HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-17 12:03:40
A+ A- Printo artikullin



Papa Benedikti XVI, Shën Robert Belarmini na mëson se nuk mund të ketë reformë në Kishë, pa reformën vetjake e pa kthesën e zemrës.



Figura e shën Robert Belarminit, kardinal jezuit e dijetar i Kishës, ishte në qendër të katekizmit të Papës Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të datës 23 shkurt 2011, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan.
Bari shpirtrash, prijës i madh, e model i njeriut që lutet: këto, sipas Benediktit XVI, ishin tiparet themelore të Shën Robert Belarminit i cili, me shkrimet e tij të teologjisë e të përshpirtërisë, luajti një rol të dorës së parë në Kishën e pas Koncilit të Trentit, për t’iu përgjigjur Reformës protestante, lindur nga kriza e thellë fetare:
Ai i shmanget toneve polemike e agresive kundër ideve të Reformës, por, duke përdorur argumentet e arsyes e të traditës së Kishës, e shpjegon qartë e me sukses doktrinën katolike”.
Anëtar i një numri të madh kongregatash, Kardinali jezuit kreu edhe detyra të rëndësishme diplomatike. E megjithatë, barra e rëndë e drejtimit të Kishës, nuk e pengoi të ecte ditë për ditë në rrugën e shenjtërisë. E në sa ecte në këtë rrugë, i kushtoi vëmendje të veçantë predikimit e katekizmit:
Predikimet dhe katekizmat e tij kanë karakterin thelbësor, që ai e përvetësoi nga edukimi injacian. Synojnë përqendrimin e të gjitha forcave të shpirtit tek Zoti Jezus, për ta njohur thellë, për ta dashur, për t’i përngjarë”.
Në shkrimet e tij – vijoi Papa Benedikti XVI– thekson me forcë se mësimet e Zotit duhet të zënë vendin e parë në jetën e çdo njeriu. Prej këndej, vend të parë duhet të ketë edhe lutja. E ai jo vetëm që e predikoi këtë, por edhe e jetoi. U bë model i shkëlqyer i njeriut gjithnjë në lutje: një lutje, që ushqehet me Fjalën e Zotit, që e dëgjon këtë Fjalë; model i njeriut, që nuk pyet për interesat vetjake, por e lëshon me gëzim gjithë vetveten në dorë të Zotit:
“Shenjë dalluese e përshpirtërisë së Belarminit është perceptimi i gjallë personal i mirësisë së pambaruar të Zotit. Prej këndej, Shenjti ynë ndjehej vërtet bir i dashur prej Tij. E ishte burim i një gëzimi të madh çasti kur, me qetësi e thjeshtësi, gjunjëzohej për t’u lutur e për të kundruar Zotin”.
I formuar me përshpirtërinë injaciane – shtoi Benedikti XVI – Belarmini na lë trashëgim, si normë të sigurt për të jetuar mirë e, sidomos, për të bërë një vdekje të mirë, meditimin e shpeshtë e serioz mbi çastin e fundit, çastin kur njeriu do të japë llogari para Zotit për të gjitha veprat e veta. Nga i cili nuk mund të shpëtojë askush. Prej këndej, edhe porosinë të mos përpiqemi për të mbledhur pasuri mbi këtë tokë, por të jetojmë thjeshtë, me zemrën plot dashuri të krishterë, sepse vetëm kështu njeriu mund të grumbullojë pasuri për qiell, ku hajduti nuk hyn dot e tenja nuk mund të brejë. Dijetari i Kishës i bën thirrje të fuqishme klerit e besimtarëve për reformimin e jetës:
“Belarmini na mëson me qartësi të madhe e me shembullin e vetë jetës së tij se nuk mund të flitet për reformë të vërtetë në Kishë, në se kësaj reforme nuk i paraprin reforma personale, kthimi i zemrës sonë në rrugën e Zotit”.
Ngjarjet e favorshme a të pafavorshme, pasuritë a varfërinë – tha Papa Jozef Ratcinger duke i bërë jehonë njërit nga shkrimet e jezuitit - njeriu i urtë nuk i kërkon e nuk i pranon duke pasur parasysh vetëm vetveten. Të gjitha ngjarjet, të këndshme a të pakëndshme, që na pëlqejnë a na trondisin, janë të mira e të dëshirueshme vetëm në se vihen në shërbim të lavdisë së Zotit:
“Nuk janë fjalë të dala nga moda, por për t’u medituar gjatë e për të orientuar rrugën tonë mbi këtë tokë. Na kujtojnë se fundi i jetës sonë është Zoti, Hyji që u dëftua në Jezu Krishtin, në të cilin vijon të na bëjë thirrje e të na premtojë bashkimin me Të”.
Këto fjalë - shtoi Benedikti XVI - na kujtojnë sa rëndësi ka t’ia besojmë vetveten Zotit, të shkrijmë gjithë jetën në shërbim të Ungjillit, ta ndriçojmë me fe e lutje çdo rrethanë e çdo veprim të jetës sonë, gjithnjë të prirur drejt bashkimit me Të.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama