HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-09-22 13:14:28
A+ A- Printo artikullin



Vizita e Papës Françesku në Kaliari të Sardenjës. Intervista jonë me dy meshtarë të vendit



Sot, Papa Françesku shkoi për një vizitë baritore në Kaliari të Sardenjës. Është hera e dytë, që Ati i Shenjtë shtegton brenda Italisë. Kujtojmë se hera e parë, qe vizita në mesin e emigrantëve, zbarkuar në ishullin e Lampeduzës, vizitë historike, që akoma mbahet mend e përkujtohet, si për gjestet, ashtu edhe për fjalët e Papës.
Edhe sot, dita qe e pasur me takime, me fytyra, me gjeste, me vështrime, siç e ka bërë zakon tashmë Ati i Shenjtë. Që në fillim, Papa deshi të dëgjonte botën e punës e vështirësitë ekonomike, që hasin punëtorët e afaristët, por edhe sindikalistët, në Sardenjë. Të dëgjojmë për këtë, drejtorin e Karitasit të Kaliarit, don Marko Lai:
Ne, në Sardenjë, vuajmë faktin se jemi një ishull e shi për këtë, kemi probleme të rënda ekonomike. Varfëria sulmon e pushton edhe familjet. Papa dëgjoi zërat e të papunëve, vështirësitë e atyre, që duhet të paguajnë taksat edhe kur nuk kanë fitime të mjaftueshme, problemet e barinjve, të firmave individuale… Këtu, në Sardenjë, 93% e ekonomisë bazohet në ndërmarrjet individuale dhe familjare. Si Kishë, mendojmë edhe për mëse 15 mijë sardët, që jetojnë në Buenos Ajres. Ipeshkvijtë kanë promovuar dy nisma. E para do të realizohet në Buenos Ajres e është një qendër për mikpritjen e njerëzve me të meta fizike, që nuk kanë shtëpi. Nisma tjetër është ngritja në Kaliari e një qendre për të varfërit, e cila do të mbajë emrin e Papës Françesku.
Pas takimit me botën e punës, Ati i Shenjtë shkoi në shenjtëroren e Zojës së Bonarisë, ku fillimisht përshëndeti të sëmurët e pastaj, kremtoi meshën. Në orën 15.00, në katedralen e qytetit u takua me të varfërit e me të burgosurit. E para se të përqafonte të rinjtë, në orën 17, në sheshin “Carlo Felice”, ku ata e përshëndetën me entuziazmin e zakonshëm të moshës, Papa Françesku pati një çast dialogu me botën e kulturës, me studentët e profesorët e universiteteve shtetërore e katolike të Sardenjës. Drejtori i Fakultetit Papnor të Teologjisë, atë Mauricio Teani, jezuit, qe një nga intelektualët, që përshëndeti Atin e Shenjtë. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Fakulteti ynë teologjik, së bashku me institutet e shkencave fetare, që lidhen me të, përpiqet të ecë në dy drejtime: nga njëra anë, të favorizojë formimin serioz në nivelin teologjik, t’i nxisë të thellohen në fe jo vetëm ata, që përgatiten për meshtarë, por edhe të gjithë bashkësinë kishtare sarde. Nga ana tjetër, përpiqet të favorizojë konfrontimin me kulturën laike, për të dëshmuar sa fryte mund të japë Ungjilli edhe jashtë bashkësisë kishtare. Fakulteti i Teologjisë është themeluar në vitin 1927 e menjëherë, iu besua Shoqërisë së Jezusit. Fakulteti ka vepruar gjithnjë në fushën e kulturës, por jo vetëm për kulturën “e lartë” – universiteti i Sasarit, për shembull, është themeluar nga jezuitët – por edhe për formimin e njerëzve të thjeshtë. Shoqëria e Jezusit ka ngritur shumë kolegje anembanë ishullit e misionet popullore, sidomos në të kaluarën, kishin si qëllim transmetimin e përvojës e të formimit të krishterë në njerëz me pak mjete në nivelin kulturor e intelektual.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama