HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-19 13:34:56
A+ A- Printo artikullin



Më 19 shtator kalendari përkujton shën Gjenarin, ipeshkëv



Ndërmjet shenjtorëve të lashtësisë, Shën Gjenari, ipeshkëv e martir, është nga më të nderuarit prej besimtarëve, e kryesisht prej napoletanëve. Kulti i Shenjtit, që arriti deri në ditët tona i shoqëruar nga mrekullia misterioze e shkrirjes së gjakut, është i përhapur kryesisht në krahinën italiane të Kampanies e në të gjithë Italinë Jugore.
Emri Gjenar vjen nga latinishtja ‘Ianuarius’, që rrjedh nga ‘Ianus’, hyjnia e lashtë, që ruante çelësat e qiellit, fillimet e vitit e kalimin e portave të shtëpive. Gjenar, pra, do të thotë ‘i kushtuar hyjit Ianus’.
Shtatë janë “aktet” që flasin për martirizimin e Gjenarit. Ndër to, vendin e parë e zënë “Aktet bolonjeze” dhe “Aktet vatikanase”. Nga këto dokumente mësojmë se Gjenari mund të ketë lindur në Napoli aty nga gjysma e shekullit III e se qe ipeshkëv i Beneventit, ku zhvilloi apostullimin e tij, i dashur dhe i nderuar nga e gjithë bashkësia e krishterë, madje edhe nga paganët, për shkak të kulturës së tij të thellë e të gjithanshme si dhe për bamirësinë, pa kurrfarë dallimi.
Ishte periudha e parë e perandorisë së Dioklecianit (243-313), kur nuk kishte nisur ende martirizimi e prandaj të krishterët gëzonin lirinë e kultit. Por kur ipeshkvi bamirës u plak, shpërtheu persekutimi. Burgjet nisën të mbusheshin me të krishterë, që shumë shpejt u dukën edhe në arenat e cirqeve.
Ipeshkvi u kap në sa vizitonte e u jepte zemër besimtarëve të tij ndër pranga, në prag të martirizimit. Deshën të organizonin me të një shfaqje cirku, duke e vënë përballë arinjve të uritur. Por duke pasur frikë nga revolta e mundshme e popullit, që e nderonte, ndërruan mendim dhe vendosën t’i presin kokën.
U martirizua në Pocuoli pranë Napolit, qytet ku nderohet në mënyrë të veçantë e ku ruhen reliket e tij. Një grua me emrin Euzebia, siç ishte zakon në këto kohë të errëta për të krishterët, ia doli mbanë ta mblidhte një pjesë të gjakut të ipeshkvit martir në dy lotore e ta ruante me nderim të madh.
Është ky gjak që çdo vit, në të kremten e Shenjtit, shkrihet, duke i prekur thellë ndjenjat fetare të besimtarëve napoletanë e, në përgjithësi të të gjithë besimtarëve, që shikojnë në këtë shkrirje, një mrekulli të përvitshme të Shën Gjenarit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama