HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-18 15:11:00
A+ A- Printo artikullin



Publikohet programi i vizitës së Papës në Asizi: ditë e karakterizuar nga bamirësia dhe nga përshpirtëria françeskane



Papa shtegtar në Umbria, në gjurmët e Shën Françeskut, Pajtorit të Italisë. Këto ditë, Selia e Shenjtë paraqiti programin e vizitës së Papës Françesku në Asizi, më 4 tetor. Ditë intensive, ajo e Atit të Shenjtë në festën e Pajtorit të Italisë, frymëzim për papninë e Horhe Mario Bergolios.
Papa mbërrin me helikopter në orën 7.45 në fushën sportive të Institutit Serafik, qendër e njohur bamirëse, që mbledh të rinjtë me të meta e probleme fizike të rënda nga e gjithë Italia. Ati i Shenjtë do të takohet me ta e pastaj do të shkojë në vendin e parë françeskan, në kishën e Shën Damianit, ku shën Françesku dëgjoi zërin e Jezusit në Kryq dhe e ndryshoi krejtësisht jetën. Më pas, një takim domethënës e pa precedent: Papa do të shkojë në dhomën e “zhveshjes”, siç quhet dhoma e selisë kryeipeshkvnore, që kujton gjestin e zhveshjes së Françeskut para të atit, Pietro i Bernardonit. Këtu Ati i Shenjtë do të takohet me të varfër, që ndihmohen nga Karitasi, para se të hyjë në kishën e Zojës së Madhe, ngjitur me kryeipeshkvinë.
Në orën 11.00, mesha në sheshin para Bazilikës së Shën Françeskut, pas nderimit të relikeve të shenjtit brenda saj. Në përfundim të kremtimit, do të ndizet llampa kushtimore, e cila mbahet gjithnjë e ndezur nga vaji i dhuruar, me radhë, nga njëri prej rajoneve të Italisë. Kësaj here, vajin e dhuron Umbria. Papa do të shkojë më pas për drekë në një qendër të Karitasit, pranë stacionit hekurudhor të Zojës së Engjëjve.
Pasdite, rreth orës 14.30, vizita private e Atit të Shenjtë në Eremitazhin e Burgjeve, vend ku shën Françesku i Asizit dhe ndjekësit e tij luteshin e meditonin. Më pas, në katedralen e Shën Rufinit, Papa do të takohet me përfaqësi nga e gjithë dioqeza, e cila po mban sinodin pikërisht në këtë periudhë. Pastaj, vizita private tek klariset në Bazilikën e Shën Kiarës. Në orën 17.30, pas lutjes në kishën e Porciunkolës, zemër e përshpirtërisë françeskane, Papa Bergolio përqafon të rinjtë në sheshin para Bazilikës së Zojës së Engjëjve e para se të kthehet në Romë, do të kalojë në Shenjtëroren e Rivotortos, ku do të vizitojë koliben e Shën Françeskut. Kthimi në Vatikan parashikohet për në orën 20.00.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama