HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-03 12:08:32
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: "Drita e fesë"



Enciklika e parë e Papa Françeskut është një përsiatje mbi fenë. Një pjesë e saj ishte shkruar nga Benedikti XVI, që me këtë qarkore, në përkim me vitin e fesë, kishte ndër mend të plotësonte triptikun mbi virtytet teologale të fesë, shpresës dhe dashurisë.
Ati i Shenjtë e nis shpalosjen e vështrimit të tij mbi fenë duke ndrequr një keqkuptim të epokës moderne, në bazë të të cilit feja lind atje ku mbaron drita e arsyes. Keqkuptimi, thotë Papa, gjendet në faktin se feja “është lidhur me errësirën… Hapësira për fenë çelej atje ku nuk mund të shndriste arsyeja, atje ku njeriu nuk mund të kishte më siguri. Feja është kuptuar si një hedhje në zbrazëti, që e ndërmarrim nga mungesa e dritës, të shtyrë nga një ndjenjë e verbër” (n.3).
Me gjithë përpjekjet e epokës moderne për të ndriçuar ekzistencën me anë të arsyes, është parë se përmasa të tëra të ekzistencës mbeten të paarrira nga kjo dritë. E ardhmja, sidomos e ardhmja përtej vdekjes, mbetet një e panjohur e madhe, përballë së cilës njeriu modern ka hequr dorë nga kërkimi i një drite të madhe: “Njeriu ka hequr dorë nga kërkimi i një drite të madhe, i një të vërtete të madhe, dhe kënaqet me disa dritëza të vogla, që shndrisin të tashmen e shkurtër, por që janë të paafta për të hapur udhën” (n.3).
Feja, pra, nuk lind atje ku fillon errësira. Ajo është dritë në vetvete, prandaj është e rëndësishme “të rigjejmë karakterin e dritës tek besimi vetjak, sepse kur të fiket drita e besimit, edhe të gjitha dritat e tjera e humbin fuqinë. Drita e besimit ka karakter të veçantë, duke qenë se është e aftë të ndriçojë tërë ekzistencën” (n.4). Njeriu nuk mund të jetë burimi i kësaj drite. Ajo vjen prej Hyjit, prandaj drita e fesë ndizet në takimin me Hyjin, i cili, duke na zbuluar dashurinë e tij, na e shndërron jetën dhe na jep “sy të rinj”.
Feja prek të tëra përmasat e kohës me të cilën matet njeriu. Prek të tashmen, sepse lind nga një takim që është gjithmonë i pranishëm. Prek të kaluarën, sepse “rrjedh nga e kaluara, është drita e një kujtese themeltare, kujtesa e jetës së Jezusit, ku është shfaqur dashuria e tij plotësisht e mirëbesueshme, e aftë të fitojë mbi vdekjen”. Prek të ardhmen, sepse Krishti është ringjallur dhe na tërheq përtej vdekjes, prandaj “feja është dritë që vjen nga e ardhmja, që hap para nesh horizonte të mëdha dhe na mbart përtej ‘unit’ tonë të izoluar drejt gjerësisë së bashkësisë” (n.4).
Jezusi i ka lënë Pjetrit porosinë që të “përforcojë vëllezërit në fe”. Papa Françesku na kujton se paraardhësi i tij, Benedikti XVI, e ka shpallur Vitin e fesë si pasardhës i Pjetrit, me qëllimin “për të gjallëruar ndjesinë e gjerësisë së horizontit që hap feja” dhe që ne “ta shpallim në njësinë dhe tërësinë e saj, besnikë ndaj kujtesës së Zotit, të mbështetur në praninë e tij dhe nga veprimi i Shpirtit të Shenjtë” (n.5). Duke përmendur 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit, Papa Françesku thotë se ai ka qenë një Koncil mbi fenë dhe se “Koncili II i Vatikanit ka bërë që feja të vezullojë brenda ekzistencës njerëzore, duke rrahur rrugët e njeriut bashkëkohor” (n.6).
Pasi shpreh mirënjohjen për përgatitjen e kësaj enciklike nga Benedikti XVI, Papa Françesku thotë se e pranon si punë të çmueshme dhe i shton këtij teksti disa mendime të mëtejshme. Ai e përfundon hyrjen e enciklikës duke thënë se “me anë të fesë shohim se na është dhuruar një Dashuri e madhe, na është drejtuar një fjalë e mirë dhe se, duke pranuar këtë Fjalë, që është Jezu Krishti, Fjala e mishëruar, Shpirti i Shenjtë na shndërron, ndriçon udhën e së ardhmes dhe rrit në ne krahët e shpresës për ta përshkuar me gëzim” (n.7).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama