HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-10 11:51:56
A+ A- Printo artikullin



10-vjetori i Misionit katolik shqiptar në Zvicër



Kohët e fundit u kremtua 10-vjetori i themelimit të Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore, me seli në Sirnach të Thurgau-t. Një kremtim dyditor, që e pati kulmin në meshën shenjte në Frauenfeld, kryesuar nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili, gjatë homelisë, vuri menjëherë në dukje stemën e 10-vjetorit, pasqyrë e motos së Misionit: Atdheu-Familja-Zoti. Për këtë trinom kanë punuar besimtarët, që mblidhen rreth misionit, por sidomos meshtarët , duke filluar nga themeluesi don Marjan Marku, tek don Fran Kola e tani, tek don Albert Demaj së bashku me murgeshat e shumta.
“Ju keni ardhur në Zvicër për t’u siguruar një jetë më të mirë familjeve tuaja, duke lënë atdheun – u tha të pranishmëve imzot Dodë Gjergji, gjatë homelisë. Ju falenderoj shumë që nuk e keni harruar as Zotin, as atdheun, sepse falë jush kemi arritur të punojmë aq shumë në atdhe: rrugë, shtëpi, shkolla, kisha e tani, së fundmi, edhe katedralen. Ju keni ndarë nga kafshata e fëmijëve dhe keni kontribuar për katedralen dhe atdheun”.
I veçantë çasti i dhuratave në meshë. Përveç hosteve, ujit e verës, besimtarët çuan në elter edhe një ditar, ku pasqyrohen tekstet e fotografitë e botuara në shtypin zviceran për Misionin Katolik Shqiptar, si edhe ikonën e Familjes Shenjte, pajtore e Misionit. 10 vetë, dy fëmijë të vegjël e dy më të rritur, dy të rinj, dy të sapomartuar, dy prindër e dy të moshuar, i ofruan Zotit një trëndafil të bardhë e një të kuq.
E rëndësishme edhe pasditja kulturore, mbajtur në Qendrën e Misionit në Sirnach, një ditë më parë. U paraqitën veprimtaritë kryesore në 10 vjetët e punës së Misionit, shoqëruar me himnin e tij, shkruar nga motër Valdete Daka me muzikë të Zef Çobës, por edhe me fotografi, muzikë e valle. Në gojën e përgjegjësit aktual të Misionit, don Albert Demaj, falenderime për të gjithë, por edhe statistika, që tregojnë punën e bërë. Misioni Katolik Shqiptar përfshin 9 kantone zvicerane. Tani për tani janë regjistruar 1130 familje, të cilat i japin Kishës 5760 besimtarë, por numri është pa dyshim më i madh, pasi regjistrimi nuk ka përfunduar. Gjatë 10 vjetëve të Misionit janë pagëzuar 812 fëmijë, janë krezmuar 280 të rinj e janë martuar 161 të tjerë. Në Mision aktivizohen kori i fëmijëve dhe i të rriturve, shoqata e grave “Nëna shqiptare”, Ansambli Arbëresha për fëmijë dhe të rritur e shumë besimtarë, që ndihmojnë në meshë. Integrimi i shqiptarëve në shoqërinë zvicerane, siç theksoi don Albert Demaj, është gjithnjë e më i madh e kjo shihet nga profesionet, që ushtrojnë, si mjek, infermier, jurist, arkitekt, madje edhe deputet komunal e funksionar në dikastere të rëndësishme shtetërore.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama