HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-18 11:04:27
A+ A- Printo artikullin



Me 18 shtator kalendari kujton shën Jozefin nga Kopertino



Me 18 shtator kalendari Kishtar përkujton Shën Jozefin nga Kopertino
Jozef Maria Deza, i biri i Feliçe Dezës e i Françeskinës, lindi më 17 qershor 1603, në Kopertino të Leqes, në një stallë, ku i jati merrej me punimin e qerreve. Varfëria e jashtëzakonshme e familjes dhe shëndeti i lig nuk e lejuan të ndiqte rregullisht shkollën. E kështu kur, gati 18-vjeç, shprehu dëshirën të bëhej françeskan, shumë kuvende ku trokiti, nuk e pranuan, duke e gjykuar njeri me kulturë të mangët, tepër naiv e injorant e sidomos, të çuditshëm, për shkak të disa fenomeneve, në të cilat ishte protagonist.
Jozefi nga Kopertino njihej për ekstazat e papritura, që e bënin të shkëputej nga toka. Mundi të hynte në kuvendin e konventualëve të Grotelës, vetëm falë ndërhyrjes këmbëngulëse të dajës së tij. Kur do të jepte provimet, për të cilat ishte fare i papërgatitur, ipeshkvi dëgjoi dy-tre kandidatë të përgatitur shkëlqyeshëm dhe vendosi t’i pranojë të gjithë mbarë.
Ishte data 4 mars 1628. Jozefi u shugurua meshtar për vullnet të Zotit. Por kjo nuk e shpëtoi nga nofka ‘Vëlla Gomari’ që ia ngjitën menjëherë sivëllezërit në kuvend, ashtu si nuk e pengoi aspak të hynte, me ndikimin e drejtpërdrejtë të Shpirtit Shenjt, në misteret më të thella të fesë së krishterë.
Një profesor i Universitetit françeskan të Shën Bonaventurës në Romë, tha për të: “E kam dëgjuar të flasë për misteret e teologjisë aq thellë, sa nuk mund ta bënte as më i miri teolog i botës”.
Një teologu të madh françeskan të kohës, që e pyeti si mund të pajtohen studimet e thella me thjeshtësinë françeskane, iu përgjigj:
Kur dëshiron të studiosh ose të shkruash, përsërit:
“O Zot, ti je Shpirti,
e unë jam boria.
Por po s’i fryve Ti,
s’dëgjohet melodia!”.
Iu desh të kalonte nga kuvendi në kuvend, madje të delte edhe para gjykatësve të Zyrës Shenjte, të cilët patën rastin ta shikonin me sytë e tyre në ekstazë e të bindeshin për shenjtërinë e tij. Më në fund u vendos në kuvendin e Etërve Kapuçinë të Ozimos, ku jetoi shtatë vjet, deri në vdekje, duke vijuar të provonte çaste ekstaze, të ngrihej nga toka e të bënte mrekulli.
Vdiq më 18 shtator 1663 në moshën 60 vjeçare; u lumturua më 24 shkurt 1753 nga papa Benedikti XIV, ndërsa shenjt u shpall më 16 korrik 1767, nga Papa Klementi XIII. Pushon në paqe në kishën që i kushtohet, në Ozimo. Festa e tij liturgjike kremtohet më 18 shtator.
Ekstazat e Shën Jozefit, që e bënin të shkëputej nga toka, na flasin simbolikisht edhe ne, njerëzve të kohëve moderne: besimtarët shikojnë tek ai, Shenjtin që i ndihmon të fluturojnë lart, në qiellin e shenjtërisë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama