HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-10-04 15:43:55
A+ A- Printo artikullin



Papa në meshën e Asizit: Paqe françeskane, që bazohet në Krishtin, për Lindjen e Mesme e për botën



50 mijë vetë e pritën Atin e Shenjtë në meshën, që Papa e kremtoi në sheshin e Shën Françeskut, nga ku bëri thirrje për fundin e konflikteve të armatosura dhe shpjegoi kuptimin e paqes françeskane. “Paqe e të mira!” qe përshëndetja e njohur françeskane, që Ati i Shenjtë e bëri të vetën. Në sfond, Bazilika e famshme, kushtuar shenjtit të të varfërve. Papa kremtoi meshën në një elter të thjeshtë, vendosur para një kryqi gjigand prej druri, imitim i Kryqit të Shën Damianit. Cila është dëshmia që jep sot shën Françesku pyeti Ati i Shenjtë:RealAudioMP3
“Dëshmia e tij e parë e më thelbësore është se të jesh i krishterë do të thotë të kesh marrëdhënie personale me Jezusin; do të thotë ta veshim Krishtin, ta bëjmë tonin… Ta lemë veten të udhëhiqemi prej Tij në çastin kur jep jetën për ne e na tërheq drejt vetvetes… Kush e lë veten në dorën e Jezusit të Kryqëzuar ri-krijohet, bëhet krijesë e re”.
Shën Françesku, vazhdoi Papa, na mëson se kush e ndjek Krishtin merr si shpërblim paqen e vërtetë, që vetëm Jezusi është në gjendje ta japë e jo bota. Ka shumë njerëz, që e lidhin shën Françeskun me paqen, por jo të gjithë, nënvizoi Ati i Shenjtë. Ka nga ata, që mendojnë se paqja françeskane është ndonjë lloj ndjenje e sheqerosur:
“Ju lutem! Ky nuk është Shën Françesku i vërtetë! E nuk është as ndonjë lloj harmonie panteiste me energjitë e kozmosit… Edhe kjo nuk është françeskane! Është thjesht një ide e disave! Paqja e shën Françeskut është ajo e Krishtit dhe e gjen ai, që merr mbi vete “peshën” e Urdhërimit të Jezusit: Duajeni njëri-tjetrin, siç ju kam dashur unë ju. E kjo peshë nuk mund të mbahet me arrogancë, me mendjemadhësi, me kryelartësi, por mund të mbahet vetëm me butësinë e me përvuajtërinë e zemrës”.
E së fundi, tha Papa Françesku, Varfanjaku i Asizit na këshillon të respektojmë gjithçka ka krijuar Zoti e, mbi të gjithë, njeriun, çdo qenie njerëzore, jetën:
“Nga ky Qytet i Paqes, përsëris me forcën dhe me butësinë e dashurisë: të respektojmë gjithësinë, të mos bëhemi mjete shkatërrimi. Të respektojmë çdo qënie njerëzore: të ndalen konfliktet e armatosura, që përgjakin tokën, të heshtin armët e kudo, urrejtja t’ia lerë vendin dashurisë, fyerja, faljes dhe mosmarrëveshja, bashkimit. Ta dëgjojmë britmën e atyre që qajnë, që vuajnë e vdesin për shkak të dhunës, të terrorizmit e të luftës, në Tokën Shenjte, kaq të dashur nga shën Françesku, në Siri, në Lindjen e Mesme, në të gjithë botën. Po të drejtohemi ty, o Françesk e të lutemi të na nxjerrësh nga Zoti dhuratën, që në këtë botë të ketë harmoni, paqe dhe respekt për gjithçka ka krijuar Hyji!”
Para bekimit përfundimtar, u ndez Llamba kushtore e Shën Françeskut, e cila ndriçon gjatë gjithë vitit, e ushqyer me vajin, që dhurohet me radhë, nga një rajon i Italisë. Këtë vit, i takoi pikërisht Umbrias, ku ndodhet qyteti i Asizit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama