HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-19 13:59:48
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: Deklarata konciliare “Nostra Aetate”



Në emisionin e sotëm, të dashur dëgjues, do t’ju flasim për Deklaratën e Koncilit II të Vatikanit “Nostra Aetate”. Në këtë dokument, Kisha Katolike reflekton për marrëdhëniet e saj me fetë jo të krishtera.
Ishte shtatori i vitit 1960, kur Papa Gjoni XXIII, në audiencën me kardinalin Agostino Bea i besonte Sekretariatit për bashkimin e të krishterëve, detyrën që të përgatiste një deklaratë për marrëdhëniet e Kishës Katolike me popullin hebraik. Vetë Ati i Shenjtë, as që e imagjinonte se pas kësaj dite e pas peripecive të shumta, do të arrihej në deklaratën për qëndrimin e Kishës ndaj feve jo të krishtera. Në dhjetor 1962, Papa, duke iu përgjigjur një mendimi, që i pati dërguar me letër Kryetari i Sekretariatit për bashkimin e të krishterëve, shkruante: “Pasi lexuam me vëmendje raportin e kardinalit Bea, bashkëndajmë plotësisht me të rëndësinë dhe përgjegjësinë e interesimit tonë” (23 dhjetor 1962). Koncili II i Vatikanit e miratoi këtë deklaratë me mëse 96% të votave pro.
Konsolidimi i paqes dhe i vëllazërimit ndërmjet gjithë besimtarëve është bazë e qëndrueshme për arritjen e paqes globale. Për këtë arsye, Deklarata vë në dukje gjithçka e ndihmon dialogun vëllazëror dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë në gjirin e familjes njerëzore. Nuk është ndonjë studim krahasues i feve të mëdha, por përcakton marrëdhëniet e fesë së krishterë me fetë e tjera. U prit me simpati të madhe, sidomos nga të krishterët e ndarë nga Selia Apostolike, duke dëshmuar sa shumë prisnin të krishterët që një zë të ngrihej për të kumtuar mesazhin e paqes e të vëllazërimit, mesazh i krishterimit për botën.
Deklarata “Nostra Aetate” iu përgjigj kësaj dëshire të zjarrtë, duke shtjelluar pesë tema të mëdha:

    Së pari, theksoi se njerëzit kanë një zanafillë e një fund të vetëm, të përbashkët. Ata presin nga fetë përgjigje për problemet më të rëndësishme të jetës, të vdekjes e të fatit të tyre të fundëm.
  • Së dyti, dokumenti vuri në dukje se Kisha Katolike i respekton fetë e tjera. Duke i qëndruar besnike predikimit të Krishtit, ajo i këshillon besimtarët e vet, që përmes dialogut e bashkëpunimit, të punojnë me ndjekësit e feve të tjera për mbrotjen e vlerave të përbashkëta.

  • Së treti, u nënvizua se Kisha i vlerëson myslimanët, besimi i të cilëve ka pika takimi me traditën hebraiko-kristiane, dhe i nxit anëtarët e saj t’i lënë pas armiqësitë e kaluara e të promovojnë së bashku drejtësinë e paqen.

  • Së katërti, Kisha Katolike vuri në dukje se fillimet e fesë së saj gjenden në fisin e Abrahamit, kujtoi se e ka marrë Besëlidhjen e Vjetër nga ai popull, me të cilin Zoti lidhi aleancën e lashtë, nga ai popull, prej të cilit vijnë Krishti, shën Maria e Apostujt. Megjithëse pjesa më e madhe e hebrenjve nuk e pranon Ungjillin, ata mbeten, pohon Deklarata konciliare, të dashur për Zotin e Kisha pret bashkë me ta ditën, në të cilën të gjithë popujt do të lëvdojnë Hyjin. Duke pasur parasysh lidhjen e veçantë ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve, Koncili II i Vatikanit këshillon që marrëdhëniet të bazohen në mirëkuptim e vlerësim të ndërsjelltë. Vdekja e Krishtit, përmed një problem të vjetër Deklarata “Nostra Aetate”, nuk mund t’u atribuohet të gjithë hebrenjve që jetonin në atë kohë e as hebrenjve të kohës sonë. Hebrenjtë nuk duhen paraqitur si të pabesë, gati sikur kjo të dilte nga Shkrimi i Shenjtë. Kisha dënon ashpër çdo shfaqje të antisemitizmit. Krishti, pohohet në Deklaratë, vdiq për shkak të mëkateve të njerëzve e Kryqi i Tij duhet predikuar si shenjë dashurie universale.

  • Së pesti, nuk zemë më gojë emrin e Tënzot, nëse nuk sillemi si vëllezër me të gjithë njerëzit. Me Deklaratën “Nostra Atetate”, Kisha Katolike mohoi solemnisht çdo bazë për teoritë diskriminuese dhe dënoi çdo persekutim, apo ndarje për arsye të racës, të ngjyrës së lëkurës, të gjendjes shoqërore, ose të fesë dhe i këshilloi të krishterët të jetojnë në paqe, për të qenë vërtet bijtë e Atit, që është në Qiell.


Deklarata “Nostra Aetate” u miratua me 2221 vota pro, 88 kundër e 1 votë të pavlefshme, më 28 tetor 1965.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama