HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-01 12:04:50
A+ A- Printo artikullin



Papa në meshën e mëngjesit me kardinajtë këshilltarë: puna jonë të na bëjë më të përvuajtur për të dhënë një dëshmi të bukur të Kishës



Papa Françesku e kremtoi meshën e mëngjesit së bashku me prelatët e “Këshillit të kardinajve”, të cilët, që sot, mblidhen në Vatikan me Atin e Shenjtë, deri më 3 tetor. Në homeli, Papa uroi që këto takime të shërbejnë për t’ua shtuar të gjithëve besimin tek Zoti.
Në Ungjillin e sotëm, Jezusi i kritikon dy apostujt, të cilët donin t’u binte zjarri hyjnor mbi kokë, atyre, që nuk i mirëprisnin. Rruga e të krishterit, komentoi Horhe Mario Bergolio, nuk është ajo e hakmarrjes, por e butësisë, e përvuajtërisë, e mirësisë. Forcën, që na çon drejt udhës së drejtë, e gjejmë në dashurinë, në bamirësinë, në vetëdijen se jemi në dorën e Hyjit. Kur e ndjejmë këtë, nënvizoi Papa Françesku, nuk na vjen të hedhim zjarr e flakë nga qielli. E duke përmendur shembullin e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, tha:
“Na vjen fryma tjetër, shpirti i bamirësisë, që vuan, që fal gjithçka, që nuk mburret, që është i përvuajtur… Ndokush – e ka pasur disa filozofë, që e mendonin këtë – mund të thotë se kështu përulet njeriu, vihet në diskutim madhështia e tij. Nuk është e vërtetë! Me të drejtë, Kisha e ka bërë këtë shenjte të përvuajtur, të vogël, plot besim në Zotin, të butë, e ka bërë Pajtore të Misioneve”.
Forca e Ungjillit, shtoi Ati i Shenjtë, është pikërisht në përvuajtërinë, që ashtu si fëmija na bën ta lëmë vetveten në dorë të dashurisë e të ëmbëlsisë së Atit Qiellor:
“Kisha – na thoshte Benedikti XVI – nuk rritet për shkak të prozelitizmit, rritet për hir të joshjes nga mesazhi i saj, për hir të dëshmisë. E kur njerëzit e popujt e shohin dëshminë e përvuajtërisë, të butësisë, të shpirtmadhësisë, ndjejnë atë nevojë, që e përshkruan Zakaria profet: “Duam të vimë me ju!”. Njerëzit e ndjejnë atë nevojë vetëm para dëshmisë së dashurisë, të dashurisë së butë, pa prepotencë, të përvuajtur e jo mendjemadhe! Adhurim e shërbim!”
Ja përse një murgeshë shumë e përvuajtur, por me besim të madh në Zotin, siç ishte shën Tereza e Krishtit Fëmijë, u zgjodh Pajtore e Misioneve nga Kisha, pasi shembulli i saj i bën njerëzit të thonë: “Duam të vijmë me ju!”. Papa Françesku e përfundoi predikimin e tij me një mendim të veçantë për “Këshillin e kardinjave”, që u mblodh sot në Vatikan së bashku me të, për këshillime lidhur me çështjet e qeverisjes së Kishës:
“Sot, këtu, në Vatikan, fillon mbledhja me kardinajtë këshilltarë, që po bashkëkremtojnë me mua meshën. T’i lutemi Zotit që puna e sotme të na bëjë më të përvuajtur, më të butë, më të durueshëm, me besim më të madh në Zotin, sepse kështu, Kisha mund të japë një dëshmi të bukur për njerëzit, të cilët, duke parë Popullin e Zotit, duke parë Kishën, mund të ndjejnë dëshirën për t’u bashkuar me ne!”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama