HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-10-02 15:34:57
A+ A- Printo artikullin



Papa në audiencën e përgjithshme: “A jemi Kishë, që i pret krahëhapur mëkatarët dhe u jep atyre guxim e shpresë?”



Kisha është e shenjtë jo për meritën e vet, por sepse e bën të shenjtë Zoti. Ajo është shtëpia e të gjithëve, si e indiferentit, ashtu edhe e atij, që dëshiron të kërkojë falje, por nuk ka guxim. Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme asaj pjese të “Besojmës” së krishterë, ku pohohet shenjtëria e Kishës, duke nënvizuar se ajo është shprehje e mëshirës së Zotit për secilin.
Duartrokitje të shumta e ndërprenë edhe sot, herë pas here, Atin e Shenjtë, Papën që i këndon mëshirës së Hyjit, që i siguron të gjithë se Zoti është Atë, i cili është gati të falë edhe atë, që mendon se ka bërë gjëra të pafalshme, edhe atë, që i ka kthyer shpinën. 50 mijë besimtarët, që ndiqnin audiencën e parë të tetorit, për një orë e gjysëm, dëgjuan Papën Françesku të përsëriste me forcë të vetmen të vërtetë të patjetërsueshme:
Në Kishë, Zoti që takojmë, nuk është gjykatës i pamëshirshëm, por është si ati i shembëlltyrës ungjillore. Mund të jesh si biri, që ka ikur nga shtëpia, që ka prekur fundin e largimin nga Hyji. Kur gjen forcën për të thënë: dua të kthehem në shtëpi, do ta gjesh portën gjithnjë hapur, Zoti vjen tek ti, sepse të pret gjithmonë. Zoti të pret gjithmonë! Zoti të përqafon, të puth e feston. Kështu është Hyji! Kjo është dhembshuria e Atit tonë!”
Katekizmi u shtjellua rreth pohimit të “Besojmës” se Kisha është “shenjte”. Duke imagjinuar sa njerëz mund të mos jenë dakord me këtë pohim, Papa Françesku u bë interpretues i shpirtit dhe u dha zë mendimeve të tyre, duke e parë në sy masën e njerëzve, që kishte përpara, e duke i rreshtuar të metat e Kishës, me një sinqeritet, që shkaktoi duartrokitje të stuhishme:
“Si mund të jetë shenjte një Kishë, e cila përbëhet nga njerëz, nga mëkatarë? Burra mëkatarë, gra mëkatare, meshtarë mëkatarë, murgesha mëkatare, ipeshkvij mëkatarë, kardinaj mëkatarë, Papë mëkatar… Gjithçka, kështu! Si mund të jetë shenjte një Kishë si kjo?”
E pavarësisht nga kjo e shi për këtë, është e mundur të kuptohet e të pranohet shenjtëria e Kishës, nënvizoi Papa Bergolio, pasi kjo shenjtëri i ka rrënjët në një Hir shumë më të fuqishëm, se forcat e saj:
“Kjo do të thotë se Kisha është shenjte, sepse rrjedh nga Hyji, i cili është shenjt, i qëndron besnik asaj dhe nuk e braktis në dorën e pushtetit të vdekjes e të së keqes. Është shenjte, sepse Jezu Krishti, i Shenjtnueshmi i Zotit, është i bashkuar pazgjidhshmërisht me të; është shenjte, sepse udhëhiqet nga Shpirti Shenjt, i cili e purifikon, e shndërron, e përtërin. Nuk është shenjte për meritat tona, por sepse Zoti e bën të shenjtë, është fryt i Shpirtit Shenjt e i dhuratave të Tij”.
E kjo Kishë, vazhdoi Papa, nuk i largon mëkatarët, por i fton të gjithë të besojnë në mëshirën, në dhembshurinë e në faljen e Zotit. Ati i Shenjtë u dha përgjigje atyre, që mund të pyesin: “Nëse jam mëkatar, si mund të ndihem anëtar i Kishës?”:
“Vëlla i dashur, motër e dashur, pikërisht këtë do Hyji, që ti të thuash: ‘O Zot jam këtu, me të gjitha mëkatet e mia!” Ndokush prej jush, a është këtu pa mëkate? Ndonjëri prej jush? Askush! Askush nga ju! Të gjithë i marrim mëkatet me vete. Por Zoti dëshiron t’i themi: ‘Na fal, na ndihmo të ecim, na e shndërro zemrën!’ E Hyji mund ta shndërrojë zemrën!”
Në fund të katekizmit, shqyrtimi i ndërgjegjes, rrëmimi, thellë në shpirt. A jemi Kishë, që i kërkon e i pret krahëhapur mëkatarët, pyeti Papa Françesku, që u jep atyre guxim e shpresë, apo jemi Kishë e mbyllur në vetvete? E të ndrojturve, që druhen t’i kërkojnë falje Atit Qiellor, Ati i Shenjtë u tha të mos kenë frikë nga shenjtërimi i jetës:
“Shenjtëri nuk do të thotë të bësh gjëra të jashtëzakonshme, por ta lejosh Zotin të veprojë. Është takimi i brishtësisë sonë me forcën e Hirit të Tij, është besimi në veprën e Tij, që na jep mundësi të jetojmë duke bërë mirë, me gëzim e përvuajtëri, për lavdinë e Zotit e në shërbim të të afërmit”.
Ndër përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, Papa Bergolio iu drejtua veçanërisht një grupi budistësh ardhur nga Japonia, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama