HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-01 16:16:52
A+ A- Printo artikullin



Intervista me Papa Françeskun



Sot fillojmë leximin e intervistës së Papa Françeskut, dhënë drejtorit të revistës Civiltà Cattolica Atë Antonio Spadari. Përmes kësaj bisede njihemi me personalitetin e Françeskut, me rrënjët e tij shpirtërore, me shijet e tij artistike, me modelet e jetës së krishterë e baritore, me qasjen ndaj Kishës dhe ndaj kuries romake, me idetë rreth Koncilit II të Vatikanit, dhe me vështrimin mbi njeriun e mbi Hyjin.
Pjesa e parë


Ditë e hënë, 19 gusht. Papa Françesku më ka caktuar një takim në orën 10.00 në Shtëpinë e Shën Martës. Unë, megjithatë, trashëgoj nga im atë ngutin për të mbërritur gjithmonë para kohe. Njerëzit që më presin më ulin në një sallë të vogël. Pritja nuk është e gjatë dhe, pas pak minutash më shoqërojnë tek ashensori. Gjatë dy minutave kam pasur kohë për të kujtuar momentin kur, në Lisbonë, në një mbledhje të drejtorëve të revistave të Shoqërisë së Jezusit, ishte parashtruar dëshira për të botuar të gjithë së bashku një intervistë me Papën. Kisha diskutuar me drejtorët e tjerë, duke hamendësuar disa pyetje që mund t’u interesonin të gjithëve. Dal nga ashensori e shoh Papën, që po më priste tek dera. Në të vërtetë, kam pasur përshtypjen e këndshme se nuk kam përshkuar asnjë derë.
Hyj në dhomë e Papa më ul në një poltronë. Ai vetë ulet në një karrige më të lartë e të fortë për shkak të problemeve me kurrizin. Mjedisi është i thjeshtë, i përkorë. Sipërfaqja e tavolinës së punës është e vogël. Më bie në sy përkormëria jo vetëm e pajisjeve, por edhe e vetë gjërave. Ka pak libra, pak letra, pak sende. Mes të tjerash, një ikonë e Shën Françeskut, një shtatore e Zojës së Lujanit, Pajtores së Argjentinës, një kryq dhe një shtatore e Shën Jozefit të fjetur, shumë e ngjashme me atë që kisha parë në dhomën e tij kur kishte qenë rektor i Colegio Maximo-s, në San Miguel. Përshpirtëria e Bergoglio-s nuk është e përbërë nga “energji të harmonizuara”, siç do t’i quante ai, por nga fytyra njerëzore: Krishti, Shën Françesku, Shën Jozefi, Maria.
Papa më pret me buzëqeshjen që tashmë e njeh mbarë bota dhe që hap zemrat. Fillojmë të flasim për shumë gjëra, por mbi të gjitha për udhëtimin e tij në Brazil. Për papën ka qenë një hir i vërtetë. E pyes a ka pushuar. Më thotë se po, se është mirë, por se mbi të gjitha Dita Botërore e Rinisë ka qenë për të një “mister”. Më thotë se nuk është mësuar të flasë para as shumë njerëzve: “Unë arrij t’i shoh personat një nga një, të krijoj një lidhje personale me kë kam përballë. Nuk jam i mësuar me masat”. I them se është e vërtetë, se vihet re dhe se kjo u bën përshtypje të gjithëve. Shihet se si, kur Papa gjendet mes njerëzve, vështrimi i tij ndalet tek individët. Pastaj telekamerat projektojnë pamjet dhe të gjithë mund t’i shohin, por në këtë mënyrë ai mund të jetë i lirë të qëndrojë në kontakt të drejtpërdrejtë, të paktën me sy, me kë ka përballë. Më duket se kjo gjë i pëlqen, pra i pëlqen se mund të jetë ai që është, që nuk i nevojitet ta tjetërsojë mënyrën e të komunikuarit me të tjerët, edhe kur ka përballë miliona njerëz, siç është rasti i Copacabana-s.
Para se të ndez mikrofonin, flasim edhe për gjëra të tjera. Duke komentuar një botim timin, më thotë se dy mendimtarët bashkëkohorë francezë që ka për zemër janë Henry de Lubac dhe Michel de Certeau. Unë i rrëfej ndonjë gjë më personale. Edhe ai më flet për veten e, veçanërisht, për zgjedhjen e tij si Papë. Më tregon se, kur ka filluar ta vërë re se rrezikonte të zgjidhej, ditën e mërkurë, më 13 mars gjatë drekës, ka ndjerë tek zbriste mbi të një paqe e brendshme, e thellë dhe e pashpjegueshme, si edhe një ngushëllim i brendshëm bashkë me një errësirë të plotë, me një terratisje të thellë që mbulonte gjithçka tjetër. Këto ndjenja e kanë shoqëruar deri tek zgjedhja.
Do të kisha vijuar të flisja kaq familjarisht edhe për shumë kohë, por marr fletët me disa nga pyetjet që kisha shënuar dhe ndez inçizuesin. Para së gjithash e falënderoj në emër të të gjithë drejtorëve të revistave të jezuitëve që do të botojnë këtë intervistë.
Pak para audiencës në të cilën kishte pritur jezuitët e revistës Civiltà Cattolica më 14 qershorin e shkuar, Papa më kishte folur për vështirësinë e madhe që ka për të dhënë intervista. Më kishte thënë se parapëlqen më shumë të mendojë sesa të japë përgjigje të menjëhershme nëpër intervista të ngutura. Ka përshtypjen se përgjigjet e duhura i vijnë pasi ka dhënë përgjigjen e parë: “nuk më është dukur se isha unë kur, gjatë fluturimit të kthimit nga Rio de Janeiro, u jam përgjigjur gazetarëve që më bënin pyetje”, më thotë. Është e vërtetë, në atë intervistë Papa ka pasur lirinë të ndërpresë disa herë mendimin që po thoshte duke iu përgjigjur një pyetjeje, për të shtuar diçka rreth pyetjes së mëparshme. Të folurit me papa Françeskun, ç’është e vërteta, është si një shpërthim vullkanik idesh që thuren mes tyre. Deri edhe marrja e disa shënimeve më jep ndjesinë e pakëndshme të ndërprerjes së një bisede burimore. Është e qartë se Papa Françesku është më i mësuar me bashkëbisedime sesa me kumtesa.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama