HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-09-18 11:52:54
A+ A- Printo artikullin



Thirrje e re e Papës: tragjedia në Siri mund të zgjidhet vetëm me dialog, duke respektuar drejtësinë



Papa Françesku e ngriti sot sërish zërin për paqen në botë, në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, para 80 mijë besimtarëve. Më 21 shtator, kujtoi Ati i Shenjtë, si çdo vit, Kombet e Bashkuara kremtojnë Ditën Ndërkombëtare për Paqen e Këshilli Ekumenik i Kishave u ka kërkuar të gjithë anëtarëve të vet të luten për paqen, sidomos atë ditë. Duke i bërë jehonë kësaj kërkese, edhe vetë Papa tha:
“I ftoj katolikët e gjithë botës të bashkohen me të krishterët e tjerë për të vazhduar t’i përgjërohemi Zotit për dhuratën e paqes në vendet më të trazuara të planetit. Paqja, dhuratë e Jezusit, banoftë gjithnjë në zemrat tona e ndihmoftë qëllimet e veprimet e përgjegjësve të kombeve e të të gjithë njerëzve vullnetmirë”.
Ati i Shenjtë bëri thirrje për inkurajimin e përpjekjeve, që synojnë zgjidhje diplomatike e politike për shuarjen e vatrave të luftës, të cilat akoma shqetësojnë njerëzimin:
“Mendimi im shkon veçanërisht tek popullsia e dashur siriane, tragjedia njerëzore e së cilës mund të zgjidhet vetëm me dialog e bisedime, duke respektuar drejtësinë dhe dinjitetin e secilit, sidomos të më të brishtëve e më të pambrojturve”.
Gjendjen e vështirë në Lindjen e Mesme, Papa Françesku e përmendi edhe në përshëndetjen për besimtarët e gjuhës arabe, duke u folur veçanërisht ipeshkvijve të Kishës latine të Tokës Shenjte, të Sirisë, Jordanisë, Irakut, Libanit e vendeve të Gjirit Persik, që sot ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, pasi këto ditë po zhvillojnë konferencën e tyre ipeshkvnore në Romë:
“Ashtu si nëna di të kërkojë e të trokasë në çdo derë për bijtë e vet, pa bërë llogari, por me dashuri, ashtu edhe Kisha: përmes lutjes, ajo i lë në dorë të Zotit të gjitha situatat e bijve të vet. Besojmë gjithnjë në forcën e lutjes së saj, sepse Zoti nuk është i pandjeshëm ndaj thirrjeve të Kishës së Vet!”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama