HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-10-14 16:26:13
A+ A- Printo artikullin



Atë Daniel Gjeçaj në 100-vjetorin e lindjes



Pater Daniel (Mark) Gjeçaj OFM leu më 14 tetuer 1913 në Theth të Dukagjinit. Diq në Romë më 30 gusht 2002. Sot mbush 100 vjet!
Po e kujtojmë me dy fragmente: nga homelitë e ruejtuna në arkivin e Radio Vatikanit, prej mikrofonit të së cilës i foli për shumë vjet popullit shqiptar dhe nga kujtimet e atë Ambroz Martinit OFM:RealAudioMP3

Për “Fe e Atme”
(Nga kujtimet e atë Ambroz Martinit)
Në vjetën 1953 në Gjakovë do t’u festonte 29 nandori. Anmiqtë e mshehtë e miqtë për sy e faqe të Pater Daniel Gjeçajt, ia mbushen mendjen qeverisë jugosllave ta ngarkonte Pater Danielin me mbajtë nji fjalim, për ta komprometue e për ta zhdukë. Ishte gishti i anmiqve të Fesë e të Atmes. Don s’don, i lypet me shkue e me mbajtë fjalimin në Gjakovë, në kufi me vend të vet, nder gjakovarë të djegun për Shqypni. Tanë populli rrau me ndie Profesor Markin kah flet për Shqypni. Foli aq bukur, sa s’mbet njeri pa kja, sy pa derdhë lot. Kishte harrue se ishte në Jugosllavi. S’i bahej vonë për kurrgja. Populli, i entuziazmuem në kulm, desht me e çue për hava., por e rrethuen merturasit e ‘shtëpisë së madhe’ e s’guxoi kurrkush me iu afrue. Iu bane unazë për rreth. Me ta kthei në Vitomiricë. Ishte ndërrue në fëtyrë, si Mojzehi në Sinai, kur pa fëtyrën e Zotit. I kje dukë se ishte në Shqypni. Në një Shqypni, ashtu si e donte ai, si e dojshim na, që kishim vû kryet në cung, për mos me durue barabarinë komuniste. Nji Shqypni, që nuk do ta shifshim kurrë, sepse Shqypni e krijueme në kangët, me të cilat na kishte përkundë e na kishte rritë Pater Gjergj Fishta.

Jetëshkrimi
Pater Daniel Gjeçaj leu më 14 tetuer 1913 në Theth të Dukagjinit. Mësimet e para i kreu në vendlindje, ku frati, Atë Dedë Berdica, kishte hapë shkollën fillore në gjuhën shqipe qysh në vitin 1920. Më 1924, 11 vjeç u nis për Shkodër dhe vijoi mësimet në Kolegjën Françeskane të Qytetit.
Ndonëse endè i parritun, e kishte vendosë tashma rrugën e vet: me u bâ frat. Për atë punë e kishin ulë në Shkodër e për atë mision e shkruen në shkollë. Si kandidat për françeskan, vijoi liceun “Illyricum” të fretënve, tue pasë si profesorë figurat ma në shenj të françeskanizmit shqiptár: Fishtën, Harapin, Prennushin, Marlaskajn, Bardhin, Sirdanin, Gjokën, për të cilët ruejti nderim e dashtëni të thellë deri në fund të jetës. Në vitin 1936 kreu me nota të shkëlqyeshme liceun e filozofinë. Ishte një nga nxanësit ma të dashtun të Fishtës. Më 1933 kishte përfundue noviciatën dhe kishte veshë zyrtarisht zhgunin e Shën Françeskut.
Posá mbaroi mësimet në Shkodër, u dërgue nga eprorët në Sienë të Italisë. Këtu studioi që nga viti 1936 deri më 1939, kur po në Sienë, në Kuvendin e famshëm të Shën Bernardinit, mori urdhnin e meshtarisë e tha edhe Meshën e parë. Fillë mbas përfundimit të studimeve në Itali, tue pasë para syshë rezultatet e shkëlqyeshme që kishte mërrijtë në studime, u dërgue të vazhdonte mësimet në Fuldë të Gjermanisë, pranë vorrit të Shën Bonifacit, apostullit të gjermanëve. Në Fuldë qëndroi nga viti 1939 deri në vitin 1940. Të parët e kuvendit të Fuldës, i propozuen të vazhdonte mësimet kudo që të dëshronte në botën përendimore. Po ai kishte një dëshirë tjetër: të kthehej sa ma parë në Atdhé. U kthye më 1940 dhe tha Meshën e parë në fshatin e lindjes. U caktue në fillim si bibliotekar në bibliotekën e famshme françeskane (deri më 1941). Mandej vijoi misionin si nëndrejtor i Kolegjës françeskane në Shkodër. Në ketë kohë filloi të njihej aftësia e tij prej predikatari të shquem: nisi një serí predkesh që u ndoqen me interes të madh nga popullsia shkodrane, të cilat nuk i kanë harrue edhe sot e kësaj dite ata që patën fatin me i ndigjue. Më 1944 vijonte të kryente misionin në Shkodër, në Kolegjën françeskane. Ishte në kulmin e pjekunisë. Kje dëshmitar i gjitha ngjarjeve tragjike që pasuen në vjetët e para të vendosjes së regjimit komunist. Përpara syve të tij iu vûnë prangat e u pushkatuen fretënt e mëdhaj, mësues e kolegë. Kje një ndër të paktët që ishin në gjendje të dëshmojnë për shumë ngjarje, sot të keqinterpretueme me dashje; ashtu si ishte një ndër njohësit ma të mirë të Atë Gjergj Fishtës. Më 1946, mbas mbylljes së instituteve fetare, shkoi në Plan. Më 1948, tue mos e durue thundrën e diktaturës, kaloi në Jugosllaví. Hangri bukën e idhtë të mërgimit politik, tue punue punë të randa krahu, nën mbikqyrjen e UDB-së jugosllave deri më 1955. Në ketë vit kaloi në Italí dhe shërbeu si edukator i Kolegjës të Provinçës së Toskanës; në 1957 kje thirrë të marrë pjesë si përgjegjës i kulturës në Komitetin Shqypnia e Lirë, në kuadrin e veprimtarisë të të cilit ribotoi “Lahutën e Malcisë”(1958), pajisë me një fjalor të shkurtë skjarues. Ma vonë u emnue prej Selisë Shenjte si përfaqësues i katolikëve shqiptarë në mërgim, detyrë që e kreu deri sa mbylli sytë.
Qysh me themelimin e Programit të Gjuhës Shqipe në Radio Vatikan, Atë Danieli u bâ një nga zânet ma të dashtun për besimtarët katolikë, të cilët i ndihmoi të ruejshin fenë, traditat, etjen për lirí.
Punoi deri në dekë për përkthimin e Shkrimit Shenjt, nga i cili la të botuem "Mesharin e të kremteve"; ndërsá në dorëshkrim, përkthimin e plotë të "Mesharit" dhe të "Biblës".
Diq në Romë më 30 gusht 2002.


Marrë nga Atë Daniel Gjeçaj, Vepra 1, 2012, Botime Françeskane, Shkoder.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama