HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-10-04 11:38:54
A+ A- Printo artikullin



Në Asizi, Papa përqafon të rinjtë me të meta fizike: t’i prekim plagët e tyre, janë ato të Jezusit



Në plagët e sëmundjes fshihet vetë dhimbja e Jezusit, e cila duhet dëgjuar e pranuar me një dashuri, që i kundërvihet indiferencës tipike të “kulturës së hedhurinave”. Kjo qe ideja mbizotëruese e takimit të parë të Papës Françesku në Asizi. Pak para orës 8.00, para kohës së parashikuar në program, Ati i Shenjtë hyri në Institutin Serafik, i cili që nga viti 1871 mbledh e ndihmon të rinj me të meta të rënda fizike nga e gjithë Italia. Papa Bergolio foli pa letër, pavarësisht se edhe fjalimet e përgatitura janë paraqitur nga shtypi, e para se të largohej, doli në dritaren e Institutit për të përshëndetur turmën e stërmadhe, që shtyhej jashtë. Edhe kjo përshëndetje nuk ishte parashikuar në program.RealAudioMP3

“Jemi në mesin e plagëve të Jezusit” e këto plagë na kërkojnë të preken nga të gjithë ata, që e quajnë veten të krishterë. Papa Françesku, që shtrëngon në duar letrat me fjalimin e përgatitur, nuk lexon asnjë rresht. Sytë e tij janë të ngulur në sytë e fëmijëve dhe të rinjve me të meta fizike, të cilët i përgjigjen me një gjuhë, që përmban tinguj të panjohur, por përsosurisht të kuptueshëm për atë, që përdor fjalorin e solidaritetit të krishterë:
“Këtu është Jezusi, i fshehur ndër këta të rinj, ndër këta fëmijë, ndër këta njerëz. Në elter, adhurojmë Korpin e Krishtit, në ta, gjejmë plagët e Jezusit. Jezusi i fshehur në Eukaristi e Jezusi i fshehur në këto plagë… Kanë nevojë të dëgjohen. Ndoshta, jo aq nëpër gazeta, si lajm… Ai është një lloj dëgjimi, që zgjat një, dy, tre ditë, pastaj vjen një lajm tjetër, një tjetër akoma… Duhet të dëgjohen nga ata, që i thonë vetes të krishterë”.
Në kishën e Institutit Serafik, vend ku adhurohet gjithnjë Korpi i Krishtit, fjalët e Papës duken si lutje. Lutje thelbësisht françeskane, lutje e thjeshtë, që ngul këmbë në një pikë të rëndësishme e të vetme:
“I krishteri adhuron Jezusin; i krishteri e kërkon Jezusin; i krishteri është i tillë kur i njeh plagët e Jezusit. E sot, këtu, të gjithë ne, kemi nevojë të themi: ‘Këto plagë duhen dëgjuar, duhen prekur!’. Por ka edhe diçka tjetër, që na jep shpresë. Jezusi është i pranishëm në Eukaristi, këtu është Korpi i Krishtit; Jezusi është i pranishëm ndërmjet nesh: e Korpi i Jezusit janë plagët e Tij në këta persona”.
Pas të rinjve me probleme fizike, qëndrojnë asistentët, të parët, që i njohin dhe i mjekojnë çdo ditë plagët e Jezusit, në fytyrat e në trupin e këtyre djemve e vajzave. Të bësh këtë, pati thënë në fillim drejtoresha e Institutit, është privilegj e dhuratë. E në gjirin e asaj dashurie pa interes, Papa, që mban emrin e shenjtit frymëzues të këtij vendi kurimi, vë në dukje, ndërmjet plagëve të sëmundjes, shenjën e bukurisë së shndërruar nga Hyji:
“Është interesante kjo: Jezusi, kur u ngjall, ishte shumë i bukur. Nuk kishte në trup as mavijosje, as plagë… asgjë! Ishte më i bukur! Vetëm se deshi t’i mbante plagët e t’i çonte në Qiell. Plagët e Jezusit janë këtu e janë edhe në Qiell, para Atit. Ne mjekojmë plagët e Jezusit këtu e Ai, nga Qielli, na i tregon plagët e na thotë të gjithëve: ‘Po të pres!”.
Por plagët e Jezusit në më të brishtët e shoqërisë, vazhdon Papa, shpesh injorohen nga “kultura e hedhurinave” e botës bashkohore. E pikërisht në fjalimin e palexuar, por të publikuar, Ati i Shenjtë kërkon të vendosen nevojtarët në qendër të vëmendjes së shoqërisë e të politikës, duke mos i lënë vetëm familjet, që duhet të kujdesen për ta. “Të shumëfishojmë veprat e kulturës së mikpritjes – nënvizon Papa Françesku – vepra të frymëzuara nga dashuria e thellë e krishterë, dashuri për Krishtin e Kryqëzuar, për Korpin e Krishtit, vepra, në të cilat bashkohen profesionaliteti, puna e kualifikuar dhe e paguar si duhet, me këtë thesar të çmuar, që është vullnetariati”.
Fundi i fjalimit të mbetur në letër t’i mbush sytë me lot. Papa Françesku citon disa rreshta të një letre, që i ka shkruar Nikolasi 16-vjeçar nga Buenos Ajresi, handikapat që nga lindja. Përmes penës së prindërve – sepse Nikolasi nuk shkruan, nuk flet e nuk ecën – ai i thotë Atit të Shenjtë se ka marrë Kungimin e parë e në nëntor do të marrë Krezmimin. Pastaj vazhdon: “Çdo natë, që kur na e ke kërkuar, unë i them Engjëllit tim të Rojes, që quhet Euzebio e ka durim të madh, të të ruajë e të të ndihmojë. Të jesh i sigurtë se e bën shumë mirë këtë punë, sepse ai kujdeset për mua e më shoqëron çdo ditë! Ah! E kur nuk kam gjumë… vjen të luajë me mua! Do të më pëlqente shumë të vija për të të parë e për të marrë bekimin tënd e një puthje: vetëm kaq! Të përshëndes e vazhdoj t’i lutem Euzebios, që të kujdeset për ty e të të japë forcë. Përqafime. NIKO”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama