HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-10-11 14:25:12
A+ A- Printo artikullin



Papa: djalli mundet vetëm duke ndjekur plotësisht Jezusin, pa asnjë luhatje



Duhet t’i hapim mirë sytë, përballë mashtrimeve të djallit. Këtë pohoi Papa Françesku në Meshën, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se nuk mund të ndiqet përgjysëm fitorja e Jezusit mbi të keqen dhe pohoi se nuk duhet ta ngatërrojmë e as ta relativizojmë të vërtetën në luftën kundër shejtanit.RealAudioMP3

Jezusi dëbon djajtë e ka edhe nga ata, që fillojnë të mërmërisin, për ta zbehur forcën e Zotit. Papa Françesku e përqendroi homelinë e sotme mbi Ungjillin dhe nënvizoi me forcë edhe se tundimi për ta zvogëluar figurën e Zotit, si të ishte shumë-shumë shërues e për të mos e marrë edhe aq seriozisht, vijon! Sjellje, që e vërejmë edhe sot e kësaj dite:
“Ka ca priftërinj që, kur e lexojnë fragmentin e Ungjillit, këtë e të tjerë, thonë: ‘Po Jezusi shëroi një njeri, që vuante nga sëmundje psikike’. Këtë lexojnë këtu, apo jo? Vërtet se në atë kohë mund të ngatërrohej epilepsia me pushtimin nga djalli! E ne kemi të drejtë ta thjeshtojmë fare një gjë, si të donim të thoshim: ‘E po të gjithë këta nuk ishin të pushtuar nga djalli: ishin të sëmurë mendorë’. Jo ! Praninë e djallit e kemi që në faqen a parë të Biblës. E djalli është i pranishëm deri në faqen e fundit të Biblës, deri në fitoren përfundimtare të Zotit mbi të”.
Prandaj, vërejti Ati i Shenjtë, nuk duhet të jemi aq miturakë. E në vijim kujtoi se Zoti na jep disa kritere për ta dalluar praninë e së keqes e për të ecur në udhën e krishterë, kur ndjejmë se na afrohet tundimi. Një nga kriteret është të mos ndalemi në gjysmën e rrugës, që përshkoi Krishti për të fituar mbi të keqen: “O je me mua, thotë Zoti, o kundër meje”. Jezusi, shtoi Ati i Shenjtë, erdhi për ta shkatërruar djallin, për të na çliruar të gjithëve nga skllavëria e tij. E, kujtoi, nuk mund të thuhet se duke pohuar këtë, po e teprojmë. Në këtë pikë, tha, nuk ka sfumatura. Jemi në luftë, në një luftë, në të cilën vihet në lojë shëndeti i shpirtit, jeta e pasosur, shëlbimi i amshuar i të gjithëve. Kemi, pastaj, edhe kriterin e vigjilencës. Duhet të jemi gjithnjë syhapur, porositi Papa, të vigjilojmë kundër mashtrimit, kundër joshjes së djallit të mallkuar:
E ne mund të bëjmë pyetjen: ‘A e ruaj vetveten, zemrën time, ndjenjat e mia, mendimet e mia? Thesarin e hirit? Praninë e Shpirtit Shenjt? Apo i lë punët siç janë, i sigurtë se gjithçka shkon si jo më mirë?’. Nëse ti nuk e ruan vetveten, ia beh ai, që është më i fortë se ti. Por nëse arrin një më i fortë se ai dhe ngadhënjen, ia zhvesh armët, mbi të cilat e kishte mbështetur gjithë besimin dhe ndan plaçkën. Vigjilencë! Por mbi tre kritere! Nuk duhet ngatërruar e vërteta! Jezusi lufton kundër djallit: kriteri i parë. I dyti: kush nuk është me Jezusin, është kundër Jezusit. Nuk mund të mbetemi në gjysëm të rrugës. Kriteri i tretë: vigjilenca mbi zemrën tonë: djalli është dinak. Nuk ikën kurrë përgjithmonë! Përveç ditës së mbrame”.
Kur shpirti i ndyrë del nga njeriu, kujtoi Papa, endet visesh të shkreta, duke kërkuar paqen, që nuk mund ta gjejë. E duke mos e gjetur, thotë: “Do të rikthehem në shtëpinë time, prej nga dola. E kur e gjen të pastruar e të stolisur, shkon, merr edhe shtatë shpirtra më të zinj se vetja, vijnë bashkë aty e zënë vend. E kështu gjendja e re e këtij njeriu, bëhet edhe më e keqe se më parë:Vigjilencë, prandaj, sepse strategjia e tij është kjo: ‘U bëre i krishterë, ec përpara në rrugën tënde, unë po të lë rehat, po të lë të qetë. Por, më pas, kur të mësohesh, ta humbasësh vigjilencën e ta ndjesh veten të sigurtë, atëherë kthehem’. Ungjilli i sotëm nis me djallin, që dëbohet, e përfundon me djallin, që rikthehet! Shën Pjetri thoshte: ‘Është si luan i tërbuar, që sillet e përsillet rreth nesh’. E kështu edhe është... ‘Por, o Atë, ju qenkeni paksa n’e moçme! Doni të na frikësoni me këto gjëra...’. Jo, unë, jo! S’jam unë, por Ungjilli! E Ungjilli nuk gënjen: është Fjala e Zotit! T’i kërkojmë Zotit hirin për t’i marrë seriozisht këto sende. Ai erdhi të luftojë për shëlbimin tonë. Ai fitoi mbi djallin! Ju lutem, të mos bëjmë treg me djallin! Ai kërkon të kthehet në shtëpi, të na e pushtojë shpirtin... Mos e merrni me shaka, vigjiloni! E gjithnjë së bashku me Jezusin!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama