HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-08 13:22:34
A+ A- Printo artikullin



Intervista me Papa Françeskun në revistën "Qytetërimi Katolik" - pjesa e dytë



Kush është Jorge Mario Bergoglio?
E kam gati pyetjen, por vendos të mos ndjek skemën që kisha në mendje, dhe e pyes befas: "Kush është Jorge Mario Bergoglio?". Papa m'i ngul sytë i heshtur. E pyes nëse kjo është një pyetje e lejueshme... Ai më jep një shenjë që ma ka pranuar pyetjen, e më thotë: "Nuk di cili mund të jetë përkufizimi më i saktë... Unë jam një mëkatar. Ky është përkufizimi më i drejtë. Nuk është një shprehje e gatshme, një gjini letrare. Jam një mëkatar".
Papa vijon të mendohet, kuptueshëm, si të mos e priste këtë pyetje, si të ishte i shtyrë drejt një përsiatjeje të mëtejshme.
"Po, mund të them se ndoshta jam pak dinak, di si të sillem, por është e vërtetë se jam edhe pak fëmijëror. Po, por përshkrimi më i mirë, që më lind së brendshmi dhe ndiej si më të vërtetë, është pikërisht ky: 'jam një mëkatar të cilin Zoti e ka shikuar'". Dhe përsërit: "Unë jam dikush të cilin Zoti e ka shikuar. Moton time ‘miserando atque eligendo’ e kam ndjerë gjithmonë si të vërtetë për mua".
Motoja e Papës është marrë nga Homelitë e shën Bedës së Nderueshëm, i cili, duke komentuar tregimin ungjillor të thirrjes së shën Mateut, shkruan: "Jezusi pa një tagrambledhës dhe, pasi e shikoi me dashuri dhe e zgjodhi, i tha: më ndiq”.
Dhe vijon: “Ftillorja latine miserando më duket e papërkthyeshme në italisht e në spanjisht. Mua më pëlqen ta përkthej me një tjetër ftillore, që nuk ekziston: misericordiando”. (Në shqip ekziston ftillorja përkatëse e latinishtes misericordiando dhe është: duke mëshiruar. Shënimi është i përkthyesit).
Papa Françesku e vijon përsiatjen dhe, pasi bën një kapërcim, që në fillim nuk arrij ta kuptoj, më thotë: “Unë nuk e njoh Romën. Njoh pak gjëra, ndër të cilat Santa Maria Maggiore-n: shkoja gjithmonë atje”. Më kujtohet e i them: “E kemi kuptuar të gjithë shumë mirë, Atë i Shenjtë!”. “Po, pikërisht – vijon papa – njoh Santa Maria Maggiore-n, Shën Pjetrin… por kur vija në Romë kam qendruar gjitmonë në via della Scrofa. Aty pranë vizitoja shpesh kishën e shën Luigjit të Francezëve dhe shkoja e kundroja pikturën e thirrjes së shën Mateut të Caravaggio-s”. Filloj ta marr me mend çfarë dëshiron të më thotë Papa.
“Ai gishti i Jezusit ashtu… drejt Mateut. I tillë jam unë. Ashtu ndjehem. Si Mateu”. Këtu Papa merr pamjen e një njeriu të vendosur, sikur të kishte gjetur shëmbëllimin që po kërkonte për veten: ”Ai që më bën përshtypje është gjesti i Mateut: ai shtrëngon paratë e veta, si me thënë: ’jo, mua jo! Jo, këto para janë të miat!’. Ja, ky jam unë: ’një mëkatar tek cilit Zoti ka drejtuar sytë’. Këtë gjë kam thënë kur më kanë pyetur a e pranoja zgjedhjen time për Papë. Pastaj thotë me zë të ulët: ”Peccator sum, sed super misericordia et infinita patientia Domini nostri Jesu Christi confissus et in spiritu penitentiae accepto”. (Mëkatar jam, por i mbështetur në mëshirën dhe durimin e pafundëm të Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me shpirtin e pendesës, pranoj).
Pse jeni bërë Jezuit
E kuptoj se kjo formulë pranimi për Papa Françeskun është edhe një letërnjoftim. Nuk ka nevojë për asnjë shtesë të mëtejshme. Vijoj me atë që kisha menduar si pyetjen e parë: “Atë i Shenjtë, çfarë ju ka shtyrë të vendosni të hyni në Shoqërinë e Jezusit? Çfarë Ju ka bërë përshtypje tek Urdhri i jezuitëve?”
“Kërkoja diçka më shumë, por nuk dija çfarë. Kisha hyrë në seminar. Më pëlqenin domenikanët e kisha miq domenikanë. Por pastaj zgjodha Shoqërinë, që i njihja mirë, sepse seminarin ua kishin besuar jezuitëve. Tek Shoqëria e Jezusit më kanë bërë përshtypje tri gjëra: misionariteti, bashkësia dhe disiplina. Kjo gjë është e çuditshme, se unë jam i padisiplinuar që në djep, që në djep, që në djep. Por disiplina e tyre, mënyra si e rendisnin kohën, më ka bërë shumë përshtypje. Pastaj një gjë vërtet themelore për mua është bashkësia. Kam qenë gjithmonë në kërkim të një bashkësie. Nuk e shoh veten të vetëm si prift: kam nevojë për një bashkësi. Këtë e kuptoni nga fakti që jam këtu në shtëpinë e Shën Martës: kur jam zgjedhur, më ra shorti të banoja në dhomën 207. Kjo ku jemi tani ishte dhomë miqsh. Vendosa të banoj këtu, në dhomën 201, sepse kur mora në zotërim apartamentin papnor, ndjeva qartë brenda meje një “jo”. Apartamenti papnor në Pallatin Apostolik nuk është luksoz. Është i lashtë, i bërë me shije dhe i madh, por jo luksoz. Por, tek e fundit, është si një hinkë e përmbysur. Është i madh e i gjerë, por dera është vërtet e ngushtë. Hyhet me pikatore, por unë jo, pa njerëz nuk mund të jetoj. Kam nevojë ta jetoj jetën me të tjerët”.
Ndërsa Papa flet për misionin dhe bashkësinë, më vijnë ndër mend të gjithë ata dokumente të Shoqërisë së Jezusit në të cilat flitet për “bashkësinë për mision” dhe më rishfaqen përmes fjalëve të tij.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama