HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-12 17:36:41
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës 14-20 tetor 2013



Më 14 tetor Kisha përkujton Shën Kalikstin I, Shën Venancin dhe Shën Dominik Loricaton. Shën Kaliksti I, pasi u kthye në Romë, pas një dëbimi të gjatë, që kaloi në Sardenjë, u kujdes për një varrezë të krishterësh, që sot njihet me emrin Katakombet e Shën Kalikstit. Në vitin 217 u zgjodh Ipeshkëv i Romës e Papë. Libri i Martirëve të Romës thotë për të: “Pasi u torturua për një kohë të gjatë në burg, ku e lanë pa ngrënë dhe e rrahën çdo ditë, e hodhën nga dritarja e shtëpisë ku e kishin mbyllur, e mbytën në pus dhe kështu meritoi triumfin e fitores”.
Më 15 tetor është përkujtimi i Shën Terezës së Avilës, virgjër dhe doktore e Kishës. Ajo lindi në vitin 1515 në një familje fisnike në Avila të Spanjës dhe në moshën 20 vjeçare u largua nga shtëpia për të hyrë në Karmel. Aventura e saj shpirtërore, e denjë për të mbetur e pashlyeshme në historinë e Kishës, fillon në moshën 39 vjeçare, kur, me një guxim që mund të vijë vetëm prej fesë, nis reformën e jetës rregulltare. Shpirti praktik dhe frymëzimi mistik ishin të gërshetuar në mënyrë të përsosur gjatë gjithë veprimtarisë së saj. Ka lënë shkrime me vlera të jashtëzakonshme për jetën shpirtërore, ndër të cilët më i rëndësishmi është “Kështjella e brendishme” dhe e kishte zakon të thoshte: “Hyji nuk i llaston shpirtrat: sa ma shumë i do, aq më shumë i shtie në udhën e kryqit”. Vdiq afër Salamankës më 15 tetor 1582. Në të njëjtën ditë përkujtohen edhe Shën Barseni e Shën Tekla.
Më 16 tetor liturgjia përkujton Shën Edvigën, dukeshë bavareze e shekullit XII-XIII. Fisnikëria e saj shpirtërore, që buronte nga lidhja e ngushtë me Krishtin, qe për të më e rëndësishme se fisnikëria e rangut shoqëror, të cilit i përkiste. Vëmendja e përhershme ndaj të varfërve, delikatesa amnore, me të cilën u kujdes për dy djemtë, që ishin në përplasje me njëri-tjetrin, dhe dashuria bashkëshortore, stolisën me vepra të mira fenë e saj të thellë. Më 16 tetor përkujtohet edhe Shën Margarita Maria Alacoque, e njohur për përvojat mistike, në të cilat Krishti i kërkoi devocionin e veçantë ndaj Zemrës së tij të Shenjtë. Po këtë ditë përkujtohet Shën Gerardi i Majelës.
Më 17 tetor Kisha përkujton Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir. Ai qe pasardhësi i Shën Pjetrit në selinë ipeshkvnore të Antiokisë, ku u dënua me shqyerje nga egërsirat (ad bestias) per shkak të fesë në Krishtin. Gjatë udhëtimit për në Romë, ku do të derdhte gjakun për Krishtin, nën rojën e rreptë perandorake, shkroi disa letra, që bëjnë pjesë në thesarin e shkrimeve të Kishës së hershme. Në të njëjtën ditë kujtohen i lumi Gilbert e i lumi Contardo Ferrini.
Me 18 tetor është festa e Shën Lukës Ungjilltar. Duke folur për Ungjillin e vet, në fillim të Veprave të Apostujve, Shën Luka Shkruan: ”Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri kur u ngrit në qiell…” (Vep 1, 1). Emri Teofil është një emër i përveçëm, që i përkthyer shqip, do të thotë ‘i dashur nga Hyji’. Ungjilli i Lukës është shkruar për të gjithë njerëzit, sepse të gjithë janë të dashur nga Hyji, prandaj mënyra më e mirë për ta nderuar këtë shenjt, është pranimi i ungjillit që ai na ka shkruar, pranimi i Krishtit.
Më 19 tetor kisha përkujton Shën Gjon Brebëfin me Isak Zhogun e shokët martirë, si edhe Shën Palin e Kryqit.
Më 20 tetor, e diel, festa e Zotit, bie përkujtimi i Shën Maria Bertila Boskardinit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama