HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-27 19:02:26
A+ A- Printo artikullin



“Lista e Bergolios”: historitë e atyre që shpëtuan nga diktatura ushtarake në Argjentinë



Në tetor, mbërrin nëpër librari “Lista e Bergolios”, libër i publikuar nga Shtëpia Botuese “Emi” e shkruar nga gazetari i së përditshmes kishtare italiane “Avvenire”, Nelo Skavo. Kemi të bëjmë me një punë kolosale kërkimore, gjatë së cilës, gazetari italian ka konsultuar dokumenta e ka dëgjuar dëshmitë e atyre, që u shpëtuan nga persekutimi pikërisht për hir të Papës Françesku, atëherë epror provincial i jezuitëve të Argjentinës. Kujtojmë se diktatura ushtarake në këtë vend filloi më 1976 e në vite, zhduku rreth 30 mijë vetë. Kur u zgjodh Papa Françesku, ndokush e akuzoi se e ka ndihmuar një farë soj diktaturën, por vetë njerëzit e përmendur si dëshmitarë për sjelljen e Atit të Shenjtë kundërshtuan fuqishëm këtë tezë. Ne ftuam për sqarime të mëtejshme autorin e librit, Nelo Skavo:RealAudioMP3
Imazhi i Bergolios, që del nga libri, është ai i një njeriu të aftë, që lëviz me kujdes, por edhe me dinakërinë e një agjenti 007, i cili i kishte vënë vetes si detyrë të mbronte jetën e dhjetra njerëzve të persekutuar nga junta ushtarake. Është njeri, që veproi duke rrezikuar jetën dhe reputacionin e vet.
Sa vetë shpëtoi atëherë atë Bergolio nga rreziku për të përfunduar në mesin e “desaparecidos”?
Është e vështirë të bëhen vlerësime të sakta, sidomos sepse atë Bergolio nuk ka dashur kurrë të flasë për këtë. Ne kemi mbledhur rreth njëzet dëshmi, në periudha të ndryshme, të njerëzve, që nuk njihen me njëri-tjetrin e që e kanë njohur Horhe Mario Bergolion në epoka të ndryshme. Secili prej tyre tregon për të paktën njëzet raste të tjera shpëtimi. Duke folur me kursim, mund të themi se personat e shpëtuar nga atë Bergolio janë mëse njëqind. Pastaj, kemi ata, që u shpëtuan - të themi – jo “drejtpërdrejt”, sepse duke shmangur arrestimin e torturat kundër këtyre të rinjve, u shmang edhe rreziku që ata të thoshin emra të tjerë gjatë procesit hetimor mjaft të dhunshëm të diktaturës.
Nga rindërtimi i fakteve, që ju paraqisni në libër, del se atë Bergolio krijoi një rrjet klandestin, qendra e së cilës ishte Kolegji Maksimo në San Migel, në zonën metropolitane të Buenos Ajresit. Aty i fshihte njerëzit?
Ai pati organizuar një rrjet klandestin për shpëtimin e personave. Ndoshta, askush nuk do ta pranojë këtë, sidomos vetë Bergolio, i cili shfrytëzonte ndikimin e vet, miqësitë, njohjet, për të kërkuar favore: dikush merrej me dokumentet për të ikur jashtë shtetit, dikush jepte lajme për arrestimet e për sekuestrimet… Jemi të sigurtë se ai fshihte studentët në Kolegjin Maksimo të Shën Mikelit dhe e bënte këtë pa u treguar sivëllezërve jezuitë, duke u thënë se ishin të rinj, që akoma nuk e kishin të qartë nëse do të bëheshin meshtarë, ose se ishin seminaristë në ushtrime shpirtërore. Në të vërtetë, gjatë qëndrimit në Shën Mikel, Bergolio studionte planin për t’i larguar njerëzit e në fakt, shumë prej tyre tregojnë se arritën të ikin fshehurazi, për shembull, në Brazil, ku një rrjet, gjithnjë jezuitësh, u mundësonte të shkonin në Evropë.
Nga dëshmitë del edhe se atë Bergolio u impenjua personalisht për lirimin e dy jezuitëve të rrëmbyer: Jorio e Jaliç…
Kjo del qartë nga hetimet, nga dëshmitë e nga aktet gjyqësore, që kemi konsultuar. Atë Bergolio u interesua me rrezik koke. Për shembull, dimë për një takim ballë për ballë, ndërmjet atë Bergolios dhe admiralit Masera, kreut të Marinës, njeri i tmerrshëm. Në atë kohë, Bergolio ia kërkoi ashpërsisht lirimin e dy meshtarëve. Njëri prej tyre, atë Jaliç, ka bërë hetime për llogari të vet, sepse në fillim, pati dyshuar se vetë Bergolio ishte i përfshirë në arrestimin e tij. Por pas hetimeve, arriti në përfundimin se absolutisht eprori i tij nuk kishte faj e madje, u interesua, duke rrezikuar jetën dhe reputacionin, për ta shpëtuar. Kaq është e vërtetë, sa Urdhëri i Jezuitëve është i vetmi, që nuk ka pasur të vdekur gjatë diktaturës argjentinase.
Cila është historia, që ju ka bërë më shumë përshtypje?
Janë ta gjitha prekëse. Natyrisht, të bën përshtypje fakti se në orbitën shpëtimprurëse të atë Bergolios përfunduan besimtarë e jo besimtarë, të rinj e të moshuar: që nga Gonzalo Moska, i cili sot është sindikalist uruguajan i njohur e deri tek Serxho e Ana Gobelin, që u martuan nga Bergolio. Më vonë, Serxho u arrestua dhe u torturua nga diktatura për tri javë, por atë Bergolio arriti ta lirojë dhe e shtroi fshehtas në një spital të Buenos Ajresit. Pastaj, arriti t’i nisë të dy për në Itali, ku jetojnë edhe sot. Historia e tyre është shumë e veçantë, pasi vë në dukje se fryma e re e Koncilit II të Vatikanit, i pati nxitur këta të rinj nga familje e mirë, të jetojnë ndërmjet të varfërve të Buenos Ajresit e madje, ata na treguan se edhe një herë, pa u thënë gjë sivëllezërve të vet, atë Bergolio mbante ushtrime shpirtërore në një barakë llamarine pa dysheme, në mesin e të varfërve.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama