HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-26 13:30:10
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: Deklarata konciliare “Gravissimum Educationis”



Të dashur dëgjues, mbërrijmë sot në emisionin tonë të 200-të, por edhe të fundit, përsa u përket dokumenteve të Koncilit II të Vatikanit. Sot do t’ju flasim për Deklaratën konciliare “Gravissimum Educationis”, e cila ka të bëjë me edukimin e krishterë.
Argumenti i trajtuar në këtë dokument qe një nga më të vështirët e më të ndërlikuarit, pasi ndihej fuqishëm urgjenca që Kisha të thoshte fjalën e vet për mënyrën e edukimit në rajone të ndryshme të botës. U miratua më 28 tetor 1965 me 2290 vota pro e 35 kundër. Por le të përqendrohemi në vijat kryesore, që karakterizojnë këtë Deklaratë.
Së pari, përmasa universale e edukimit, pasi ka të bëjë me gjithë njerëzimin e me të gjitha shoqëritë. Dy të tretat e të rinjve të botës nuk kanë mundësi të arsimohen, vërehet në dokument. E natyrisht, Kisha, në impenjimin e saj për të gjithë, duhet të mbajë parasysh faktin se ndër ata që shkojnë në shkollë, vetëm një përqindje e vogël frekuenton shkollat katolike. Në Deklaratën “Gravissimum Educationis” theksohet se Kisha kujdeset për të gjithë, sepse Jezu Krishti vdiq dhe u ngjall për të gjithë, prandaj ajo ndjen se ua ka borxh të gjithëve kumtimin e Lajmit të Mirë të Ungjillit.
Koncili II i Vatikanit e pa problemin e edukimit me realizëm, duke analizuar ndryshimet në shoqëri, në teknikë e në shkencë, duke marrë parasysh pluralizmin e strukturave, të shoqatave, të prirjeve e të opinioneve mbi arsimin dhe edukimin. Në Deklaratë përmenden të gjitha aktet e dokumentet, që kanë të bëjnë me arsimin dhe me të drejtat themelore të njeriut, por edhe të gjitha ato, që flasin për përvoja të reja e për përmirësimin e metodave edukative. Në Koncil është e pranishme krejt gama e shkollave dhe e institucioneve edukative, ndarë sipas moshës, qëllimit, profesionalitetit, sipas kërkesave të të rriturve, të personave me të meta fizike etj.. Në Deklaratën “Gravissimum Educationis” u jepet rëndësi e veçantë shkollave të mesme dhe universiteteve, jo vetëm për përgatitjen e meshtarëve e të rregulltarëve, por edhe për një formim më të mirë intelektual të laikëve.
Kisha Katolike është mëse e vetëdijshme për misionin e saj në fushën e edukimit, siç theksohet në hyrjen e Deklaratës, prandaj pohon disa parime të pakundërshtueshme, si e drejta e çdo njeriu të marrë edukatën që do e që i përshtatet mendësisë dhe traditave të vendit të vet, pa harruar bashkëjetesën paqësore me popujt e tjerë. Gjithashtu, pohon të drejtën e detyrën e shoqërisë të ndërhyjë në edukimin e fëmijëve, aty ku familja ka mangësi, gjithnjë duke respektuar lirinë për zgjedhjen e shkollës.
Kisha nënvizon se është e drejtë dhe detyrë e saj të themelojë shkolla dhe institucione edukative katolike, mision, që rrjedh, jo thjesht nga aftësitë e saj për t’u dhënë mësim të tjerëve, por nga misioni hyjnor e funksioni amnor për formimin e bijve të vet sipas shembullit të jetës së Krishtit, ndjekja e të Cilit është qëllim jete i çdo të krishteri. Kjo është arsyeja e ngritjes së shkollave katolike të çdo niveli, të cilat i mbajnë gjithmonë hapur dyert për çdo njeri, katolik ose jo, që ka për zemër të mirën e shoqërisë dhe ndërtimin e një bote më humane.
Në Deklaratën “Gravissimum Educationis” përvijohet apostullimi i shkollës, duke nënvizuar jo vetëm impenjimin katolik brenda shkollave katolike, por edhe jashtë tyre, në institucionet publike. Koncili flet për “Baritorinë e Edukimit”, e cila duhet shtrirë edhe në shkollat e universitetet publike. Qëllimi i Kishës Katolike nuk është të pohojë ndonjë supremaci në krahasim me autoritetet publike, por të japë një shërbim, i cili, ndërsa përpiqet ta shndërrojë botën e ta bëjë atë më të mirë, mundohet të inkuadrojë vlerat e natyrshme të secilit në botëkuptimin katolik, që pohon me forcë se çdo njeri është shëlbuar nga Krishti. Sipas Koncilit, që në Deklaratën “Gravissimum Educationis” i jep detyrë një komisioni të mëvonshëm për hartimin e detajeve, ky lloj edukimi do t’u japë njerëzve mundësinë të kontribuojë më mirë në ndërtimin e shoqërisë së tyre, duke e shtyrë, pavarësisht nga feja, drejt një ideali gjithnjë e më të lartë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama