HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-01 15:54:05
A+ A- Printo artikullin



“Hylli i Dritës” në 100-vjetorin e botimit



Si sot, më 1 tetor 1913 botohej në Shqipëri “Hylli i Dritës”, revistë e françeskanëve. “Hylli i Dritës” është revista e parë e botuar në Shqipëri, me një program krejtësisht atdhetar, politik e kulturor - shprehje e intelektualëve katolikë dhe e Provincës Françeskane në Shqipëri, me në krye drejtorin e saj, atë Gjergj Fishtën. Në numrin e parë, atë Fishta përvijon me pak fjalë programin e revistës:
"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsè âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8).
Siç shkruan historiani Willy Kamsi në studimin e tij “Hylli i Dritës”, revista e zhvilloi veprimtarinë në tri periudha. E para, në vitet 1913-14 deri në qershorin e 1924-ës, karkaterizohet nga përballimi i argumenteve për formimin qytetar e atdhetar të shqiptarëve, frymëzuar nga parime të krishtera. Kujtojmë se vendi dilte nga pesë shekujsh sundimi otoman e Kisha Katolike e ndjente për detyrë të kontribuonte në nxitjen e shqiptarëve për organizimin e shtetit. U mbyll nga Fuqitë e asaj kohe, të cilat nuk ishin dakord me tonin polemik të “Hyllit”, që punonte për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.
Periudha e dytë shkon nga viti 1921 deri më 1924, kur demokracia nxorri kryet edhe në truallin shqiptar. Argumentet e trajtuara kanë të bëjnë me fusha të ndryshme, gjithnjë duke vënë në dukje rilindjen shpirtërore të individit e tiparet e shqiptarit ideal. Pas rënies së qeverisë së Fan Nolit, “Hylli i Dritës” e pezulloi sërish botimin, pasi kishte mbajtur anën e demokracisë.
Në periudhën e tretë (1930-1944) “Hylli i Dritës” u përhap në të gjithë shoqërinë, duke e imponuar mendimin katolik në të gjitha nivelet e rretheve shkencore e kulturore. Ndër bashkëpunëtorët e tij radhiten emra me famë, si prof. Norbert Jokl, Georg Shtadtmyler e të tjerë. Qëndrimi i prerë i etërve françeskanë kundër një ideologjie, që e kthente në asgjë personalitetin njerëzor, bëri që komunistët ta mbyllnin sapo erdhën në pushtet e t’i përshkonin në teh të shpatës së marksizmit të gjithë bashkëpunëtorët e “Hyllit të Dritës”.
Rivista rilindi sërish në vitin 1993, nën drejtimin e françeskanit të mbijetuar e të paharruar, atë Zef Pllumi, e ndërpreu punën në vitin 1997, me trazirat në Shqipëri, por e rinisi në vitin 2006, pesë herë e ringjallur.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama