HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-10-02 16:27:17
A+ A- Printo artikullin



Përkujtimi i Engjëjve të Rojes



Engjëjt e Rojës janë ndërmjetësues, mbrojtës e lajmëtarë. Papa Françesku i ka kujtuar sot, gjatë audiencës së përgjithshme, dhe ka uruar që prania e tyre të përforcojë tek të gjithë sigurinë se Hyji e shoqëron njeriun në rrugën e jetës.
Mbi natyrën e Egjëjve të Rojes folëm me studiuesin e angjeologjisë dhe demonologjisë Lorenzo Lavatori, që na tha:

Engjëjt e Rojës janë qenie shpirtërore, lajmëtarë të Hyjit, për të cilët flet Besëlidhja e Vjetër, Besëlidhja e Re dhe tërë tradita e Kishës. Ata ndihmojnë çdo njeri, që nga fillimi i ekzistencës e deri në fund, përfshirë momentin e fundmë, kur vjen vdekja e nisemi drejt Mbretërisë së Qiejve. Janë mbrojtësit tanë, ngushëlluesit, ndriçuesit, udhëheqësit, që na shoqërojnë me përkushtim të madh, me dashuri e bujari. Janë me të vërtetë miqtë tanë më të mirë.

Si duhet të veprojnë njerëzit për ta bërë sa më të frytshme këtë miqësi?

Engjëjt nuk mund ta dhunojnë lirinë njerëzore. Liria e zgjedhjes, një mundësi që na ka dhënë Hyji, është vetëm nënë zotërimin tonë. As Hyji nuk mund të na detyrojë të bëjmë gjëra të caktuara. Për këtë arsye, prania e engjëllit është shumë delikate, e ëmbël, e këndshme, por edhe e qëndrueshme. Megjithatë, kërkon që ne të jemi të hapur ndaj vlerave që na parashtrojnë e që janë e mira, e vërteta, ndershmëria, mirësia, dashuria. Siç e dimë, këto janë vlerat ungjillore dhe janë lumturia jonë e vërtetë mbi tokë. Këtë shërbesë engjëjt e bëjnë me shumë delikatesë, prandaj duhet, së pari, një ndjeshmëri e brendshme dhe, së dyti, lutja. Kemi një formulë tradicionale të vogël, por shumë të bukur: “Engjëlli i Hyjit, që je rojtari im…”, që duhet thënë pa frikë edhe kur gjendemi në vështirësi fizike, psikike apo shpirtërore. Kur gjendemi përballë vështirësive, edhe ekonomike, në të gjitha rrafshet, edhe në gjërat e vogla të çdo dite, mund ta kërkojmë këtë prani dhe kjo lutje e shkurtër ndez një farë lidhjeje me ta, që na e bën të mundur të jemi më të mbrojtur e të gëzojmë ndihmën e Engjëllit të Rojes. Gjëja e tretë, pastaj, është qetësia, sepse shpirti flet në qetësi. Nëse krijesa njerëzore jeton gjithnjë në zhurmërimë, në rrëmujën e madhe, pa momente përqendrimi e qetësie, me zor e ndjen praninë e tyre e mbetet jashtë kësaj rryme të dashurisë e të hirit që ata na japin e ndikojnë. Ata nuk bëjnë asgjë me nismën e tyre. Na përçojnë neve çfarë urdhëron Hyji e çfarë na bën mirë neve, por burimi parësor i shpëtimit është përherë Hyji, në Krishtin, me anë të Shpirtit të Shenjtë. Ata janë ndërmjetësues, mjete të dorës së dytë, por të nevojshëm që hiri i Hyjit të mbërrijë tek ne e të mbartë fryte.

Janë ndërmjetësues e lajmëtarë, siç e thotë edhe vetë emri. Si mund t’i njohim lajmërimet e tyre?

Këtu duhet vërtetë pak aftësi përzgjedhëse, siç kanë thënë gjithmonë drejtuesit shpirtërorë në traditën e Kishës. Përzgjedhja është kjo: nëse shtysa për të bërë një gjë, në vend të një gjëje tjetër, na sjell qetësi dhe paqe të brendshme, është e qartë se vjen prej shpirtit të mirë. Nëse kjo shtysë sjell ankth, shqetësim, trazim, atëherë nuk vjen nga shpirti i mirë, por nga shpirti i keq, sepse Engjëlli rojtar është gjithmonë pranë nesh – nuk ka pranë nesh një “engjëll të keq” – por edhe djalli përpiqet të na tundojë, të na joshë, të na nxjerrë jashtë rrugës që tregojnë engjëjt.

Tërë jeta e kishës përfiton nga kjo ndihmë e mistershme dhe e fuqishme e Engjëjve…

Me Engjëll të Rojes kuptojmë engjëllin personal të çdonjërit, që është i papërsëritshëm. Engjëlli im i Rojes është i përshtatur me personalitetin tim, me ndjesitë e mia, me strukturën time personale. Ky është Engjëlli i Rojes. Në traditën e Kishës ka edhe një Engjëll që mbron kombet, si Engjëlli i Portugalisë që është shfaqur në Fatima. Pastaj ka engjëj që ruajnë bashkësitë e krishtera, si famullitë e dioqezat: në librin e Zbulesës flitet për shtatë engjëjt që ruajnë shtatë kishat. Pra, edhe bashkësitë e krishtera kanë engjëllin e tyre. Kështu edhe Kisha e Përbotshme, kisha katolike ka engjëllin e vet mbrojtës. Në këtë kuptim, kujdestaria e engjëjve zgjerohet nga individët tek bashkësia dhe në veçanti drejt kishave dioqezane vendore, siç thotë Vatikani II, që gjenden të bashkuara nën një bari të vetëm, që është ipeshkvi i Romës. Gjithë ky kompleks, që është organizmi jetësor i Kishës, trupi i tij mistik, është i shoqëruar nga Engjëjt Rojtarë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama