HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Bamirësi dhe solidaritet >  2013-10-03 12:06:00
A+ A- Printo artikullin



Tragjedi e tmerrshme në Lampeduzë. Kryeipeshkvi: mjaft me të vdekur



“Në fund të detit, si në fund të botës, shkuan fëmijët – ëngjëj dhe gratë - sirena tragjedie. Përsipër shkumbëzojnë harrimet dhe braktisja. Anija u përmbys bashkë me atdheun dhe u kthye në arkivol. Deti – varr”. Është kjo pjesë e “Elegjisë për të mbyturit e së premtes para Pashkëve”, të poetit shqiptar Visar Zhiti, që na vjen ndërmend, ndërsa akoma numërohen viktimat e zbarkimit të fundit në ishullin e Lampeduzës në Itali. Tragjedi e jashtëzakonshme, në mos tjetër, për shifrat. Sipas emigrantëve të shpëtuar, në barkën e ëndërrave, që vinte drejt Evropës, ndodheshin 500 vetë e deti ka nxjerrë deri tani, mëse 200 kufoma. Duhen bërë hetime, por sipas tregimeve, dy o tre anije peshkimi u janë afruar emigrantëve pa i ndihmuar. “Përsipër shkumbëzojnë harrimet dhe braktisja” shkruan poeti. Tragjeditë i ngjajnë njëra-tjetrës!
Të detyruar të ndezin zjarre për të lajmëruar praninë e tyre, emigrantët përfunduan në fund të detit bashkë me “govatën” ku kishin hipur. Tani të gjithë flasin për tragjedi, por tepër vonë, siç theksoi edhe kryeipeshkvi i Agrixhentos, imzot Françesko Montenegro. “Nuk mund të vazhdojmë të mbajmë llogarinë e të vdekurve – deklaroi sot ai – duhet të mobilizohemi, të bëjmë diçka konkrete për të shmangur tragjeditë ciklike të dëshpërimit”. E Papa Françesku, duke nxitur impenjimin e Kishës Katolike, vullnetarët e së cilës janë pranë emigrantëve, shkruan në faqen e tij në Twitter: “T’i lutemi Zotit për viktimat e mbytura para Lampeduzës”.
Mbytja e sa e sa emigrantëve në brigjet italiane, pranë njërit prej plazheve më të bukura të botës, ndodhi një ditë pasi Këshilli i Evropës dënoi rëndë politikën e Italisë për emigracionin. Dje, Strasburgu deklaroi se masat e viteve të fundit janë të gabuara dhe nuk i kanë dhënë vendit mjetet e nevojshme për të përballuar një fluks, që do të vazhdojë. Në raport kritikohen sidomos kthimet me forcë në Libi, ku emigrantët mund të torturohen, shprehet mendim negativ për Qendrat e Mbrojtjes së Përkohshme për emigrantët dhe për deklarimin e herëpashershëm të gjendjes së emergjencës, pretekst për të marrë masa të jashtëzakonshme, që shkojnë përtej kufijve të caktuara nga ligjet kombëtare e ndërkombëtare. Sistemet italiane të kontrollit, sipas britanikut Kristofer Çoup, që ka shkruar raportin, lënë për të dëshiruar, prandaj shumë emigrantë drejtohen për në Itali, pikërisht për të shfrytëzuar këtë fakt. Në tekst kërkohet që vendi të gjejë zgjidhje politike më të mira për të përballuar si duhet fluksin e emigrantëve e të refugjatëve. Vetëm kjo, përfundon raporti, mund t’i bindë vendet e tjera evropiane ta mbështesin e të solidarizohen me Italinë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama