të rigjejë Dhëndrrin e vet… Kështu është Kisha jonë Nënë! Është Kishë, që kur mbetet besnike, di të derdhë edhe lot. Kur nuk e bën këtë, ka diçka që s’shkon. Derdh lot për bijtë e vet e lutet! Kishë që ecën e i rrit të bijtë, u jep forcë dhe i shoqëron deri në ditën e fundit, për t’i lënë në duart e Dhëndrrit të vet, të cilin, edhe Ajo, do ta takojë në fund. Kjo është Kisha jonë Nënë! Unë e shoh tek kjo vejushë, që qan. E çfarë i thotë Zoti Kishës? ‘Mos qaj. Unë jam me ty, të shoqëroj, të pres atje, në dasmë, në dasmën e fundit, në dasmën e Qingjit të Hyjit. Ndalu, ky biri yt qe i vdekur e tani jeton!’”
E ky, vazhdoi Papa, është dialogu i Zotit me Kishën. Ajo i mbron të bijtë, por kush i sheh të vdekur, derdh lot e Zoti e ngushëllon, duke i thënë: “Unë jam me ty e biri yt është me mua”. Ashtu siç i tha të riut të Naimit të çohej nga shtrati i vdekjes, ashtu Jezusi na thotë edhe ne të ngrihemi në këmbë, kur ndihemi të vdekur, për shkak të mëkatit, e të shkojmë për të kërkuar falje. Kur na fal, theksoi Ati i Shenjtë, Jezusi na jep sërish jetën, na kthen tek nëna:
“Pajtimi ynë me Zotin nuk mbaron me dialogun ‘Unë, ti dhe prifti, që më jep faljen’; mbaron kur Ai na kthen tek nëna. Nuk ka udhë jete, nuk ka falje, nuk ka pajtim jashtë Kishës Nënë. E kështu, duke medituar për vejushën e Ungjillit të sotëm, më vijnë ndërmend këto gjëra, pak si pa rend e rregull… Por shoh në këtë vejushë, ikonën e vejanisë së Kishës, në udhë për të gjetur Dhëndrrin e vet. Dua t’i lutem Zotit për hirin që të kemi gjithnjë besim në këtë ‘nënë’, që na mbron, na mëson, na rrit e na flet në dialekt, në gjuhën e nënës”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama