HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-11 11:55:16
A+ A- Printo artikullin



Karitasi i Shqipërisë mbush 20 vjet



“Në Shqipëri ka bukë vetëm për gjashtë ditë”: fjalë të kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, që menjëherë pas rënies së komunizmit shkaktuan trazira e derdhën gjak. Kjo ishte gjendja në të cilën e filloi punën Karitasi Shqiptar, që sot feston 20-vjetorin e themelimit. Natyrisht, veprimtaritë bamirëse të Kishës Katolike kishin filluar që në vitin 1991, me anë të Karitaseve lokale të binjakëzuara me homologet e tyre, sidomos në qytetet e Italisë, por vetëm në vitin 1993, zuri fill zyrtarisht Karitasi i Shqipërisë.
Sot, në Tiranë, u zhvillua një Konferencë donatorësh, ku morën pjesë ato Karitase, që e kanë mbështetur në vite veprimtarinë e katolikëve shqiptarë e që vazhdojnë ta mbështesin, pasi Shqipëria ka akoma nevojë për ndihmë. Vërtet, situata ka ndryshuar e në qytetet e mëdha, shumica e kanë zgjidhur problemin e bukës së gojës, por akoma mbeten shtresa thellësisht të varfëra të popullsisë në periferitë e në zonat malore. E përveç problemeve të vjetra, janë shfaqur edhe varfëri të reja, të ashtuquajtura “perëndimore”, si të moshuar të vetmuar, të droguar, të pastrehë. Është turp, por shqiptarët, me sa duket, nuk e fusin dorën në xhep për të ndihmuar bashkëatdhetarët e tyre fatkëqinj. “Në Shqipëri, nuk arrijmë të gjejmë fonde”, denoncon drejtori i Karitasit Shqiptar, Albert Nikolla, nga faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. Thirrje kjo edhe për autoritetet politike, të cilat duhet ta njohin rolin shoqëror të Karitasit.
Një përkim domethënës: ndërsa në Shqipëri kremtohet 20-vjetori i Karitasit, në Itali, e pikërisht në Romë, nesër, përurohet Streha për të varfërit në Stacionin hekurudhor Termini, e cila mban emrin e don Luigji di Liegros, drejtorit të ndjerë të Karitasit të Romës, që i dha hov punës e impenjimit bamirës të katolikëve në Tiranë, jo vetëm duke organizuar Karitasin e Tiranës, duke shpërndarë ndihmat e duke ndihmuar struktura si spitalet e burgjet, por sidomos duke u mësuar shqiptarëve, që i deshi jashtëzakonisht, ç’do të thotë të shkosh për të shërbyer në periferitë ekzistenciale, për të cilat flet sot Papa Françesku.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama