HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-04 12:50:16
A+ A- Printo artikullin



Kisha të zhvishet nga gangrena e mondanitetit: kështu Papa në takimin me të varfërit



Etapa e dytë e vizitës së Papës në Asizi, në kishën e Shën Damianit, ku Shën Françesku, duke u lutur para Krishtit në Kryq, e dëgjoi të fliste e t’i kërkonte “të riparojë, ta ndreqë shtëpinë e tij”. Kjo ngjarje qe jashtëzakonisht e rëndësishme për jetën e shenjtit, i cili gjithnjë në kishën e Shën Damianit, në vitet e fundit të jetës, shkroi Këngën e Kreatyrëve. Krishti në Kryq i Shën Damianit i ka sytë e hapur e nuk dëshmon vuajtje. Është përafërsisht i vitit 1100.RealAudioMP3
Më pas, Ati i Shenjtë shkoi në selinë ipeshkvnore të Asizit, ku, në Sallën e zhveshjes së Shën Françeskut, u takua me të varfërit, që ndihmohen nga Karitasi. Edhe këtu foli pa letër, duke bërë shaka fillimisht me gazetat e me gjithçka imagjinonin se do të thoshte Papa. Shfrytëzoj rastin, tha Bergolio, duke përdorur pikërisht fjalët e gazetave, t’i kërkoj Kishës, të gjithë Kishës, të zhvishet nga mondaniteti, t’i lerë mënjanë gjërat e kësaj bote e të imitojë Krishtin, i cili u bë shërbëtor i përvuajtur, deri në Kryq:
“E nëse duam të jemi të krishterë, nuk ka udhë tjetër. ‘Por, a s’mund të bëjmë një krishterim pak më njerëzor?’ thonë: pa Kryq, pa Jezusin, pa zhveshje, pra, pa hequr dorë nga gjërat materiale. E do të bëhemi të krishterë pastiçerie, si të ishim torta të bukura, si pasta të ëmbëla… Shumë bukur, por jo të krishterë të vërtetë! Ndokush do të pyesë: ‘Por nga çfarë duhet të zhvishet Kisha?’ Duhet të zhvishet nga rreziku shumë i madh, që kërcënon çdo njeri, të gjithë në Kishë: rreziku i mondanitetit, i mbizotërimit të shpirtit të kësaj bote, që na çon drejt mendjemadhësisë, prepotencës e kryelartësisë. E ky është idhull, nuk është Zoti”.
Kur flasim për Kishën, rimori në dorë Papa një argument të dashur për të, kujtojmë se ajo përbëhet vetëm nga meshtarë, murgesha, ipeshkvij, kardinaj dhe Papa. Por Kisha jemi të gjithë ne, prandaj detyra për t’u zhveshur nga gjërat e kësaj bote, siç bëri shën Françesku, është e të gjithëve. Pastaj, fjalë për krizën e sotme, por edhe për viktimat e Lampeduzës, emigrantët e mbytur, të cilët rriten vazhdimisht në numër, duke e kapërcyer 100-shin:
“Sot, shumë prej jush janë zhveshur nga kjo botë e egër, që nuk jep punë, nuk ndihmon: s’ka rëndësi, kush pyet për fëmijët që vdesin nga uria në botë; kush pyet se shumë familje nuk kanë të hanë, nuk kanë as dinjitetin për të çuar bukë në shtëpi; kush pyet se shumë njerëz duhet të ikin nga skllavëria, nga uria, duke kërkuar liri e, me sa dhimbje, sa herë, shohim se gjejnë vdekjen, siç ndodhi dje në Lampeduzë. Por sot, është ditë lotësh! Këto gjëra bën shpirti i kësaj bote. Është qesharake që një i krishterë i vërtetë, një meshtar, një murgeshë, një ipeshkëv, një kardinal, një Papë të ecin në rrugën e mondanitetit, pasi kjo është sjellje që vret. Mondaniteti shpirtëror vret! Vret shpirtin! Vret njerëzit! Vret Kishën”.
Duke kujtuar se Shën Françesku arriti të zhvishej nga gjithçka me ndihmën e Zotit, Papa u lut që Hyji t’ua japë këtë guxim të gjithëve. E nuk është fjala për t’u zhveshur nga 20 lira, por për të larguar nga zemra shpirtin e kësaj bote, që është gangrenë e shoqërisë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama