HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-10 13:46:09
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: "Drita e fesë" (II)



Papa Françesku e shikon ekzistencën njerëzore si rrugëtim. Feja na hap rrugëtimin, prandaj duhet të tregojmë nga bie udha e fesw, udha e njerëzve besimtarë, që nga Besëlidhja e Vjetër. Besimtari i parë është Abrahami. Atij Hyji i drejton Fjalën e vet, “i zbulohet si Hyji që flet dhe e thërret me emër” (n.8), prandaj feja lind nga dëgjimi: “Abrahami nuk sheh, por e dëgjon zërin e Zotit” (n.8). Marrëdhënia e Hyjit me Abrahamin është personale. Kjo na bën të kuptojmë se Hyji, që zbulohet në Bibël, nuk është Hyji i një vendi apo i një tempulli, por Hyji i një njeriu. Feja, atëherë, është përgjigja e njeriut ndaj këtij Hyji, krijimi i një marrëdhënieje me një “Ti” hyjnor.
Fjala, që Hyji i drejton njeriut, e fton këtë të dalë nga vetvetja, por edhe i tregon një premtim, një të ardhme. Ecja e njeriut në udhën që hap Fjala, i krijon atij mundësinë për të parë çfarë nuk mund të shohë, nëse rri në vend: “Feja ‘sheh’ në atë masë në të cilën rrugëton, në atë masë në të cilën hyn në hapësirën e hapur nga Fjala e Hyjit (n.9). Njeriu e kujton Fjalën që i është drejtuar, megjithatë kjo kujtesë nuk e mban peng të së shkuarës, por e shtyn drejt të ardhmes, bëhet themeli i shpresës.

Abrahami duhet t’i besojë kësaj fjale. Në natyrën e vet fjala është diçka e lehtë, kalimtare, por, kur del nga Hyji, bëhet shkëmbi mbi të cilin mund të ndërtojë jetën, sepse Hyji e mban fjalën, është besnik. Të besosh do të thotë të mbështetesh në besnikërinë e Zotit.
Përvoja e Abrahamit me Zotin na ndihmon të kuptojmë se Hyji, që na thërret, është burimi i jetës. Hyji i premton atij një pasardhës prej Sarës, edhe pse Sara ishte beronjë, dhe i jep për bir Isakun. Abrahami është i vetëdijshëm se Hyji në të cilin beson është Hyji i jetës. Kjo vetëdije e ndihmon në provën e madhe të fesë, kur duhet të flijojë të birin: “Fjala, që ka qenë e aftë të lindte një bir prej trupit të tij, që ishte ‘si i vdekur’, në ‘kraharorin e vdekur’ të Sarës beronjë (khs Rom 4,19), do të jetë e aftë të garantojë edhe premtimin e një të ardhmeje përtej çdo kërcënimi apo rreziku” (n.11).
Sikurse për Abrahamin, edhe për Izraelin feja është “thirrja për një rrugëtim të gjatë, me qëllim që të mund të adhurojë Zotin në Sinai dhe të trashëgojë tokën e premtuar” (n.12). Zoti e shoqëron Izraelin gjatë këtij rrugëtimi, siç shoqëron ati një bir. Drita e fesë hyn në popullin e Hyjit nëpërmjet kujtimit të veprave që ka bërë Hyji për ta gjatë udhës, prandaj ajo është “e lidhur me tregimin konkret të jetës” (n.12). Historia e popullit të Zotit na flet edhe mbi tundimin për të mos besuar. Njerëzit e humbin durimin dhe nuk e presin më Zotin, ndërsa feja na ndihmon të heqim dorë nga ngutja për të zotëruar gjithçka menjëherë dhe na bën të gatshëm të presim zbulimin e ngadalshëm të Hyjit të vërtetë. Mosbesimi dhe ngutja na shtyjnë drejt adhurimit të idhujve, na bëjnë të adhurojmë viçin a artë. Adhurimi i idhujve është thellë-thellë adhurim i vetvetes, sepse idhujt ndërtohen prej vetë njeriut. Për këtë arsye idhujtaria e bën njeriun të humbë udhën e vetme dhe të gjendet përballë shumë udhëve “që nuk çojnë tek një pikëmbërritje e sigurt dhe shëmbëllejnë me një labirint” (n.13). Feja është ndarje nga idhujt dhe kthim tek Hyji, që na pranon dhe na fal gjithmonë; “Duke u kthyer gjithmonë drejt Zotit, njeriu gjen rrugën e qëndrueshme dhe, falë saj, çlirohet nga kuturisja në të cilën e fusin idhujt” (n.13).
Në historinë e Izraelit spikat figura e Moisiut. Ai përfaqëson Zotin para bashkësisë dhe bashkësinë para Zotit. Ai është ndërmjetësuesi. Feja vetjake shartohet në fenë e bashkësisë dhe ka nevojë për ndërmjetësim. Qasja individualiste nuk e pranon ndërmjetësimin, sepse nuk njeh vështrimin e përbashkët të realitetit, nuk njeh ndarjen e dijes me të tjerët, por dija e ndarë me të tjerët është dija e dashurisë. Feja na çon drejt kësaj dijeje.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama