HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-09-30 17:10:31
A+ A- Printo artikullin



“Evropa ndërmjet laicitetit e laicizmit” – Mbledhja e ipeshkvinjve evropianë në Bratislavë



Duhet parë së në ç’mënyrë “besimi fetar dhe Hyji janë realitete të mirënjohura, të respektuara dhe vepruese në kushtetutën, në sistemin juridik dhe në shoqërinë e kontinentit evropian”. Ky është argumenti mbi të cilin do të flasin kryetarët e konferencave ipeshkvnore evropiane më 3-6 tetor, me rastin e asamblesë së përgjithshme, që ka si temë “Hyji dhe shteti. Evropa midis laicitetit e laicizmit”. Kisha, thotë Imz. Duarte da Cunha, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (KKIE), dëshiron të mirën e njeriut. Dëshiron çfarë është e mirë për zhvillimin e tij të përgjithshëm dhe atë të shoqërisë në të cilën jeton. Nuk do të lodhemi kurrë së thëni këtë gjë”. Në Bratislavë ipeshkvinjtë do të njihen me përfundimet e një hetimi të bërë pranë Konferencave Ipeshkvnore, që ka shqyrtuar çfarë lloj laiciteti zbatohet në rrafshe të ndryshme të shoqërisë në Evropë (mësimdhënia, jeta administrative, politikat shëndetësore, jeta politike). “Shndërrimet rrënjësore socio-ekonomike-kulturore në zhvillim, - shpjegon në një komunikatë sekretari i përgjithshëm i KKIE-së, duket sikur po “minojnë çfarëdolloj reference etiko-morale të sjelljes njerëzore dhe të shoqërive tona. Duket sikur po zëvendësojnë besimin fetar me laicizmin, që për disa është bërë besimi fetar i shtetit që mendon se është modern e demokratik”. Ipeshkvinjtë evropianë duan të ritheksojnë se “një shtet dhe një shoqëri që nuk dinë të hapen ndaj absolutes, gremisen detyrimisht në individualizmin praktik, ku dëshira e secilit bëhet normë edhe në dëm të interesit të të tjerëve dhe të bashkësisë. Njeriu, përkundër, mbart brenda vetes dëshirën për Absoluten”. Prej këndej vjen parashtrimi për të vënë në jetë një “laicitet të shëndoshë” ose “laicitet pozitiv” që – shpjegon Imz. Da Cunha – “nuk ka frikë për Hyjin dhe, për këtë arsye, duke mbajtur në këmbë parimin e ndarjes ndërmjet shtetit dhe institucioneve fetare, garanton praninë e besimeve fetare në sferën publike. Në këtë kuptim besimi fetar e Hyji nuk janë një pengesë, por një ndihmë për të mbërritur të mirën e secilit dhe të bashkësisë”. Në Bratislavë, kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës do të diskutojnë edhe për sfida të tjera shoqërore dhe shpirtërore të Evropës së sotme: ungjillëzimi në një botë shekullare; kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes dhe punimet e Bashkimit Evropian e të Këshillit të Evropës. Të premten më 4 tetor, në orën 12.30, Kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës do të priten nga Presidenti i Republikës së Sllovakisë Ivan Gasparoviç.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama